Home KRYESORE “Shqipërinë e bëmë. Tani duhet të bëjmë Shqiptarët.”

“Shqipërinë e bëmë. Tani duhet të bëjmë Shqiptarët.”

Shqipëria, vendlindja jonë, por …

Nga Dritan Shano

1912 – Ismail Qemali/ At Gjergj Fishta/ Faik Konica thuhet të kenë thënë se: “Shqipërinë e bëmë. Tani duhet të bëjmë Shqiptarët.”

1937 – Krist Maloki thoshte se: “Lufta e ardhme, asht luftë e djalërisë shqiptare kundra anmikut në zemër të vet, asht luftë mendsie krijuese kundra një mendsie destruktive, asht luftë botkuptimi drite kundra një botkuptimi errësire…”


2018 – Asgjë nga këto më lart nuk ka ndodhur. Kur shoh sesi sot ruhemi nga njeri-tjetri sikur prej të keqes më të madhe që mund të na bjerë në kurriz, kur shoh se sa të acaruar jemi dhe të ndarë si me thikë në banda për të shqyer ndonjë copë nga tepsia, them se: “Më parë se gjithshka, Shqiptari duhet të jetë i lirë, i çliruar prej nga Shqiptari tjetër.”

Kur shoh se projekti më i rëndësishëm i shqiptarëve sot është largimi prej shqiptarëve të tjerë, dhe Shqipërisë, secili në llogari të vet, në vetmi shpirtërore, në çdo formë e mënyrë, në çdo moshë a zanat, them se: “Sot, Shqipëria është vendlindja e Shqiptarëve, por ende nuk është bërë Atdheu i tyre!”

Sqarim: Shqipërinë e shoh si vendlindje të Shqiptarëve dhe jo si atdhe të tyre, sepse Atdhe do te thote të kesh qëllime të përbashkëta dhe të bashkëpunosh për arritjen e tyre, pavarësisht bie shi, borë, fryn erë apo ke ngrënë mëngjes apo jo. Ajo që ndodh në të vërtetë është që gjysma e shqiptarëve, kur mundet, i bën Shqipërisë dhe gjysmës tjetër të shqiptarëve çfarë i do qejfi dhe imagjinata, dhe gjysma tjetër shtrëngon dhëmbët dhe pret mundësinë të bëjë të njëjtën gjë.

Të dy gjysmat akuzojnë njëra tjetrën për anti-shqiptarë, për mungesë bashkëpunimi dhe futje të shkopinjve në rrota. Të dy gjysmat thonë se kanë qëllime të mira shqiptarie, por mjafton të mbyllësh veshët, dhe të hapësh sytë për të parë veprën, atë që ka ndodhur dhe po ndodh, atë çka mund të verifikohet. Aty kuptohet dallimi mes vendlindjes dhe atdheut.😉

Share: