Home KRYESORE Popull qokali i madh shqiptarët…! 🤔

Popull qokali i madh shqiptarët…! 🤔

Nga Adela Kolea

Gjyshja ime ka pasur një “defter” siç e quante ajo vetë, ku shënonte emrat dhe qokat e personave, ndaj të cilëve kishte si detyrim t’ua kthente qokën sipas rastit.

Por, këto “qokat e dhuratave të 7 Marsit për mësueset”, mendova se kanë marrë fund në Shqipëri dhe që sot kufizoheshin të paktën me një lule.

Ama, nuk qenka fatkeqësisht kështu!
Të shohësh në 2019-ën, fëmijë që shkojnë në shkollë me zarfe me lekë në dorë për mësueset dhe me dhurata materiale nga më të ndryshmet brenda në çantën e shkollës bashkë me librat, është absurde, e trishtë, prapambetje alarmuese!

Një regres i paparë:

Nuk guxoj të imagjinoj skenën atë mëngjes në një klasë, kur katedra e mësueses shndërrohet në një “tezgë pazari”, ku as lulet nuk përfillen dhe mbizotërojnë dhuratat materiale për një figurë edukative si mësuesja. Mbetet vetëm që fëmijët të jenë në kompeticion mes tyre se cili ka bërë dhuratën më të kushtueshme.

Këtu fillon zanafilla e një shoqërie e një sistemi materialist e të korruptuar, komplet jo edukues për fëmijët dhe nxitës i korrupsionit…

Fëmija atje, që në këtë moshë – në ciklin e ulët shkollor – nxitet nga familja paraprakisht dhe mësuesit, që të kthehet në një “instrument” në duart e mekanizmit të korrupsionit…

Natyrisht që kjo do të ndikojë edhe në vlerësimin me nota të nxënësit:
Mësuesi ndihet “i blerë” dhe i detyruar të shpërblejë me notë ndaj nxënësit, qokën që i është bërë.

Madje, në proporcjon të drejtë e në një qark vicioz: sa më e kushtueshme dhurata, aq më i lartë vlerësimi me notë!
E po flasim për ciklin e ulët, pa guxuar për më lart…

As mos të mundohen të bëjnë komentime patetike:

“8 Marsi nuk festohet por, protestohet…!”, kur ende “festojnë” 7 Marsin në këtë formë…

I bie që të protestohet edhe për 7 Marsin: për mënyrën e festimit, pa shkuar në polemikat e “pse”-në e datës 7 Mars si “Ditë e Mësuesit”në vetvete.

Mësuesit vetë dhe drejtoritë e shkollave duhet që kategorikisht t’i ndalojnë këto pazare!

Ditën e Mësuesit fëmijët mund të dhurojnë vetëm një lule, gjithnjë nëse e ndiejnë këtë si dëshirë e jo detyrim madje.

Asgjë më tepër!

Share: