Home I pakategorizuar Si qytetar shqiptar! Nga Kasem Seferi

Si qytetar shqiptar! Nga Kasem Seferi

Që prej asaj kohe që kam njohuritë e duhura mbi origjinën, trashëgiminë dhe historinë e vendit tim, jam përpjekur dhe po përpiqem t’i jap këtyre përkufizimeve punën, mundin, dhe gjithçka jep një qënie njerëzore që e do dhe është e gatshme për t’u sakrifikuar dhe jo vetëm kaq.

Mbi të gjitha, sot, më ngacmoi Zoti i Nderuar Zaev, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, në konferencën për shtyp dhënë në Pallatin e Brigadave (P.S. Shikoni ironinë që ende vazhdon në vend që të thuhet në Pallatin Mbretëror të Mbretit Zog I).

“Mos bëni si bëra unë, po bëni si them unë”! – ishte “këshilla” e Zotit Zaev, të cilën pa dashur ta ofendoj e përktheva “Kalova lumin të dhjefsha kalin”!

Nuk e kritikoj aspak për këtë që tha për arsye se e përmban detyra dhe etika diplomatike e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë që nuk mund t’i kritikoj as edhe një … qime europiane.

Nga filmi artistik “Ballë për ballë” më ka ngelur në mendje një thënie e së madhes Lola Gjoka “lajmet venë e vijnë”.

Shefi i madh i SHISH në Komisionin e Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë deklaroi për përpjekjet e Rusisë për të korruptuar punonjës të administratës së lartë dhe jo vetëm në një por në disa kanale televizive, u dhanë detaje me dokumente që prej kohës së Zotit Bahri Shaqiri dhe ministrave përkatës të mbrojtjes si Fatmir Mediu.

Në gazetën Dita Informacion, këto ditë Zoti Spartak Braho, ka akuzuar mediatikisht Zotin Sali Berisha, me vjehërr dhe vjehrrë si agjent të UDB – së.

Ka përdorur edhe emra të veçantë të punonjësve të Sigurimit të Shtetit, si Ali Anadolli që paskeshin pasur informacionin e duhur mbi veprimtarinë e Zotit Berisha si agjent i UDB – së e kësi gjërash me radhë që dalin në krye për të tërhequr vemendjen e opinionit publik nga hallet e vërteta që ka qytetari shqiptar.

Në fund të viteve 80 – të në qarkullim doli një vëllim me fjalë të urta të popullit shqiptar dhe ndër ato më ka ngelur në mendje, veçanërisht, një:

“Ndër dy të këqia, zgjedh më të voglën. Ndër dy të mëdha, zgjedh më të madhen.”.

Deri më tani si popull na është ofruar vetëm “Ndër dy të këqia, zgjedh më të voglën.”.

Historikisht, për arsye natyrore dhe gjeopolitike, na është ofruar vetëm thënia e mësipërme.

PËRSE?!

Në historinë publicistike të SHBA një vend të caktuar ka edhe Henry George, i cili, ndër të tjera, sidomos për teorinë e tatuarit, theksonte “Toka është e Zotit, njerëzit e kanë zaptuar atë.”.
E përmenda këtë thënie, për të përligjur atë që më poshtë dua ta përshkruaj për hir të intereave të vendit dhe si qytetar i këtij vendi.

Rivaliteti Perëndim – Lindje (i përshkruar me detaje në shkrimet e mia në Përqasje dhe më gjërë në median e shkruar), shfaqet dhe në kujtimet e Nikita Krushovit pas vizitës në Shqipëri. Po jap thjesht dhe qartë (pa shmangje) disa prej pëfundimeve të tij si më poshtë vijon:

 Shqipëria është një vend i varfër por jo i varfër për arsye të pasojave të Luftës së Dytë Botërore, por si rezultat i shtresimeve historike,
 Shqipëria ndodhet në një brryl të gjeografisë që lidh Azinë me Europën;
 Shqiptarët kanë shumë armiq.

Me fatin për të qenë këshilltar ekonomik i Presidentit Topi, kam marrë pjesë dhe kam përgatitur fjalët e tij në forumet ekonomike të Euroazisë (sehmenti gjeopolitik mesi i detit Adriatik – mesi detit Kaspik, ose më saktë ish zona dhe e hamendësuara zonë e ish – Luftës së Ftohtë), mund të deklaroj si individ me përgjegjësi personale, çfarë kam mësuar nga ato që kam studjuar dhe përjetuar se:

BOTA NUK KA NDRYSHUAR ASPAK QË PREJ KRIJIMIT TË SAJ!

NË QENDËR MBETET NJERIU ME NATYRËN E TIJ VETIAKE DHE KOMUNITARE QË PËRTHYHEN në shtyllat e mëposhtme:

 Maksimizimi i interesit;
 Minimizimi i kostove (humbjeve);
 Tregu rajonal/ndërkombëtar vendos balancimin;
 Forca të ndryshme ndërhyjnë në treg e përshkruar më lart;
 Shteti/shtetet duhet për të mos u prishur balanca

Të paditurve (nuk më pëlqen të them injorantët se kujtojnë se i shaj nga nëna) ju kujtoj se ZONJA E MADHE NAFTË DHE ZOTI I MADH GAZ, po bëhen ngjarje politike në Shqipëri.

Për të mençurit analistë, të të gjithë formave, me shumë respect dhe pa ironi, do të desha t’ju kujtoj vetëm një fakt:

PAS LUFTËS SË PARË BOTËRORE U SHPËRBËNË DISA PERANDORI!

Rendi botëror pësoi ndryshime që prej periudhës së ashtuquajtur “NAPOLEONIANE”!

E megjithatë, edhe pse ndryshimet në rendin botëror kanë pasur ngjyrime të reja, pesë shtyllat mësipërme mbeten në themel të jetës së çdo shoqërie njerëzore në globin tokësor me të vetmin ndryshim që mënyra e pushtetit politik të mos jetë e njëjtë.

Këtu, duke nisur prej vitit 1997 kur Fareed Zakaria titulloi regjimet jo tërësisht liberale demokratike si iliberale dhe pas shumë rastesh si në Rusi me Putinin, në Turqi me Erdoanin, në Venezuelë me …; në Kinë me …, në Korenë e Veriut me … dhe, më pranë me X dhe Y në Hungari dhe Poloni, të ngelet vetëm një gjë në mendje:

Demokraci e plotë sipas asaj perëndimore, apo demokraci “iliberale”, “jo e plotë”, “e ujit të turbulluar” dhe dreqi e di se çfarë do ta çojë një vend dhe një shoqëri në lulëzim (fjalë përkëdhelëse për qytetarin shqiptar kjo), është pyetja që kanë shtruar studjuesit në mbarë botën pas periudhës së presidencës Trump.

“Llafet” e ndikimit rus dhe prirja për t’ia veshur qyrkun e fajit opozitës dhe anasjelltas nuk kanë të bëjnë fare me problemet që ka qytetari shqiptar me qeverisjen dje, sot dhe MOS O ZOT NESËR!

KUSH KA GOJË FLET!

KUSH KA VESHË DËGJON!

KUSH KA SHPIRT NDJEN!

KUSH KA …

PRET … ZOTIN!

Kasem Seferi – ekonomist

Share: