Home KRYESORE Sa e bukur je, Klara! Nga Alma Lleshi

Sa e bukur je, Klara! Nga Alma Lleshi

Një e thënë krejt spontane, e përsëritur nga dëshira për tu dëgjuar edhe disa herë.

E sinqerisht, unë nuk e mbaj mend çfarë kisha thënë më parë… por çfarë më pas mu kërkua ta ri-thërrisja, ishte kjo,

‘Sa e bukur je, Klara!’

Në rifestimin për të kujtuar ardhjen tënde në këtë realitet, jo dhe aq të bukur në fakt, kjo thënia ime u bë si prolog i asaj që kish filluar hershëm, si surprizë e vërtetë.

U gjenda në festë, sipas mënyrës sime, me ato 100 hezitimet e ekzistencës, që më ngecin tek mosbesimi, e çdo sekondë i kundërvihet me nxitim tjetrës -‘Të shkoj’ apo ‘Të MOS shkoj’.

Çfarë çështje koti, kjo s’është as çështje, po veç një dyzim abstrakt i të jetuarit brenda një ‘gaforreje’ tipike.

Me ditelindjen tënde o Klara, ia dola, atë sekondën e fundit e çorra MOS _in me thonj dhe erdha.

Dhe dilemat filluan të binin një e nga një, kur sapo preka gëzim në atë telajo krijuar për ty, dhe larmia e brezave të ngjyrosur që nga feminia jote mu perplas mbi ndjenjë, si mëndafsh.

Njerëz të panjohur për mua, por të ngecur nëpër vite, pjesë e asaj që të bëri kohe pas kohe, ty, një femër!

E si mos te jesh kaq e bukur, Klara!

Kur, une pjesë e tryezës së rrumbullt me miqësi të pafundme, s’ndihesha fare kalorëse por ushtare e nënshtruar e mirënjohjes dhe dashurive që të silleshin rreth…

Të qenit ti, një femër që merr kaq shumë sa edhe jep, është dhunti dhe dhuratë që nuk e zgjedh, por të falet, si dëshira për të pasur gjithmonë atë që meriton.

E duke u sjellë rreth urimeve për ty, më kujtoheshin emra femrash të njohura me fytyrën engjëll dhe vrerin e fjalës apo syrin e vrerosur po aq sa shpirtin. Femra të politikës që duke u shtyrë përtej, mbytën hormonet dhe me gërmat e zhbëra shkruan urrejtje.

Prandaj Klara, e piva dhe unë gotën që kisha pritur, me një urim të shkruar brenda që s’ngjan fare si përmbyllje, por rilindje…

dhe për aq e bukur sa je… të të ngjanin të gjitha ngapak ty!

Share: