Home KRYESORE Ramushi, taksa dhe të tjerët! Nga Arian Galdini

Ramushi, taksa dhe të tjerët! Nga Arian Galdini

Të shohësh qartë e veprosh drejtë kur askush nuk kupton më asgjë, kërkon mençuri të pamatë por edhe kurajo pakufij.

Aktet e liderëve që bëjnë histori, ndyshojnë thelbësisht nga ato të politikanëve që vjedhin histori.
Politikani që vjedh histori, bëhet pjesë dhe aktor lojërash dhe skenarësh.
Lideri që bën histori, bëhet mbrojtës i vendosur parimesh dhe vlerash.
Politikani që vjedh histori, zbaron veç skenarë e paguhet apo paguan për përmbushjen e tyre.
Lideri që bën histori, ecën përpara mes të papritura dhe mer vendime të forta atëhera kur mjegulla është më e dendur e humnera krejt pranë.
Politikani që vjedh histori nuk ka miq, por veç skenaristë, regjizorë, producentë dhe kastën e aktorëve të përzgjedhur që të luajnë pjesën së bashku.
Lideri që bën histori ka miq dhe partnerë besnikë.
Të thëna të gjitha këto, po them pse Ramush Haradinaj është Lideri që po bën histori në Kosovë.
Sepse Ramush Haradinaj ka marë një vendim strategjikisht të mençur ndonëse me rrezikshmëri e kundërshti të lartë kur ka vendosur taksën 100% për produktet nga Serbia.
Që e gjithë bota do ti dilte kundër, kjo dihej.
Ama askush nuk mund të thotë se taksa nuk e ndryshoi thelbësisht frekuencën e qëndrimeve ndërkombëtare dhe këtu brenda nesh, mbi kuptimin dhe arsyet e Dialogut Kosovë – Serbi.
Pikërisht, në një kohë kur Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, e riktheu Dialogun në vitin zero dhe sikurse e thotë krejt saktë ish – Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati, në pothuajse akt suksedimi të Serbisë ndaj Kosovës, ndërhyrja e Kryeministrit Haradinaj me vendosjen e taksës, e ngriu skenarin e “shkëmbimit të kufijve”.
Arritja e parë ishte ndalja faktike e vetë Dialogut.
Presidenti Vuçiç mori vendim që Dialogu të mos vijojë  më me Presidentin Thaçi, derisa të hiqet taksa.
Sigurisht, i gjithë Komuniteti Ndërkombëtar u befasua dhe shqetësua nga efekti ngrirës ndaj Dialogut që pati taksa.
Kështu që të gjithë duke patur prioritet Dialogun, vendosën të godasin dhe trysnojnë Kryeministrin Haradinaj.
Të gjithë. BE dhe SHBA, partnerët tanë kryesorë, nuk ia kanë kursyer e as do tia ndalin gjëmimet e kritikave e goditjeve Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.
Gjithçka duhet të bëjë Ramushi është të vijojë të qëndrojë e rezistojë fort në qëndrimin e tij për taksën, derisa mjegulla të shpërndahet e qartësia të vijë, e ndërkombëtarët të rikuptojnë çka dikush ua ka humbur nga pamja se Dialogu nuk po bëhet për Suksedim por për njohje reciproke dhe bashkëpunim ekonomik, kulturor, politik, institucional, ndërshtetëror për një paqe të qëndrueshme dhe integrim europian.
Ka gjithmonë momente kaosi, kur karriera politikanësh e nevoja e tyre për suksese momentale, nxit mjegull të madhe e mund të shkaktojë edhe dëme të mëdha e të pariparueshme.
Psh, nëse znj. Mogherini dhe z. Hahn duan që deri në fund të mandatit të tyre të kenë një sukses të dukshëm, pra një marrëveshje historike Kosovë – Serbi, kjo nuk mund të bëhet ushqim për mendje e axhenda meskine politikanësh vendas, që janë të gatshëm të japin çdo dhuratë me kusht që këta të mbeten në pushtet.
E njëjta gjë vlen edhe për z. John Bolton atje në DC.
Nëse ky zotëri, lobon fort nga Shtëpia e Bardhë deri tek Ambasada e SHBA në Kosovë që të ketë një marrëveshje sipas agjendës Mogherini, kjo nuk do të thotë se ne duhet tia dhurojmë atij këtë kënaqësi.
Ky zotëria është proserb i njohur e i deklaruar dhe mbi të gjitha është kalimtar në atë detyrë të lartë që ka pranë Presidentit të SHBA.
Por Kosova nuk është kalimtare.
Asnjë pëllëmbë tokë e Kosovës, nuk është kalimtare.
Kosova e ka fituar Lirinë në 1999 dhe Pavarësinë në 2008, faleminderit SHBA, NATO dhe BE.
Nuk ka asnjë arsye që Kosova të kërkojë suksedim nga Serbia në 2019, për hatër të Mogherinit, Hahn dhe John Bolton.
Le ti respektojmë këta njerëz të nderuar për detyrat e larta që kanë, por edhe tu tregojmë se Kosova nuk vlen sa dekoratat që ata synojnë.
Qëndrimet zyrtare të BE dhe SHBA, asnjëherë nuk kanë qenë pro shkëmbimit të territoreve.
Mogherini, Hahn dhe John Bolton, si zyrtarë të BE dhe SHBA kanë folur për një parapalqim të tyre ndaj kësaj teze.
Kancelarja Merkel ka qenë vendosmërisht e prerë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve.
Edhe Sekretari i Shtetit Pompeo dhe Ambasadori i SHBA në Kosovë z.Kosnet, kanë deklaruar disa herë se SHBA nuk ka ndryshuar qëndrim në raport me Kosovën, e se SHBA mbështet një marrëveshje Kosovë – Serbi, por jo çdo lloj marrëveshjeje.
Mjegulla e madhe që ka shkaktuar qëndrimi i Mogherinit, Hahn dhe John Boltonit do të fashitet shumë shpejt.
Shkëmbim kufijsh nuk do të ketë.
Trysnia ndaj Ramushit, kundër taksës 100% për produktet serbe, do të vijë e bëhet më e ashpër derisa të fashitet e gjitha pas pak javësh.
Ramushi duhet të rezistojë derisa të gjithë ta kuptojnë se taksa nuk është kundër Dialogut e as kundër Marrëveshjes, por është kundër suksedimit.
Do ta kuptojnë.
BE dhe SHBA do të flasin qartë pro një marrëveshjeje historike Kosovë – Serbi për njohje reciproke dhe bashkëpunim, por jo të lejojnë ca politikanë batakçinj që të vjedhin historinë duke shkëmbyer territore.
Ramushi dhe të gjithë ne jemi pro dialogut dhe pro një marrëveshjeje historike Kosovë – Serbi.
Taksa vetëm po ndihmon që të shuhet mjegulla e krijuar e të rikuptohet thelbi dhe motivi i vërtetë i dialogut dhe marrëveshjes.
Share: