Home KRYESORE Shefja e kabinetit Rama, çfarë del në përgjimet e publikuara nga VOA

Shefja e kabinetit Rama, çfarë del në përgjimet e publikuara nga VOA

Zëri i Amerikës ka publikuar dje pjesë nga hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko.

Disa përgjime, ekspozojnë ndërhyrje për punësime nga zyrtarë lokalë, deputetë dhe në një rast, edhe nga shefja e kabinetit të kryeministrit Edi Rama.

Më 30 prill 2018, drejtori në atë kohë, Arben Çuko, mori një telefonatë nga kabineti i kryeministrit Edi Rama. Biseda bëhej me porosi të drejtoreshës së kabinetit, Vali Bizhga dhe kishte në fokus punësimin e një vajze.

Çuko, i cili ndodhej nën përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kuadër të operacionit “VOL-VO 4” si i dyshuar për korrupsion me transferimet e të dënuarve, pohon në bisedë se e kishte firmosur punësimin më herët atë ditë.

“Fola me zonjën Bizhga para gjysmë ore dhe i thashë se u fut Vitjona në punë”, citohet të pohojë ai në transkriptin e zbardhur.

Kush del në përgjimet e publikuara nga VOA

Të dhënat e siguruara nga “Zëri i Amerikës”, përmes një duzine përgjimesh dhe mesazhesh të shkëmbyera, tregojnë se telefonata të ngjashme mbi punësimet apo transferimet e punonjësve në sistemin e burgjeve ishin pjesë e rutinës së përditshme të punës së ish-drejtorit Arben Çuko.

Zyrtarë lokalë, deputetë dhe të zgjedhur vendorë, janë përgjuar ndërsa shkëmbenin trafik influence dhe kërkonin favore për punësime, apo transferime brenda sistemit te burgjeve, nisur nga lidhjet personale.

Përgjimet ekspozojnë gjithashtu se si një konkurs për rekrutime masive në Policinë e Burgjeve u kthye në një fushatë punësimi për njerëz të lidhur me politikanë dhe zyrtarë, një fenomen ky i përhapur në administratën publike në Shqipëri edhe përpara qeverisjes Rama, por që me sa duket vijon.

Arben Çuko, një ish-komandant i Gardës së Republikës dhe ish-deputet i Partisë Socialiste, u ngjit në krye të Burgjeve në korrik të vitit 2017, por vetëm disa muaj më pas u përfshi në hetimet e Prokurorisë, për shkak të komunikimeve të tij telefonike me anëtarët e një grupi kriminal të Shijakut, për transferimin e një të dënuari.

Ai u shkarkua nga detyra pa mbushur ende vitin dhe në tetor 2018 u arrestua për korrupsion nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Çuko i ka mohuar akuzat dhe ndodhet aktualisht në arrest shtëpie.

Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmoi se procedurat e punësimeve në Burgje janë në proces hetimi.

Rasti i Vitjonës dhe reagimi i Bizhgës

Drejtoresha e kabinetit të kryeministrit, Vali Bizhga pranoi bisedën e përgjuar telefonike gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, ndërsa shpjegoi se kishte ndërmjetësuar për rastin pas një kërkese për ndihmë nga motrat e Nënë Terezës.

Thëniet e saj u konfirmuan edhe nga Motër Tereza Maria, e misionit me qendër në Tiranë, e cila pohoi se i kishte transmetuar Bizhgës një kërkesë për ndihmë gjatë një takimi në Kryeministri, të cilin e quajti privat.

Gjatë takimit, motrat e “Nënë Terezës” kishin kërkuar ndihmë për një grup prej rreth 15 të rinjsh të sapodiplomuar nga familjet vulnerabël, të cilët e kishin pasur të pamundur të gjenin punë. Bizhga shtoi se ishte ndjerë keq gjatë takimit dhe CV-të e të rinjve ia kishte përcjellë Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

E pranishme në takim ishte edhe Vitiona Dervishaj, një vajzë rreth të 30-ave e diplomuar për juridik, e cila ishte e vetmja që insistonte për punë në shtet.

“Arsyeja lidhej me babanë e saj, i cili kishte qenë punonjës i Burgjeve dhe kishte humbur jetën në aksident. Gjatë ceremonisë mortore, shokët e të atit i kishin premtuar asaj vendin e tij në burgun e Fushë-Krujës,” tha znj.Bizhga.

Ajo shtoi se nga janari në fund të prillit ishte pritur që të krijohej mundësia për konkurs dhe se telefonata nga zyra e saj ishte bërë pas insistimit të vazhdueshëm të motrave të Nënë Terezës. “Ajo nuk është pranuar në punë pa konkurs dhe zotit Çuko nuk i është thënë që do ta fusësh në punë. Është e vërtetë që ajo është aksesuar në konkurs, por ftesa për konkurs u drejtohet të gjithëve,” tha Bizhga për “Zërin e Amerikës”.

E pyetur nëse ajo ia kishte dalë të fitonte konkursin, Bizhga tha se nuk e kishte ndjekur çështjen në detaje. “Unë nuk di të them nëse kishte një kandidat më të zotin se Vitiona për atë punë. Këtë unë nuk di ta them”, shtoi ajo.

E kontaktuar përmes telefonit, motër Tereza Maria e misionit të “Motrave të Nënë Terezës” në Tiranë konfirmoi takimin në kryeministri dhe tha se kishte shkuar atje në mirëbesim, për të qarë një hall.

“Takimi ka qenë privat dhe unë kam kërkuar ndihmë për një grup të rinjsh që nuk kishin asnjë mundësi punësimi. E vetmja për të cilën u bë diçka ishte Vitiona, por edhe ajo nuk u rregullua në profilin e saj, por si arkiviste,” tha Motër Tereza Maria.

“Të tjerët i lanë nëpër zyrat e punës, derisa e kuptuan se janë tallur te zyrat e punës dhe janë tërhequr,” shtoi e zhgënjyer ajo.

Çfarë thotë Çuko për konkurset

Episodet e dosjes së zotit Çuko nuk janë të parat në sistemin e Burgjeve dhe as në administratën publike në tërësi. Në qershor 2017, pak para zgjedhjeve të përgjithshme, Ministria e Drejtësisë denoncoi funksionarë të LSI-së në Shkodër për punësime fiktive në burgun ende të papërfunduar në atë kohë të Reçit. Ndërsa në mars të vitit 2018, Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil i dorëzoi Kuvendit një raport, sipas së cilit 1/3 e punësimeve në administratë bëhen me urdhër titullari dhe jashtë procedurave të ligjit.

Sistemi i burgjeve në Shqipëri përbëhet nga 23 institucione të vuajtjes së dënimit dhe numëron një numër të konsiderueshëm punonjësish, si në radhët e policisë ashtu edhe në administratë.

Një konkurs për policë të rolit bazë u shpall në fund të marsit të kaluar dhe synonte të rekrutonte mbi 250 punonjës për 17 institucione të vuajtjes së dënimit në Shqipëri. Testimi u krye më 3 prill dhe thirrjes iu përgjigjën mbi 1300 kandidatë.

Por ish-drejtori Çuko ankohej në mesin e muajit prill se fituesit ishin bllokuar nga kryeministri dhe se të gjithë kandidatët u përkisnin listave partiake. “O Gerti, gjithçka është e bllokuar nga kryeministri dhe nuk e di kur do të zhbllokohen”, thoshte Çuko më 14 prill. “Unë pres që nesër pasnesër të më thotë sa veta do fusësh nga 1 te 250. Unë s’e di ç’do të thotë ai tani”, shtohet aty.

Përgjimet nxjerrin gjithashtu në pah manovrat e kryera me testimet, sipas Çukos.

“Do bëjmë dhe procedurën gjasme fitoi kjo, humbën këta të tjerët. Më kanë ardhur 217 veta, gjasme me konkursin e famshëm publik,”thotë ai në një nga përgjigmet e publikuara nga VOA.

Apeli i VOA për kryeministrin

VOA e ka mbyllur kronikën e mbrëmshme me një apel:

“Reforma në administratën publike është gjithashtu një ndër kushtet kryesore për integrim në BE, e cila në progres raportin e fundit kërkoi hapa të mëtejshëm në sigurimin e një administrate eficente, të depolitizuar dhe profesionale.

Administrata jo-politike është gjithashtu një premtim i përsëritur i kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë fushatës elektorale të vitit 2017 fajësoi aleatin e vogël LSI për punësime politike dhe deklaroi se do ta çonte “tepsinë për skrap”.

Të dhënat e siguruara nga “Zëri i Amerikës” përmes bisedave dhe mesazheve të përgjuara të Çukos tregojnë se mbajtja e këtij premtimi minohet gjerësisht nga ndërhyrjet e zyrtarëve të të gjitha niveleve” – shkruan Zëri i Amerikës./Dita.al

Share: