Home KRYESORE NJEZET VITE NGA VDEKJA E AKTORIT

NJEZET VITE NGA VDEKJA E AKTORIT

Nga Albert Vataj

Pandi Raidhi, aktori që i’u dha me mish e me shpirt roleve që e lartësuan atë në panteon

Sepse ai ishte një aktor i lindur. Ai kishte mimikën dhe timbrin e zërit, kishte shprehinë dhe plastikën, kishte vështrimin shpues e ngrohtësinë prej babaxhani. Ishte dhe iku, për të lënë pas një emër që meriton vetëm mirënjohje.
Sot mbushen dy dekada prejkur aktori i teatrit dhe i kinemasë shqiptare, i asaj tradite të vlertë të traditës sonë skenike, u shua për të lënë pas të ndezur gjithnjë një dritë malli, nostalgjie. Të gjithë ikin një ditë dhe është fatlum ai që ikën duke lënë një emër të madh, një vepër të realizuar, një ëndërr të çuar deri në skaj të reales. Nga këta të zgjedhur, ishte ai, Pandi Raidhi, një njeri i përkorë dhe një aktor i përkushtuar, një personalitet i fuqishëm dhe një integritet unik artistik dhe krijues. Korça që lindi dhe Shqipëria që e pati të zëshëm në arenën e madhe të skenës i janë mirënjohës atij dhe sot përulen me respekt në këtë cak ndërmendjeje.
Ishte 18 korrik 1999 kur ai u nda nga jeta, duke lënë pas një galeri të pasur personazhesh dhe karakteresh tipesh dhe identitetesh, të cilave i jetësoi nga vetja shpirtin duke i bërë ata të pavdekshme. Ndërsa vitet kanë përpirë të shkuarën dhe vdekja i mori një e nga një ata që ndërtuan tempullin e artit tonë skenik, edhe Pandi Raidhin, ne rrekemi të rizgjojmë prej thellë nesh kujtimet, ata që na mëkuan, dhe vërejmë se gjithçka ka mbetur si më parë. Ne rijetojmë suksesin e atyre pasionantëve të punës ngadhënjyese, dhe hyjmë në kohën e tyre për të ribërë pulsin e asaj atmosfere suksesi, që ishte i tyre por që mbeti i yni.
Edhe pse ideologjia e ndëshkoi punën dhe artin e tyre, ata arritën të mbesin të mëdhenj, sepse i fuqishëm ishte pasioni që ngjiti ata në skenë, e madhe ishte përgjegjësia e sheshxhirimeve. Pandi Raidhi me veprën e tij aktoriale ka mbetur i tillë edhe sot. Ai ngriti në monument të vetëdijes sonë filma dhe role, të cilat nuk i dobësoi censuara komuniste dhe nuk i nënshtroi evoluimi dhe sofistikimi i shijeve artistike dhe estetike.
“Artisti i Popullit”, Pandi Raidhin, ishte një ata që dhanë shumë më shumë se sa morë. Dhe përulësia e tyre ishte emblematike. Puna me përkushtim dhe pasion, lodhja dhe vështirësitë e panumërta, me të cilat ata u përballën, nuk i gjunjëzuan asnjëherë në ankim, përkundrazi arritën të shndërroheshin për ta në forca ngadhënjyese, në energji gjeneruese të pasionit dhe përkushtimit. Pandi Raidhi ishte dhe mbeti i tillë deri në fund. Në karrierën e tij krijuese nuk kishte role të vogla dhe të mëdha, personazhe të pakapshme dhe karaktere të palexueshme, tipe të ngurta e individualitete të padepërtueshëm. Gjithçka ishte e mundur ashtu siç thotë proverbi: “Ku ka vullnet ka dhe mjete për të arritur qëllimin”.
Çdo aktor në galerinë e tij krijuese ka një seri ballafaqimesh skenike, edhe i madhi, shtatshkurtër e zemërbardhë, zëëmbël dhe atëror, Pandi Raidhi kishte prej atyre filmave që e kanë ngulitur thellë në kujtesën dhe ëndjen tonë nostalgjike. Disa prej këtyre sprovash të pashlyera të jetës së tij aktoriale, janë filmat; “Yjet e netëve të gjata”, “Përballimi”, “Krevati i Perandorit”, “Zonja nga Qyteti”, “Beni ecën vetë”.
Pandi Raidhi lindi në 14 prill të vitit 1921 në qytetin e Korçës. Ai nisi karieren e tij artistike ne vitin 1937 ne shfaqen teatrale “Dasma Korçare” ku fitoi menjëherë simpatinë e publikut korçar.
Mori pjesë në luftën Nacional-Çlirimtare në radhët e Rinisë Antifashiste. Në vitin 1948 pas mbarimit të shkollës së mesme u fut në punë në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) ku interpretoi dramën “Dasma Korçare”. Në vitin 1950 u kthye në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës ku do të interpretonte me dhjetëra role.
Debutimin kinematografik e bëri në filmin e parë shqiptar “Tana” në vitin 1958. Më tej interpretoi në 36 role të tjera të filmave Shqiptar. Roli i tij më i fundit ishte ai i babait të sekretarit në filmin “Njerëz në rrymë” në vitin 1989. Në një karrierë artistike gjysmë shekullore Raidhi ka interpretuar më shumë se 200 role në dramë, komedi dhe opereta.
Ai u kthye shume shpejt në një figurë të dashur dhe shume popullore për të gjithë shqiptarët. Ai kujtohet me respekt për thjeshtësinë buzëqeshjen e ëmbël dhe humorin e tij të hollë. Karakterizohej nga serioziteti i madh për punën. Asnjëherë gjate xhirimit në rolet e tij, kamera dorëzohesh para portretit interesant që ai krijonte.
U nda nga jeta dhe familja e tij në Tiranë në 18 korrik të vitit 1999.
Nderime
Për meritat e tij artistike Pandi Raidhi u nderua në vitin 1975 me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Për nder të tij Bashkia e Tiranës i ka dhënë një prej rrugëve të Kryeqytetit emrin e tij.

Filmografia
Njerëz në rrymë-(1989)
Familja ime – (1987) ….Tasi
Përsëri pranverë – (1987)…Xha Tasi
Rrethimi i vogël – (1986)…shoku Meti
Duaje emrin tënd – (1984)…Thomai
Kush vdes në këmbë – (1984)…Prifti i fshatit
Nëntori i dytë – (1982)…Demir Arbana
Shoqja nga fshati – (1980)
Partizani i vogël Velo – (1980)…Bani i Dukes
Agimet e stinës së madhe (1981)..Sharko Sheqi
Liri a vdekje – (1979)…Çarçani
Ne vinim nga lufta – (1979)
Flamur në dallgë – (1977) (TV)
Përballimi – (1976)…Pllaton Burbuqi
Monumenti – (1976)…Llambro Leka
Tokë e përgjakur – (1976)
Zonja nga qyteti – (1976)…Xha Bakoja
Beni ecën vetë – (1975)…. Xha Thomai
Rrugicat që kërkonin diell – (1975) Jorgo, Pronari i kafenesë
Shpërthimi – (1974)…Lajmja
Shtigje të luftës – (1974) Babai i Shabanit
Krevati i perandorit – (1973) Partizani Meke
Yjet e netëve të gjata – (1972)…Ago Beqoja
Kur zbardhi një ditë – (1971) Xha Loni
Mëngjeze lufte – (1971)…Raqi Teneqenxhiu
I teti ne bronz – (1970) Mullixhiu
Horizonte të hapura (1968) …. Xha Ymeri
Ngadhënjim mbi vdekjen (1967)…Xha Teloja
Vitet e para (1965) …. Kasëmi
Tana – (1958)

Albert Vataj

Share: