Home KRYESORE Indiferentizmi i meshkujve në mjedisin familjar!

Indiferentizmi i meshkujve në mjedisin familjar!

Nga Gladiola Jorbus

Tashmë mund të thuhet se gruaja moderne ka pushtuar hapësira të mëdha në jetën publike apo profesionale, e megjithatë, ajo vazhdon të punojë pothuajse dy herë më shumë, se sa burri i saj. Shoqëria jonë disa detyra i konsideron tërësisht femërore siç janë: gatimi, rritja e fëmijëve apo pastrimi.

Shpeshherë, ky problem mund të shndërrohet në një dramë të vërtetë, sepse perceptimi mbi detyrat familjare është i ndryshëm. Nënat shqiptare i kanë rritur djemtë duke u siguruar dhe lehtësuar gjithçka, pa i përfshirë në asnjë detyrë, ndaj kur burrat e ardhshëm ose ish të përkëdhelurit e mamave, dëgjojnë ankesat e gruas në lidhje me këtë indiferentizëm e mospërfshirje në detyrat e konsideruara tradicionalisht femërore, ata nuk kuptojnë ose nuk duan të kuptojnë përse po ndodh ky rebelim.

Sipas tyre, gruaja thjesht po përsërit historinë, atë që kanë bërë një jetë të tërë nëna e tij dhe nëna e saj njëkohësisht, pra, shërbim pa orar ndaj familjes së vet.

Për shkak të kushteve familjare, mënyrës së rritjes apo këndvështrimit, përgjithësisht burrat nuk shfaqin shqetësime të mëdha në lidhje me detyrat e ashtuquajtura, punët e shtëpisë. Nëse kaosi nuk mbretëron në shtëpitë tona, kjo vjen për shkak të kontributit të paçmuar të gruas.

Në dallim nga mendësi të tjera perëndimore, shumë larg anadollizmit dhe patriarkalizmit që na karakterizon në disa aspekte, burrat e quajnë të natyrshëm dhe normal kontributin e njëanshëm në familjet e tyre. Po për shkak të arsyeve të sipërpërmendura, ndonëse gratë punojnë fort, përsëri burrat rezultojnë më të mirëpaguar dhe janë të pozicionuar në rangje më të larta. Problemi i barazisë gjinore është një tjetër temë e nxehtë për shoqërinë tonë.

“A mund të hedhësh mbeturinat ?A mund të shoqërosh fëmijët në shkollë apo në kurs ? Mund të shkosh në supermarket? etj”.

Këto janë vetëm disa nga formulat klishe me të cilat gratë “bezdisin” burrat e tyre, me shpresën se ai do t’i ndihmojë. Është e vështirë, në mos e pamundur të përballosh e vetme barrën e familjes, edhe pse, më se normale në kulturën tonë.

Të gjithë kanë të njëjtat të drejta dhe të njëjtat detyra, por jo të gjithë janë të ndërgjegjësuar. Ndër brezat e rinj apo ndër brezat e intelektualëve më të moshuar mund të vihen re përqasje kontributive ndaj familjes, bashkëshortes a fëmijëve, por numri i tyre në krahasim me shumicën dërrmuese, lë për të dëshiruar.

Nëse meshkujt do të mendonin më shumë për partneren e tyre dhe për faktin e pamohueshëm se të mbash një shtëpi është shumë e vështirë, atëherë mund të gjendej një zgjidhje.

Nuk ka kuptim që njëra palë të punojë e tjetri të ndërrojë kanalet televizive, të marrë një sy gjumë, të rrijë me shokët apo të shijojë një hobi të parapëlqyer. A e mban secili në mënyrë të ekuilibruar peshën mbi supet e tij?! Kanceri i një marrëdhënieje janë grindjet e njëpasnjëshme dhe kur e drejta anon nga femra, është më e vështirë të pranohet.

Është paradoksale që burrat, ndonëse janë aktorë të fuqishëm të skenës politike, sociale, ekonomike, artistike, sportive dhe spikasin vazhdimisht nën dritat e prozhektorëve, iu mungon organizimi minimal në kryerjen e disa detyrave themelore.

Dhe më e bukura qëndron në faktin se kjo pak u intereson. Në fund të fundit do të gjendet një grua që do t’i japë drejtimin e duhur.

Besoj se ka ardhur dita që meshkujt shqiptarë të rriten vërtet dhe të fillojnë të lëvizin brenda mjedisit familjar, duke kontribuar më shumë në shtëpi dhe në rritjen e fëmijëve.

Përveç se do të ndihmonin bashkëshortet e tyre, kjo do të ndikonte pozitivisht në forcimin e marrëdhënies prind-fëmijë, mirëkuptimin midis partnerëve dhe do të shënonte hapa përpara në emancipimin e shoqërisë sonë.

(Suedi, gusht 2019)

Share: