Home KRYESORE Edi! Përveç lëkurës së bananes, ke shkelur edhe …

Edi! Përveç lëkurës së bananes, ke shkelur edhe …

Nga Dr. Enriko Ceko

Veprimet e udhëheqësit nuk varen nga vendimet individuale, por vetëm dhe vetëm nga përgjegjësia e postit, që ai ka, por në fakt, në Shqipëri, drejtuesit në të tëra nivelet dhe kryesisht në nivelet e larta shtetërore, ndërmarrin veprime individuale, pa patur parasysh aspak se këto vendime ndikojnë mjaft keq në jetën politike, ekonomike, sociale, ligjore, kulturore, sportive, mjedisore, etj në vend dhe te të tërë qytetarët e këtij vendi.
Këtë dukuri e kanë vënë në dukje kohët e fundit në mënyrë mjaft të hapur edhe partnerët strategjikë të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Konkretisht, Departamentit i Shtetit i SHBA-ve, në raportin e vitit 2019 mbi Klimën e Investimeve në Shqipëri, thekson se “korrupsioni, presioni politik për kontraktorët, ndryshimi i shpeshtë dhe i pakonsultuar i ligjeve, kalimi i ligjeve klienteliste, etj kanë ndikuar për keq në ekonominë shqiptare.”

Gjithashtu në këtë raport theksohet se Shqipëria po përballet me problem të shumta për shkak të projekteve me partneritet public – privat dhe për shkak të shkeljes dhe mosrespektimit të së drejtës së pronës, pasi pronarët nuk marrin pronat e tyre të tjetërsuara nga regjimi komunist.

Këto janë vetëm disa nga arsyet se përse shumë prej investorëve amerikanë janë larguar nga Shqipëria, ndërsa një arsye tjetër e madhe është se qeveria Shqiptare miraton shpesh ligje të vështira në interpretim dhe se qeveria ndërhyn tek bizneset e huaja duke i detyruar që të ndërmarrin nënkontraktorë të caktuar të lidhur me qeverinë.

Pak a shumë edhe Brukseli ka artikuluar të njëjtat dukuri dhe ka shtuar se ekonomia shqiptare e ka shumë të vështirë që të integrohet në rajon dhe më gjerë, pasi produktet dhe shërbimet e ofruara nga subjektet private shqiptare e kanë shumë të vështirë që të konkurrojnë në një treg të hapur dhe të lirë. Gjithashtu BE thekson se ekonomia shqiptare ka një rritje ekonomike të ngadaltë, që nuk garanton përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.

Pra, duket se të tëra shigjetat janë drejtuar nga kryeministri i përkohëshëm, Edi Rama, që mesa duket ka shkelur me njërën këmbë lëkurën e bananes dhe po rrëshqet në mënyrë të pandalur drejt fundit të tij politik.

Nga ana tjetër, shigjetat e organizmave ndërkombëtare janë drejtuar edhe nga farsa e zgjedhjeve të datës 30 qershor 2019 për pushtetin vendor, që u cilësuan nga Fondacioni Konrad Adenauer si zgjedhje të qeta (për shkak të qytetarisë), por me një pjesëmarrje shumë të ulët (për shkak të indiferencës qytetare ndaj politikës aktuale dhe kandidimit pothuajse vetëm të të përzgjedhurve të një partie politike në pushtet, kryesuar nga Edi Rama).

Braktisja e Parlamentit nga ana e opozitës ishte shenja e parë e dukshme që zgjedhjet e radhës për pushtetin vendor nuk do ishin të mbara. Që prej asaj kohe në vend ka patur protesta të shumta me natyrë të ndryshme, për të kundërshtuar vendimet e nxituara të qeverisë si në pushtetin qendror ashtu dhe në atë vendor. Mesa duket lidhja midis krimit të organizuar me nivelet e larta të qeverisjes në të tëra pushtetet është aq e dukshme sa qytetarët protestojnë pothuajse për çdo vendim që publikohet. Kjo edhe për faktin se në mungesë të Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë mundësi reale për të balancuar vendimet me në të procedurave ligjore, duke vënë në lëvizje institucionet e pushtetit gjyqësor, një gjë fare e pazakontë për një vend të botës moderne.

Faktin e korrupsionit në nivele të larta e ka deklaruar së fundmi edhe Barometri Ballkanik i Korrupsionit, sipas të cilit korrupsioni në Shqipëri është 500 % më i lartë se në çdo vend tjetër të rajonit, duke e kthyer Shqipërinë në një dele të zezë. Korrupsioni mbetet evident në të tërë sektorët, me një shprehje të dukshme në shëndetsi, arsim, prokurime publike, koncesione, partneritetet publike – private, etj, theksohet në raport.
Kjo tregon se Edi Rama me këmbën tjetër ka shkelur diçka që mban erë shumë të keqe. Fakti që zyrtarët e lartë të Brukselit i qendrojnë shumë larg atij dhe rezultatet jo premtuese për thithjen e financimave në samitet e kohëve të fundit për prmirësimin e klimës së biznesit në Ballkanin Perëndimor, nuk ka nevojë për koment.

Në këto kushte unë i lutem Zotit që e tërë kjo zallamahi të marrë fund sa më shpejt, duke u qeverisur nga një qeveri tranzitore, për të mos u turpëruar përpara miqve tanë të përhershëm dhe për të mos dalë të mundur përpara armiqve tanë shekullorë.

Share: