Home KRYESORE Sondazhi i KE: Shtëpitë e shqiptarëve pa kushtet optimale e me lagështirë

Sondazhi i KE: Shtëpitë e shqiptarëve pa kushtet optimale e me lagështirë

Edhe pse shqiptarët, në krahasim me europianët, renditen ndër qytetarët e vendeve me përqindjen më të lartë për sa i përket pronësisë së shtëpive të tyre, sipas Anketës së Cilësisë së Jetës të zhvilluar nga Komisioni Europian ata kanë problemet më të mëdha për sa i përket kushteve optimale që duhet të ofrojë një banesë si hapësira e mjaftueshëm, mungesë të tualeteve me ujë të rrjedhshëm, dusheve, apo të shtëpive me lagështirë dhe pa ngrohje…

Sipas “Monitor” nga anketa rezulton se Shqipëria mban vendin e parë për mungesën e cilësisë së dyerve, dritareve dhe dyshemesë, ku sipas të pyeturve rreth 23% janë shprehur se i kanë të vjetra.

Të anketuarit, në Shqipëri janë shprehur se kanë vetëm 2 dhoma, numri më i ulët i vendeve të Bashkimit Europian dhe kandidateve për t’iu anëtarësuar. Gjithashtu rreth 40% e të anketuarve në Shqipëri janë përgjigjur se kanë lagështire apo rrjedhje të ujit.

Rreth 12% e të pyeturve janë përgjigjur gjithashtu që kanë mungesë të tualetit me ujë të rrjedhshëm, ndërkohë që Malin e Zi vetëm 3% e të pyeturve kanë pohuar se kanë mungesë të tij, 4% në Serbi dhe 7% në Maqedoni.

Shqiptarët kanë gjithashtu vështirësi edhe për ti ngrohur apo për ti mbajtur në temperatura optimale shtëpitë e tyre. Rreth 26% e të anketuarve në Shqipëri janë përgjigjur se nuk kanë mundësi që të ngrohin shtëpitë, ndërkohë që përqindja e të anketuarve në vendet e rajonit luhatet nga 6-16%.

Komisioni Europian ka zhvilluar Anketën e Cilësisë së Jetës në vendet e Bashkimit Europian dhe në vendet kandidate për tu anëtarësuar. Në secilin shtetet është marrë një kampion përfaqësues, ku të anketuarit janë pyetur mbi fusha të caktuara të mirëqenies./E.M/opinion.al

Share: