Home KRYESORE Kujt t’ i urohet pavarësia? Nga Lis Bukuroca

Kujt t’ i urohet pavarësia? Nga Lis Bukuroca

Kremtimi i pavarësisë nga ata, që e kanë dëmtuar, qoftë me punësimin e njerëzve të paaftë, qoftë me korrupsion, qoftë me pasurimin e vetvetes, i ngjan një burri me shumë komplekse, që shpërfill apo keqtrajton gruan 365 ditë në vit, por me 8 Mars, shfaqet me lule në shtëpi!

Urime pra pavarësia Akademisë me akademikë pa vepra, profesorëve me tituj të vjedhur, mësuesve pedofilë, policëve pedofilë, priftit pedofilë, hoxhës që nuk varros pa u shitur viçi, kriminelëve, kravatave dhe rrogave, prokurorëve, që nuk ngrenë akuza, gjykatësve, që lirojnë kriminelë, nëpunësve të korruptuar dhe atyre që shkelin ligjet e vendit, sepse ata janë vërtetë të pavarur dhe kanë kuptuar pavarësinë si autonomi vetjake, si grazhd të vetin, ku mund të shërbehen siç u pëlqen apo si ndjejnë ata nevojë! Urime edhe atyre 85 politikanëve që kanë pasur fytyrë dhe burrëri të bëhen ministra e zëvendës!

Juve që Kosovës i keni dhuruar, por që nuk i keni marrë asgjë, urime dhe ngushëllime njëkohësisht. Urime për kontributin tuja, për vuajtjet tuaja të djeshme dhe të sotshme dhe ngushëllime për zhgënjimin, për mënyrën si u ndërtua shteti: si u degradua arsimi, identiteti, gjuha, historia, normat morale dhe shpresat! Urime dhe ngushëllime juve, sepse u flijuat apo kontribuuat për një Kosovë të pavarur, por prodhuam individë të pavarur, që nuk ndjejnë asnjë obligim ndaj ligjeve, që i votojnë dhe si pasojë, rinia ka gati një synim kolektiv për ta braktisur vendin, siç ishte kolektive edhe dëshira jonë, për ta pavarësuar atë, ku ata duhej sot të mbeteshin!

Sidoqoftë, të shtiremi tutje se e duam Kosovën, se e kemi në zemër dhe me 18 Shkurt, le të vazhdohet me vjedhjen dhe dobësimin e pavarësisë së Kosovës, siç ishte deri më 16 Shkurt. Në vitin 2020, me 17 Shkurt, takohemi përsëri për të uruar dy grupet: grupin e parë për kënaqësinë dhe pavarësinë e fituar për të pasuruar vetveten pa pasur frikë nga gjykata dhe të dytin, pavarësinë për të ikur sa më shpejtë nga Kosova!

Pra, urime dhe ngushëllime! Urime për çlirimin nga pushtimi serb, por ngushëllime për njerëzit e papërgjegjshëm, që ke në krye të vendit!

Hipokrizia e ngritur në normë morale sublime, kërkon t’i bashkëngjitkemi histerisë së dëfrimit të atyre, të cilët kanë arsye të krenohen me ngritjen e vetvetes në qiell, por apatikë dhe makiavelistë, që kanë përplasur popullin përtokë! Prandaj, urime dhe ngushëllime! Ngushëllime sepse sot mungoi protesta dhe shprehja e pakënaqësisë me kleptokracinë!

Share: