Home KRYESORE Një grua për të gjitha… Nga Syrja Kurti

Një grua për të gjitha… Nga Syrja Kurti

Ajo bën gjëra që i quan të vogla
ajo bën gjëra që duken fare të thjeshta,
ashtu natyrshëm pa bujë,sikur një femijë luan me lodra, por që brenda tyre kanë dashurinë e madhe të një dhembshurie të ëmbël e si një fantazëm të bardhë fut aty shpirtin e të gjitha grave të vërteta
që të tregojnë rrugën për në ëndërr .

Brenda zërit të saj që dridhet dëgjon zëra të tjera që sjellin gjuhën e heshtjes së yjeve nga yjësitë e largëta ku nata ka fshehur çdo brengë të pathënëdhe dita ka lënë peng me fëshfërimë iluzionet si përgjërime të vjetra,
që pastaj ajo t’i mbledhë të gjitha brenda një buzëqeshje të drojtur për të fluturuar drejt qiellit që shpirtin të ndajë me hënën
atje ku erës i vjen të thërrasë emrin e saj në të gjitha honet duke u përdredhur spiralesh të lehta.

Brenda syve që i përflaken digjen të gjitha muzgjet e kur gjethet e vjeshtës lëkunden brenda shpirtit të një burri, ajo zgjat duart drejt trishtimit të tij që aq mirë e njeh me intuitën prej gruaje për ta flakur tej si një pelerinë të vjetër ushtarësh, e pastaj me buzët e shpirtit me botën të puthet
në një përqafim të çmendur shprese
ku buzëqeshja e saj ngjan me thesare të vjetra marinarësh.

Për të mos pasur brengën e një pellgu që nuk rrjedh shkoj pas saj si në një prehje të ëmbël ku fle pafundësia, dhe si monedhë në duar më ndizet një copë diell ndërsa diku larg dëgjohen hapat e një gruaje sa për të gjitha si një këngë e vjetër që fundoset përmallshëm në det.

S.K.

Share: