Home KRYESORE Rama reagon për fletëthirrjet e Hagës, nuk përmend dorëheqjen e Haradinajt

Rama reagon për fletëthirrjet e Hagës, nuk përmend dorëheqjen e Haradinajt

Rreth 24 orë më vonesë, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës ka reaguar dhe Edi Rama. Shefi i qeverisë shqiptare nuk e përmend fare emrin e Haradinajt në reagimin e tij, ndërsa thekson se “këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK, janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve”.

Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK,janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20 vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të historisë”, shkruan Rama.

Kryeministri Rama dhe Haradinaj kanë pasur disa përplasje vitet e fundit, të cilat nisën me pikëpamjet e ndryshme për demarkacionin me Malin e Zi dhe u përkeqësuan pas debateve lidhur me taksën ndaj Serbisë.

Në mediat vendase kryeministri i Kosovës pretendoi se Rama i kishte bërë presion madje mes shumë se vetë Vuçiç për ta pranuar propozimin e kancelares Merkel dhe Presidentit Macron në samitin e Berlinit për pezullimin e taksës 100 % për mallrat serbe, ndërsa Rama tha se Haradinaj gënjen që të dalë burrë i mirë.

Ramush Haradinaj dhe Jakup Krasniqijanë zyrtarët më të lartë të thirrur për t’u paraqitur në Hagë, ku deri tani janë ftuar rreth 50 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s./ Opinion.al

Share: