Home KRYESORE Organizatat ndërkombëtare kritikojnë draftet e ‘kontrollit shtetëror të medias online’

Organizatat ndërkombëtare kritikojnë draftet e ‘kontrollit shtetëror të medias online’

Katër organizata ndërkombëtare të lirisë së medias i bënë thirrje qeverisë shqiptare që të tërheqë projektligjet e së ashtuquajturës “paketa antishpifje” si dhe parlamentit që të mos i miratojë ato, duke e konsideruar regjimin e kontrollit mbi mediat si të paprecedentë për vendet demokratike.

Nga Aleksandra Bogdani | BIRN 

Katër organizata ndërkombëtare të lirisë së medias i kërkuan të premten qeverisë shqiptare që të tërheqë të ashtuquajturën “paketa antishpifje”, duke i kritikuar projektligjet e rishikuara se mbeten larg praktikave më të mira ndërkombëtare, atyre të OSBE-së dhe Këshillit të Europës.

Në një deklaratë të përbashkët, ARTICLE 19, Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias, ECPMF, Reporterët pa Kufij dhe Organizata e Medias së Europës Juglindore, SEEMO i bënë gjithashtu thirrje parlamentit që të mos i miratojë projektligjet, duke e konsideruar paketën legjislative “një rishikim kozmetik i amendamenteve të shumëkritikuara të dhjetorit 2018”.

Organizatat e mësipërme ishin pjesë e një misioni tre-ditor të zhvilluar në qershor në Tiranë, ku gjatë një takimi me kryeministrin Edi Rama i kërkuan atij që nisma ligjore të sillej në standardet ndërkombëtare të lirisë së medias.

“Amendamentet e rishikuara të 3 korrikut vazhdojnë të jenë larg standardeve të OSBE-së, Këshillit të Europës dhe praktikave më të mira ndërkombëtare,” thuhet në deklaratë. “Ne i bashkohemi shoqërisë civile në Shqipëri dhe mediave të pavarura në thirrjet ndaj qeverisë për t’i tërhequr këto dy drafte dhe i bëjmë thirrje parlamentit që të mos i miratojë ato,” shtohet aty.

Organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së medias ngrejnë shqetësime serioze mbi fuqinë që u jepet organeve administrative shtetërore mbi përmbajtjen e mediave në internet si dhe përmbysjen e parimeve të vetërregullimit përmes kufizimit të rolit të gjykatave. Shqetësime serioze janë ngritur mbi mundësinë e kthimit të Këshillit të Ankesave në AMA në një “këshill censure”, i cili mund të urdhërojë heqjen e përmbajtjes në mënyrë thuajse diskrecionale dhe pa një vendim gjykate.

“Këto projektligje kërkojnë të imponojnë regjimin e kontrollit administrativ mbi mediat në internet përmes AMA-s, e cila është e paprecedentë në shtetet demokratike,” thuhet në deklaratën e përbashkët të katër organizatave.

Katër organizatat theksojnë gjithashtu ndikimin politik mbi anëtarët e bodit të AMA-s dhe kërkojnë që çështje të shpifjes të trajtohen vetëm nga gjykatat.

“Një organ administrativ siç është AMA nuk mundet dhe nuk duhet të ngarkohet me kompetenca për të shqyrtuar shpifjen, e cila duhet të shqyrtohet nga gjykatat përmes procedurave penale dhe civile,” shtohet në deklaratë.

Ndryshimet në ligjin “Për median audiovizive” dhe atë “Për komunikimet elektronike” u miratuan në mbledhjen e 3 korrikut 2019- disa muaj pasi qeveria “Rama” prezantoi draftet fillestare që u përballën me kritika të forta nga gazetarët, shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare. Kjo është përpjekja e pestë në vitet e fundit për “të disiplinuar” median në internet dhe e vetmja që mbërriti deri në parlament, pavarësisht kritikave.

Projektigjet parashikojnë gjithashtu gjoba nga 100 mijë lekë deri në 1 milion (820 deri në 8200 euro) për shkelje të parashikuara në projektligjin e AMA-s si dhe i ekspozon ato ndaj gjobave marramendëse prej 100 milionë lekësh, nëse nuk i binden urdhrave të AKEP-it lidhur me zbatimin e vendimeve të Këshillit të Ankesave në AMA.

Organizatat ndërkombëtare të lirisë së medias theksojnë se projektligjet nuk i diferencojnë gjobat mes qytetarëve privatë apo televizioneve kombëtare, duke ngritur shqetësime për proporcionalitetin. Ato i kujtojnë gjithashtu qeverisë praktikat më të mira ndërkombëtare për lirinë e medias dhe i kërkojnë që në vend të rregullimit për shpifjen, të kërkojë dekriminalizimin e plotë të saj.

“Të dyja draftet e propozuara shkojnë kundër praktikave më të mira ndërkombëtare që synojnë vetërregullimin e medias online dhe jo rregullimin e saj nga shteti, përmes organeve administrative të censurës,” theksohet në deklaratë, duke kujtuar edhe mungesën e konsultimeve transparente me të gjithë aktorët e interesuar.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Shqipërisë që të tërheqë dy projektligjet dhe parlamentit që të mos i miratojë ato, për shkak të kundërshtimeve të ngritura nga gazetarët, shoqëria civile dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE,”përfundon deklarata.

Share: