Home KRYESORE Djegia e mandateve dhe përfitimet që ka një deputet

Djegia e mandateve dhe përfitimet që ka një deputet

Nëse do të ndodhte, do të ishte një precedent në politikën shqiptare. Lulzim Basha tha se do t’i propozojë grupit parlamentar të PD-së djegien e mandateve të deputetëve.  Këtë vendim të tij, kreu demokrat e deklaroi gjatë një daljeje para mediave në selinë blu një ditë pas protestës kundër qeverisë. Basha përsëriti qëndrimin për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume ka thënë për mediat se deputeti mund të heq dorë nga mandati kur dëshiron, por sipas tij një fakt i tillë nuk e pengon Kuvendin që të funksionojë, pasi shumica ka mbi 71 deputetë dhe mund të miratojë ligje me shumicë të thjeshtë.  Megjithatë, thotë ai, pavarësisht nga ana juridike parlamenti mund të funksionojë, krijohet një ngërç politik.

Ky veprim shpie drejt një ngërci të madh politik, nga largimi i opozitës nga Kuvendi. Është një situatë që do të kërkojë reflektim të shumicës për të gjetur zgjidhje, të tipit radikal, që mund të bëjë opozita duke u larguar nga Kuvendi. Se si mund të realizohen zgjedhjet, a do i lihet kohë për kuadrin ligjor apo për kodin, do të jetë pjesë e asaj që do të bëjnë forcat politike”, thotë zoti Kume.

Sipas Kodit Zgjedhor, në rastin e tërheqjes së deputetit, Kuvendi i Shqipërisë njofton KQZ-në për zëvendësimin e vakancës. Në nenin 71 të Kushtetutës përcaktohet se kur një deputet merr mandatin e deputetit dhe kur është i pavlefshëm. Në pikën B të këtij neni përcaktohet edhe dorëzimi me dëshirë i mandatit nga ana e deputetit.

Por, pavarësisht vendimit që mund të marrë opozita vlen të përmendim dhe çfarë përfitimesh ka të jesh deputet i Republikës së Shqipërisë.

Disa nga përfitimet

 Deputeti i Kuvendit gëzon status të veçantë gjatë periudhës së ushtrimit të mandatit të deputetit, status që buron nga Kushtetuta dhe nga ligjet.

 Me status të deputetit kuptohet pozicioni që ka ai në marrëdhëniet juridike, në marrëdhëniet me organet administrative shtetërore dhe organet e qeverisjes vendore, si dhe të drejtat dhe detyrimet financiare dhe protokollare.

Në klasifikim paga e deputetit vjen menjëherë pas pagës së ministrit.

 Paga e deputetit përbëhet nga paga për pjesëmarrjen e tij në seancë, në komisione dhe në veprimtari të tjera parlamentare. Gjithashtu, ai gëzon të drejtën e shpërblimit për pjesëmarje në komisione, si drejtues i Komisionit apo si drejtues i grupit parlamentar.

Deputeti që nuk banon në qytetin e Tiranës përfiton dieta gjatë kohës që merr pjesë në mbledhjet e Kuvendit, të komisioneve e mbledhjet e grupit parlamentar, ndërsa deputetët që banojnë në Tiranë përfitojnë dieta për ditët e shërbimit jashtë Tiranës.

Deputeti që shkon me shërbim jashtë shtetit nga Kuvendi përfiton dietë ditore, sipas akteve të miratuara nga Kuvendi. Në rastet kur ai caktohet të marrë pjesë në delegacionet qeveritare ose të institucioneve të tjera, shpenzimet mbulohen nga institucioni që e ka ftuar, duke përfituar dietën sipas akteve të miratuara nga Këshilli i Ministrave.

Deputetit i njihet e drejta e lejes vjetore të zakonshme. Me leje të zakonshme do të kuptohet periudha ndërmjet dy sesioneve të punimeve të Kuvendit, e cila duhet të jetë jo me pak së 30 ditë.

Deputetit dhe bashkëshortes (bashkëshortit) të tij/saj u njihet e drejta e pajisjes me pasaportë diplomatike gjatë kohës së kryerjes së mandatit, si dhe 3 vjet pas mbarimit të tij.

Deputetit i lejohet që vetëm në një rast gjatë mandatit të tij të mos paguaj detyrim doganor për mjetet e punës, që lidhen me veprimtarinë e tij si deputet.

Deputeti pajiset me shërbim telefonik. Vlefta e shpenzimeve për shërbimet e telekomunikacionit përcaktohet me vendim të Kuvendit.

Për sëmundjet që shfaqen gjatë ushtrimit të detyrës dhe kur personeli shëndetësor vlerëson trajtimin e tyre të specializuar, deputeti mund të dërgohet për kurim jashtë shtetit. Fondet për këtë qëllim sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë.

 Deputeti përfiton me përparësi të drejtën e strehimit ose i jepet kredi afatgjatë nga organet shtetërore përkatëse./opinion.al

Share: