Home KRYESORE Shifra alarmante, Trafikimi me njerëz dhe shfrytëzimi i tyre

Shifra alarmante, Trafikimi me njerëz dhe shfrytëzimi i tyre

Gati 60 % e viktimave të trafikimit me njerëz shfrytëzohen për qëllime seksuale, thuhet në një raport të OKB. Shumica prej tyre janë femra, por ka shenja për optimizëm.

Kombet e Bashkuara raportojnë për gjithnjë e më shumë raste të trafikimit me qenie njerëzore. Në raportin e Zyrës së OKB për Luftimin e Drogës dhe Krimeve në Vjenë (UNODC), thuhet se në vitin 2016 janë regjistruar 25.000 viktima të trafikimit, që është dukshëm më shumë se një vit më parë.

Por OKB paralajmëron se numri është rritur edhe si pasojë e hulumtimeve më të mira të rasteve të trafikimit në disa rajone të botës. Krahasimet e të dhënave nga 45 vende të ndryshme, që publikojnë të dhënat për trafikime me njerëz, dëshmojnë një rritje prej 39% të rasteve, krahasuar me vitin 2011.

Format e trafikimit me njerëz

Si trafikim me njerëz në Protokollin e OKB quhet: “Rekrutimi, transportimi, transferimi, akomodimi ose pritja e personave (…) me qëllim shfrytëzimi”. Kjo ndodhë në të shumtën e rasteve përmes “kërcënimeve, përdorimit të dhunës apo formave të tjera të detyrimit përmes rrëmbimit, mashtrimit, keqpërdorimit të pushtetit ndaj një personi dhe keqpërdorimit të njerëzve në rastet e pashpresë”.

Shumica e viktimave të trafikimit me njerëz – rreth 60% – keqpërdoren seksualisht. Në veçanti në Amerikë, Evropë dhe Azinë Jugore dominon kjo formë e shfrytëzimit. Një e treta e viktimave, siç thuhet në raport, detyrohet të punojë. Kjo formë e shfrytëzimit është regjistruar në veçanti në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Një formë tjetër e trafikimit me njerëz është edhe detyrimi i tyre që të dalin në rrugë dhe të lypin para, por edhe trafikimi me qëllim marrjen e organeve. Dy përqind e viktimave shfrytëzohen njëkohësisht në disa forma të ndryshme .

Kush janë viktimat?

Numri më i madh i viktimave janë gra (49 %) dhe vajza (23 %). Shumica dërmuese prej tyre keqpërdoret për qëllime seksuale. Meshkujt e rrëmbyer përdoren kryesisht për punë të detyrueshme. Sipas të dhënave të UNICEF-it, rreth 28% e viktimave janë fëmijë. Shkaqet më të shpeshta për trafikim janë varfëria dhe të jetuarit si refugjat.

A ka përparime?

“Gati çdo vend ka ndërkohë një rregullim ligjor për luftën e trafikimit me njerëz”, thuhet në raportin e OKB. Por në disa rajone, shumë persona që merren me këtë lloj trafikimi nuk dënohen me burg. Autorët e studimit thonë se në vendet e Afrikës në jug të Saharasë ka shumë nevojë për veprim dhe përmirësim ligjor në luftën kundër trafikimit.

Zyra federale për luftën kundër krimininalitetit (BKA) njofton se numri i viktimave të trafikimit është rritur edhe në Gjermani. BKA ka kumtuar në gusht të vitit të kaluar, se gjatë vitit 2017 në Gjemani janë regjistruar 671 raste të shfrytëzimit seksual të njerëzve. Ndërsa në rastet e lupësve në rrugë dhe njerëzve që detyrohen të punojnë, numri është rritur për 25 %, krahasuar me një vit më parë. OKB kërkon nga bashkësia ndërkombëtare një angazhim edhe më të fuqishëm kundër trafikimit me njerëz në të gjitha shoqëritë. Për këtë luftim i nevojshëm është edhe një koordinim dhe bashkëpunim më i mirë mes të gjitha vendeve./DW

Share: