Home Gjeo-Ekonomia Përplasja Jaka-Tabaku për biznesin: PD na etiketon si oligarkë

Përplasja Jaka-Tabaku për biznesin: PD na etiketon si oligarkë

Biznesi dhe qeveritë shqiptare vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje mes tyre për sa u përket politikave që ekzekutivi ka ushtruar dhe ushtron mbi biznesin në vend. Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë i ftuar si pjesë e një paneli ku u diskutua mbi zhvillimin ekonomik dhe kushtet infraskturore në Shqipëri shfaqi pakënaqësitë e tij kundrejt qeverisë shqiptare të tanishme, si dhe atyre ndër vite. Ai në këtë takim të organizuar nga Konrad Adenauer Stiftung, ku si temë diskutimi ishte Zhvillimi i Infrastrukturës në Shqipëri dhe Ballkan dhe Financimi nga Bashkimi Evropian, ishte si përfaqësues i bizneseve ku vuri në dukje se investimet private kanë rënë pasi mungojnë iniciativa dhe siguria në tregun e lirë shqiptar. Po ashtu ai tha se këtë fenomen e favorizon edhe mungesa e sistemit të drejtësisë në vend.

Një nga problemet më të ngutshme që ai theksoi ishte ai i sektorit të ndërtimit, sektor i cili pothuajse, sipas tij, është i paralizuar nga taksat e vendosur nga qeveria pa logjikë. Këtu ai përmendi taksën e infrastrukturës e cila kap vlerën prej 9%, si dhe taksën për banesat sociale e cila është 3%, por që prek 40% të fitimit që realizon një kompani ndërtimi në këtë sektor, gjë të cilën Jaka e cilësoi si tërësisht të palogjikshme. Jaka solli në vëmendje edhe ndryshimet e shpeshta fiskale që janë bërë ndër vite kundrejt sektorit të ndërtimit, duke krijuar një situatë pasigurie dhe kaotike në këtë sektor.

Së fundmi, Jaka përmendi edhe etiketimin “oligark” që i bëhet biznesit duke iu drejtuar edhe Jorida Tabakut, deputetes së PD-së dhe nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë, e cila po ashtu ishte e pranishme në këtë diskutim si përfaqësuese e opozitës dhe si eksperte e ekonomisë. Jaka tha se etiketime të tilla janë sulme kundrejt biznesit, si dhe shtoi se po të njëjtat biznese që ishin me qeverinë e djeshme janë po ashtu edhe me atë të sotmen.

Tabaku nga ana e saj u përgjigj se PD nuk ka sulmuar biznesin e ndershmën, pasi, sipas saj, kjo parti është aleati më i madh i biznesit, por sulmi ka qenë kundrejt atyre bizneseve që kanë përfituar në mënyrë të padrejtë. Tabaku, duke mos dashur të futej në debat me Jakën në lidhje me pakënaqësitë që biznesi ka në raport me qeverinë e kaluar, tha se këto probleme që ai parashtroi do të përfshihen në planin qeverisës të PD-së dhe do të aplikohen kur kjo forcë politike të vijë në pushtet./ProBiznesit

Share: