Home KRYESORE Pas Venecias, Presidenca: Nxjerrim raportin tonë, asnjë shkelje nga Meta!

Pas Venecias, Presidenca: Nxjerrim raportin tonë, asnjë shkelje nga Meta!

Presidenca njofton se brenda javës do të bëjë publik për opinionin vendas dhe ndërkombëtar Raportin e tij për Draftin e Opinionit të Komisionit të Venecias. Sipas zëdhënësit të presidentit, ky zhvillim vjen për transparencë dhe rëndësinë e çështjes në fjalë, që meriton vetëm shterim kushtetues, ligjor, profesional dhe faktik, larg çdo ndikimi politik dhe të dyshimtë.

“Zero shkelje të kushtetutës! Mbrojtje e shkëlqyer e kushtetutës! Mbrojtje e shkëlqyer e Konventës Europiane të të Drejtave të njeriut! Mbrojtje e shkëlqyer e vendimit të gjykatës së Strasburgut për të drejtën e zgjedhjes! Mbrojtje e shkëlqyer e detyrimeve ligjore që ka Shqipëria nga marrëveshja e stabilizim asocimit me Bashkimin Europian!”, shkruan Tedi Blushi në një postim në rrjetet sociale.

Në opinionin e tyre ekspertët e Komisionit të Venecias arrijnë në përfundimin se “Presidenti tejkaloi kompetencat e tij sipas Kushtetutës, fillimisht duke i anulluar zgjedhjet lokale, e më pas duke i shtyrë ato”.

Në draft opinionin e Komisionit “anulimi i zgjedhjeve është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Sidoqoftë, rregullat e zbatueshme kushtetuese për situata të jashtëzakonshme nuk u ndoqën në këtë rast. Nuk pati as një konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një baze ligjore ad-hoc”.

Në dokument theksohet edhe se “anulimi i zgjedhjeve gjithashtu prek të drejtat zgjedhore të njohura nga instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut… Mungesa e një baze ligjore dhe e alternativave në dispozicion (shtyrja e zgjedhjeve për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, sipas nenit 170 të Kushtetutës, ose rifillimi i dialogut politik pas zgjedhjeve) e bëjnë ndërhyrjen në të drejtat zgjedhore, jo proporcionale”.

Ata i kanë dhënë përgjigje dhe pretendimit të Presidentit se mbrojti pluralizimin politik duke anulluar zgjedhje në të cilat nuk merrnin pjesë forcat kryesore të opozitës. Sipas ekspertëve të Komisionit të Venecias “bojkoti zgjedhor nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të pengojë që të bëhen zgjedhje të rregullta. Përndryshe, këto parti do të merrnin levën për të penguar plotësisht çdo zgjedhje”, theksohet në projekt opinion.

Edhe për rastin e Gjykatës së Strasburgut, të përmendur edhe nga presidenti Ilir Meta, ekspertët e Komisionit të Venecias kanë bërë të qartë se “rrethanat mbizotëruese të këtij rasti ishin krejt të ndryshme nga ato në Shqipëri”, nënvizohet në opinionin, i cili nga ana tjetër vlerëson se pavarësisht se presidenti ka tejkaluar kompetencat kushtetutese “nuk janë kushtet për të vërtetuar një shkelje serioze që do të çonte në shkarkimin e tij”./ Opinion.al

Share: