Home KRYESORE Në Porto Romano 233 ton karburant pa akcizë, mister emri i biznesmenit

Në Porto Romano 233 ton karburant pa akcizë, mister emri i biznesmenit

Shefi i qeverisë do të njoftonte këtë të diel se aksioni anti-informalitet ka goditur një nga subjektet me kryesorë të vend, sa i përket tregut të hidrokarbureve. Pa përmendur emra dhe në kronikën e përgatitur në ERTV, Edi Rama thotë se është zbuluar një depozitë me një sasi prej 233 mijë litra benzinë të pa deklaruar.

Depozita e pa deklaruar është kapur në Porto Romano në magazinat fiskale gjatë një inspektimi ku në terren ishin Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Drejtori i Përgjithshëm të Doganave, Arlind Gjokuta.

Ndaj subjektit që kishte bërë shkeljen (emri i të cilit është mister) është vendosur një gjobë e majme prej 350 mijë eurove dhe nëse kjo shkelje do të përsëritet gjoba do të jetë deri në 5 fish dhe më pas mbyllja e të gjithë aktivitetit.

Një ditë më parë, zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi se verifikimet në kompanitë e karburanteve kanë zbuluar shkelje të cilat siç u shpreh ai janë në kufijtë e një vepre penale.

“Administrata Tatimore ka zbuluar shkelje të rënd atë ligjit në këto kufinjë, pra në kufijtë e krimit, veçanërisht në skemën kriminale dhe të qëndrueshme të kalimit dhe operimit me kasat me regjim manual, ndaluar rreptësisht. Administrata Tatimore – u shpreh zëvendëskryeministri – ka zbuluar diferenca të thella të pamenduara, mes litrave të regjistruara në pompa, të shitura prej tyre dhe natyrisht litrave të regjistruara në kasa fiskale, diferenca që dëshmojnë për një evazion fiskal të rëndësishëm. Diferencat arrijnë në mijëra ton në harkun kohor, nga vjeshta e 2017-ës deri tani”.

Këto diferenca sipas zotit Braçe arrijnë në mijëra ton në harkun kohor, nga vjeshta e 2017-ës deri tani. Ai njoftoi gjithashtu se administrata Doganore ka shtrirë kontrollet në magazinat e lira të kompanive të mëdha të karburanteve, ku në 48 orët e fundit, janë zbuluar diferenca të rëndësishme në inventarët e këtyre magazinave kryesisht në produktin benzinë që arrijnë po përsëri, në dhjetëra ton.

“Administrata Doganore po llogarit detyrimet fiskale të munguara dhe penalitetet me të njëjtën vlerë për secilën nga kompanitë e gjetura në shkelje”, deklaroi zëvendëskryeministri Braçe.

Verifikimet dhe kontrollet në sektorin e karburanteve, janë pjesë e një operacioni kundër informalitetit të ndërmarrë nga qeveria. Kontrollet kanë përfshirë dhe sektorin e Hoteleri-Turizmit, përfshirë baret dhe restorantet në të gjithë vijën bregdetare. / Opinion.al

Share: