Home KRYESORE Meta për mediat italiane: 30 qershori i jashtligjshëm, dëmton integrimin

Meta për mediat italiane: 30 qershori i jashtligjshëm, dëmton integrimin

Presidenti Ilir Meta ka dhënë një intervistë për gazetën italiane Il Giornale. Ai ka komentuar rreth vendimit të tij për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe caktimit e një date të re më 13 tetor. Sipas Metës procesi i 30 qershorit është jo legjitim dhe ai shton se Rama nuk e kuptonte se mbajtja e këtyre zgjedhjeve do të ishte problem për negociatat.

“Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet në 13 tetor, një datë jo rastësore sepse procesi i pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian diskutohet më 18 tetor, do të kishte qenë e pashmangshme një përplasje mes dy fraksioneve politike.

Ndërsa unë veproja sipas Kushtetutës, përgjegjësia e kryeministrit ishte që ai nuk e kuptonte që zgjedhjet e mbajtura në këtë mënyrë ishin problem për negociatat.

Zgjedhjet e qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime.

Vetëm gjykata kushtetuese mund të sfidojë dekretin e Presidentit, e fatkeqësisht veprimtaria e kësaj gjykatë është pezulluar nga vullneti i kryeministrit Rama.

Për të kuptuar parregullsinë e këtij procesi zgjedhur, mjafton të themi se në të 61 bashkitë në të cilat u votua fituan socialistët sepse nuk kishin asnjë kundërshtar, si gjatë regjimit komunist” deklaroi Meta.

Presidenti u pyet gjithashtu për opinionin e tij në lidhje me përgjimet e gazetës Bild. Meta e ka cilësuar si të papranueshëm faktin se nuk ka patur hetime vitet e fundit për këto ngjarje dhe shtoi se përveç problemit me zgjedhjet Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet në luftën kundër drogës dhe pastrimit të parave.

“Ishtë e papranueshme që vitet e fundit nuk janë bërë hetime të thella për këto ngjarje, është një nga rastet më të rënda të funksionimit të shtetit të së drejtës, zgjedhjet e rregullta janë zgjidhja e këtyre problemeve.

Ne gjithashtu kemi nevojë për masa më të forta për të zhdukur problemin e drogës, fitimet që rrjedhin nga trafiku i drogës janë shumë më të larta në Shqipëri në krahasim me fuqinë e ekonomisë sonë në krahasim me kombet më të mëdha si Italia apo Gjermania” u shpreh Meta. /Opinion.al

Share: