Home KRYESORE Nga cikli ‘Kafe për llafe’… Nga Capajev Gjokutaj

Nga cikli ‘Kafe për llafe’… Nga Capajev Gjokutaj

Ilmiu sa është kthyer nga pushimet, 4-5 ditë në bregdetin e Qerretit, në Kavajë. Kisha 5-6 vjet që s’kisha vajtur në atë zonë, tha. Goxha ndryshime, atje ku herën e fundit shtrihej një kallamishte me bretkoca e mishkonja, tani ishte ndërtuar një zonë e tërë turistike, pedonale, tri hotele klasi, pishina, restorante e bare. Dhe njerëzia vu, shqiptarë e të huaj, si bleta deri në mes të natës.

Folëm një copë herë për ndryshimet që janë bërë. Kujtuam rrugën e dikurshme për në Kukës a për në Vlorë, radhët te agjencia për të prë bileta autobusi, radhët e qumështit e të vezëve, historinë e atij italianit, që pyetjet e grave nga ballkonet ‘a more?’, i mori për ‘amore!’ dhe tha se qenkeshim popull me zemër të madhe, radhë e varfëri po dashuri dashuri😅

Janë bërë goxha ndryshime, po ne s’para i vemë re, tha Naqja, qahemi e shajmë mëngjes mesnatë. Popull zevzek e karasëz!

Lere popullin mënjanë, u hodh Lilua, fajin e ka kush e ka.

Vazhduam të flisnim pse qahemi dhe s’para na hyjnë në sy ndryshimet për mirë. Folëm gjatë e s’më kujtohen ç’tha njeri e si iu përgjigj tjetri. Po argumentat ishin pak a shumë këto.

Kishim pritshmëri shumë më të mëdha. Pandehnim se jeta që do bënim në kapitalizëm do të ishte si reklamat e RAI-t. Realiteti doemos do ishte zhgënjyes.

Fajin e ka barazitizmi tradicional. Shumica e shqiptarëve denbabaden kanë qenë fshatarë të lirë, pesë posht pesë lart aty e aty. Pastaj gjysëm shekulli barazitizëm i detyruar nga lart. Doemos që tani më shumë se zhvillimin do shohim pabarazinë e s’para do na hyjë ndryshim në sy.

S’është pabarazia, por padrejtësia, u nxeh Lilua. Shqipëria qe e gjitha e shtetit, tani është e privatit. Kush qe pranë burimit, medemek pranë politikës, vodhi sa i deshi qejfi. Ne të tjerët mbetëm me gisht në gojë. Doemos që do jemi të mllefosur.

Nuk para e shohim zhvillimin nga që një pjesë e parisë ekonomike vjen nga katakombet e krimit dhe të paligjshmërisë. Dje të hurit e të litarit, sot me kompani e resorte.

Unë anoja nga qendrimi i Qaniut. Kemi arritur polarizim ekstrem, 5% e shqiptarëve zotrojnë mbi 90% të pasurive, tha, doemos që do jemi të mllefosur e s’do na hyjë gjë në sy. Po qe se s’të hyn gjë në xhep, i pakënaqur do mbetesh.

Pastaj folëm për shtetin, për politika sociale dhe sidomos ato të rishpërndarjes. Se resurset e vendit, bregdeti e minierat, pyjet e lumenjtë, kullotat e burimet u takojnë të gjithëve.

Kamarierja ka ikur tek e bija në Oslo. Ah, këta nordikët🧐

( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )

Share: