Home KRYESORE TAHIR MUHEDINI, NJË BIR I ÇAMËRISË

TAHIR MUHEDINI, NJË BIR I ÇAMËRISË

Te nderuar lexues te Perqasje.com,

po e sjellim sot ne vemendjen tuaj kete shkrim per te vene ne pah vlerat e kontribuesve te vertete te Kauzes Came te cilet tashme jane spostuar apo eklipsuar ne partine politike (PDIU) e cila u themelua per bashkim te Komunitetin cam Djathtas e Majtas, e per te dhene te gjithe se bashku kontributin e tyre per te realizuar amanetin e te pareve te tyre, Camerine.

Tahir Muhedinin tashme nuk e shikojme me ne aktivitet e PDIU-se e sigurisht ky zhvillim ka arsyet e veta te cilat po i analizojme dhe bejme te dukshme dite pas dite dhe, do te vazhdojme ta bejme deri sa gjerat te shkojne ne vendin qe meritojne…

Nga HYQMET ZANE

“Ku i ka zyrat PDIU-ja”, ishte një pyetje e rastësishme pranë një tavoline në lulishten e një bar-bufeje. “Çfarë kërkoni ju tek ato zyra?”, ishte pyetja e menjëhershme që doli vetiu. “Kam ardhur nga Skocia, ku jetoj prej shumë vitesh dhe jam me origjinë nga Çamëria, nga prindërit e mi dhe dua të takoj ndonjë nga drejtuesit e kësaj partie.” “Ke ndonjë hall apo…”, pyeta përsëri. “Jo, jo nuk kam ndonjë hall, por kam ardhur se dua të takohem me Tahir Muhedinin, që është kandidat për deputet këtu në Tiranë. Dua që të marr pjesë në fushatën që bën ai njeri për të bërë thirrje që jo vetëm çamët, por edhe jo çamët të votojnë për këtë njeri të mrekullueshëm.”

Ishte ky një moment që hapi një bisedë të gjerë dhe të gjatë me këtë njeri dhe me pjesëtarët e tjerë të tavolinës që nuk kishte vetëm të komunitetit çam, por edhe të tjerë, miq të mi.

“A ta them edhe unë një fjalë, ore djalë”, ishte ndërhyrja e një mikut tim bashkëbisedues, avokat me profesion. “Edhe unë për Tahir Muhedinin do të votoj, se e vlerësoj personalitetin e atij njeriu”, nisi bisedën shtruar Ligori, një miku im që jeton në Tiranë.

Përse Tahir Muhedinin, duhet të votojnë jo vetëm pjesëtarët e komunitetit çam, por edhe ata që ndihen shqiptarë të mirë dhe që e njohin temperamentin dhe karakterin e këtij njeriu që rrezaton fisnikëri? Është një pyetje e natyrshme dhe e nevojshme për të pasur më shumë arsye që të shtjellojmë momentet më të spikatura për kandidimin e Muhedinit në krye të listës së PDIU-së në Tiranë. Është një kandidaturë që ka ngjizur edhe dashamirësinë e çdo njeriu që e njeh personalisht këtë përfaqësues dinjitoz edhe në politikën shqiptare, por edhe në radhët e komunitetit çam.

Të flasësh për Tahir Muhedinin është edhe e lehtë, edhe e vështirë, sepse në kompleksitetin e personalitetit të tij gjenden të mishëruara tiparet e një çami të vërtetë, sa edhe në Tiranë e thërrasin shkurt me mirënjohje “Tak Çomi”. Është një jetë e gjatë dhe me shumë zigzage në Tiranën e familjes Muhedini që u vendosën pas shpërnguljes së kësaj familjeje dhe mijëra çamëve nga Paramithia, nga ai qytet i njërës prej kazave të Çamërisë, ku nisi edhe gjenocidi përfundimtar i grekëve ndaj një popullate shqiptare.

Vendosja në Tiranë e familjes Muhedini vinte pas një përballje me kriminalitetin që ka pasur në Paramithi në atë 27 qershor 1944, kur edhe nisi masakra e shpërnguljes së madhe. Janë 7 të vrarë nga familja e Tahir Muhedinit, që mbetën viktima të pabesisë greke dhe që detyruan Avdul Muhedinin, babanë e Tahirit, që të shpërngulej për të shpëtuar pjesën tjetër të familjes. Me burrërinë që e karakterizonte, me zanatin e një këpucari që siguronte bukën e gojës, me dinjitetin e një njeriu që kishte mbi vete kujtimin e familjarëve të mbetur pa varre që nga i ati Sali Hafyz Muhedini, kryetar i këshillit të Paramithisë, xhaxhallarët Mithat e Nuh Muhedini, hallën Irfane që ishte edhe shtatzënë dhe që mbetën viktima të antishqiptarizmit grek, Avduli u bë shembulli i njeriut tipik çam. Ai krijoi familje me zonjën Gjylso dhe solli në jetë 7 fëmijë, si një rikthim i jetëve që u këputën në mes pabesisht.

Është vendi të përmendim si pjesë të asaj biografie të nderuar që ka kandidati Tahir Muhedini, edhe faktin që babai i nënës së tij, Hasan Abdullai, myftiu i Paramithisë, u bë pjesë e viktimave të gjenocidit grek dhe këta ishin të parët që e pësuan atë masakër çnjerëzore të Napoelon Zervës dhe bandave të andartëve greke. Është kjo arsyeja që të dilte nga kjo familje një njeri që do të bëhej edhe i pari nga komuniteti çam që me krijimin e PDI-së më 14 shkurt 2005 dhe ta çonte këtë parti në Parlamentin shqiptar më 2009-n me përfaqësimin e një deputeti. Tahir Muhedini u bë shembulli i urtësisë, që me politesën e tij prej babaxhani krijoi mirëkuptimin mes komunitetit dhe i dha mesazhin e bashkimit si një faktor për zgjidhjen e çështjes çame.

Me PDIU-në, Tahir Muhedini bëhet pjesë e një mesazhi të ri që është sa domethënës, aq edhe thirrës: “Unë e dua Shqipërinë të bashkuar”. Këtu në këtë mesazh është edhe Çamëria, është edhe mesazhi i madh i zgjidhjes së çështjes çame si një e drejtë e mohuar dhe e harruar. Tahir Muhedini, si president nderi, së bashku me liderin e kësaj partie, Shpëtim Idrizi, PDIU, bëhet në këtë mënyrë partia e amaneteve të mëdha dhe të pavdekshme, bëhet partia e një dinjiteti specifik po aq sa edhe fisnik, duke synuar që të duan shqiptarët të gjithë të bashkuar.

Janë këto arsyet e mëdha që e bëjnë Tahir Muhedinin të jetë i respektuar nga kushdo, qytetar i thjeshtë apo ministër, deputet apo edhe këshilltar i Tiranës, të jetë i fokusuari i një komuniteti që pret nga ndershmëria e njeriut që gëzon respektin e “tironasve” dhe të të ardhurave rishtazi në Tiranë, të malësorëve dhe të çdo krahine që janë banorë të metropolit shqiptar në të gjithë qarkun ku futet edhe Kavaja e Rrogozhina, Kamza dhe çdo njësi zgjedhore. Dhe të gjitha këto, sepse te Tahir Muhedini gjejnë njeriun e vlerave dhe të virtyteve, po aq sa edhe një çam të vërtetë dhe një familjar të respektuar. Kudo do ta shikosh Takun mes njerëzve, buzagaz dhe i mirëpritur, punëmbaruar dhe fjalëmbajtur.

Ndoshta janë këto arsyet që rikthehen për të marrë pjesë në votime edhe pjesëtarët e komunitetit çam që i gjen këto ditë në takimet e ndryshme, edhe pse udhëtimet e tyre janë të largëta, që nga SHBA-ja e Kanadaja, nga Anglia e Skocia, nga Suedia e Gjermania, nga Italia e Franca, nga Turqia, madje edhe nga Greqia. Të gjithë me një mesazh: “Të votojmë Tak Çomin!”, ishte kjo arsyeja që bashkëbiseduesi i rastësishëm, Genti, djali i një patrioti të persekutuar, Përparim Shaban Ademit, që në tërësinë e tyre janë pjesa e atyre që u bënë viktima edhe në Shqipëri, pse e deshën Shqipërinë të bashkuar, por komunizmi i ndau.

Para rreth 2 vjet e disa muaj, ashtu si edhe unë shkruesi i këtyre radhëve dhe shumë e shumë të tjerë, u bëmë pjesëmarrës në ceremoninë mortore të nënës së tij të dashur, Gjylsos. Duke qenë një njeri që tashmë është i lidhur pazgjidhshmërisht me politikat për zgjidhjen e çështjes çame, Tahir Muhedini e ka shkruar emrin e tij në listën e deputetëve të Parlamentit të ardhshëm. Dhimbja e tij për nënën Gjylson është po aq sa edhe dhimbja e tij për lëngatën e Çamërisë që sot e kësaj dite për 69 vjet me radhë vuan dramën e humbjes së padëshirueshme dhe të pamerituar, kur vjen fjala për vatanin.

Në atë ceremoni pashë shpirtin e vërtetë të bashkimit çam si një mesazh për të pretenduar që ta shohim Shqipërinë dhe shqiptarët të bashkuar për të reflektuar vlerat e një kombi që meriton më shumë. Tahir Muhedini tashmë është vëmendja e çdo shqiptari edhe nga Kosova, po aq sa edhe nga trojet në Maqedoni e Mal të Zi.

Për familjen Muhedini dhe të afërmit e tyre, vdekja e nënës Gjylso ishte një humbje e pazëvendësueshme, sepse goja e tyre nuk do ta thotë më fjalën “nënë”, por edhe sepse kjo nënë e shtatë fëmijëve mori me vete historinë e një gjenocidi që nisi në Paramithi në vendlindjen e saj, në atë 27 qershor të zi të 1944-s, por edhe që më pas asnjëherë nuk pati shansin që të rikthehej në shtëpinë ku lindi 80 vjet më parë.

Sot, djali i kësaj nëne, është në listën e parë të PDIU-së për të qenë deputeti i ardhshëm i një Parlamenti që ka nevojë për vendin dhe fjalën e tij dhe nënë Gjylso e çdo nënë çame do të dëshironte që djemtë e Çamërisë të jenë pjesë e zgjidhjes së çështjes çame, duke u dhënë uratën e madhe për një Shqipëri të bashkuar.

Zemra e çdo pjesëtari të komunitetit çam që ka lindur në Çamëri beson në rikthimin në vendin të vet. Por kjo nuk do të vijë vetëm nga Zoti i madh, por edhe nga përpjekjet dhe angazhimet, nga pjesëmarrja në tempullin e legjislativit për t’i thënë ndal harresës dhe mohimit.

Është e vërtetë që prindërit e Tahir Muhedinit, ashtu si edhe shumë e shumë prindër çamë që lindën në tempullin e Dodonës nuk janë më, ata nuk kanë gojë të flasin, por me pjesëmarrjen e një biri Çamërie, amaneti i tyre do të duhet të shkojë në vend. Jeta vazhdon dhe Çamëria jonë e shtrenjtë do të jetojë dhe ne bijtë e nënave e baballarëve tanë do të jetojmë për misionin e madh të zgjidhjes së madhe të çështjes çame. Këtë mision ka në mendje e në shpirt në rrugën e tij edhe Tahir Muhedini që sot ndodhet vetëm pak ditë larg të qenët në Parlamentin shqiptar. Ai e meriton votën, sepse janë meritat e tij që e kanë sjellë në këtë moment për të menduar pak për çështjen e shtrenjtë të Çamërisë.

Share: