Home KRYESORE Më 16 tetor 1929 lindi Petro Zheji, përkthyes i shquar dhe gjuhëtar...

Më 16 tetor 1929 lindi Petro Zheji, përkthyes i shquar dhe gjuhëtar me erudicion

Petro Zheji (Gjirokastër, 16 tetor 1929[1] – Tiranë, 14 Mars 2015[2]) ka qenë arsimtar, përkthyes i sprovuar dhe gjuhëtar me erudicion. Vëllai i tij, Gjergj Zheji ka qenë një personalitet me peshën e vet në fushën e letrave.

Jeta

I biri i Spiro Ballos i lindur më 1903 në Gjirokastër (me origjinë nga Zheji i Zagorisë) dhe i Theodorës së Niko Petridhit. I ati ka qenë oficer i shkolluar në Itali gjatë kohës së Mbretnisë, i graduar më vonë si major-kolonel. Në një bibliografi që pasqyron një libër që ka qenë i të atit të Petros, jepet grada dhe banesa, Ajutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë. Ndë rrugë të Durrësit[3]. I ati u grish nga Spiro Moisiu për me marrë pjesë në rezistencën kundër gjermanëve. Përndiqet në fund të viteve ’40 nga regjimi i rishtë komunist dhe i sekuestrohen pronat në Tiranë.

Petrua studion Matematikë-Fizikë në nivel dyvjeçar në Tiranë, jep mësim në gjimnazin “Qemal Stafa”[4] dhe vajti me dhanë mësim në gjimnazin e Gjirokastrës, më tej studion për gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës. Punon pranë ndërmarrjes së botimit “8 nëntori”, ku botoheshin libra politiko-shoqëror dhe si përkthyes me normë[5] pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” në kryeqytet. Martohet me aktoren gjakovare Besa Imami, martesë nga e cila më 1961 u lind djali i vetëm, Arturi. Pas 15 vjetësh martesë u ndanë[6] dhe Petrua mbas viteve ’90 largohet drejt ShBA-së. Me kthimin e tij vendoset në Tiranë. Me mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e një shtese pensioni të posaçëm shtetëror 14 personaliteteve, ndër ta edhe Petro Zheji[7].

Përkthime

I përfolur si një nga përkthyesit më elitarë, cilësia e tij është në përpjestim të drejtë me vëllimin e punës së bërë. Në një artikull kulturor më 2008, botuesi i përkthimit më të mbramë të tij (“Jeta e Galileit” e Bertolt Brehtit) Mehmet Gëzhilli kumton se Zheji mund të ketë 13 mijë faqe përkthim të botuara. Përkthimi i tij i parë daton më 1958 dhe ka qenë vëllimi i parë i romanit “Bruski” të Fedor Panferov; përkthyer së bashku me të vëllanë, Gjergjin.[8] Titujt më të shquar nga lista e gjatë e përkthimeve janë “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes, “Sojliu mendjemprehtë – Don Kishoti i Mançës” nga Servantes, “Nipi i Ramonit” nga Didero, “Vilet e zemërimit” të Stajnbek, “Njeriu i padukshëm” i Herbert Uells; si dhe shumë e shumë tituj tjerë nga letërsia gjermane, spanjole, australiane, estoneze, rumune, ruse, kineze, nordike[9]. Duke u radhitur me emrat e tjerë elitarë të përkthimit si Dhimitër Pasko, Klio Evangjeli, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, etj.

Përkthyesja amerikane e veprës “Rrno vetëm për me tregue”, Kathleen Schank, e ka falënderuar për ndihmën që i ka dhënë për prurjen në anglisht të dëshmisë së Át Zef Pllumit[10]. Përpjekje kjo që Zheji e kishte ndërmarrë qysh në të gjallë të fratit[11].

Vepra

Në fillim nuk iu dha mundësia e botimit për krijimet e veta të përshkuara nga fryma e simbolizmit[12] por më vonë iu botuan disa prej tyre, së fundi edhe studimi “Roli mesianik i gjuhës shqipe”[2]. Punimet e Petros “Kristologjia”, “Hyrja në Algoritëm”, “Paraqitja e Algoritmit” përcaktojnë në raportin botëkuptimor dhe fizik të njeriut me natyrën, që është filluar e vazhduar nga Etërit e Kishës që nga Shën Pali e deri më sot, e që pasqyron në sferën racionale dhe shoqërore, atë përmbysje, plotësim e sintezë që bëri Krishti në anën shpirtërore dhe individuale. Bëhet i mundshëm logjikisht tërë kuptimi rivlerësues i trashëgimisë së qytetërimit, nëpërmjet trashendimit të epokës teknologjike, që del si relika e fundit e idolatrisë antike. Aty ndihet mrekullia e fillimit të realizimit të endrrës së herojve të tillë të mendimit si Niçja dhe Frojdi, Ainshtajni, Hajzenbergu etj. Për gjuhën shqipe dhe për kombin shqiptar dhe rilindësit e tij, punime si “Shqipja dhe Sanskritishtja” (në dy vëll.; 1996, 2001, 2011), “Gjuhët e vjetra dhe shqipja”, “ Gjuhët moderne dhe shqipja”, “Universaliteti i gjuhës shqipe”, “Libri i Aforizmave” (2012) shënojnë një ringjallje dhe rivlerësim të Rilindjes Kombëtare. Me punën e tyre rilindasit tanë, bënë çvarrosjen e kombit tonë dhe rilindjen e kristalizimin e gjuhës shqipe. Punime si të mësipërmet, tej çvarrosjes, fillojnë të ngjallin realisht kombin shqiptar në përmasat e tij primordiale e pellazgjike dhe realizojnë ëndrrën e rilindësve tanë De Rada, S. Frashëri, Fan Noli, Át Sh. Gjeçovi, Át Gjergj Fishta etj, e madje e ndërkombëtarizojnë dhe e racionalizojnë tërësisht atë. Këto punime janë në botim e sipër. Figura si Martin Camaj, Robert Elsie etj., kanë vlerësuar lart përmbajtjen e këtyre punimeve[13].

Burime

^ Elsie R., “Histori e letërsisë shqiptare” (1995), përkthyer nga Abdurrahim Myftiu. Tiranë; sh.b. Pejë: Dukagjini, 1997.
^ a b Linguistika shqiptare në zi, ndahet nga jeta Petro Zheji, Gazeta Mapo, 15 mars 2015.
^ Vozga R., “Libri Shqip 1555-1915”, Biblioteka Kombëtare, Tiranë, 2010 fq. 318 ─ ISBN 978-99927-731-7-8. Citimi i plotë: Togger Spiro Zheji, Ajutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë. Ndë rrugë të Durrësit. Shtëpija e tij mbë krahë të shtëpisë Kristo Luarasit.
^ Këlliçi S., “Don Kishoti” i Petro Zhejit – pasurim i mëtejshëm i gjuhës shqipe, Republika, 17 gusht 2012.
^ Demo E., Pa jetë private, Shekulli. Përkthyesi Afrim Koçi thotë: Kishte përkthyes si Petro Zheji që nuk e pranonte këtë kriter, – nuk i vihet normë shkrimtarit, thoshte, sepse përkthyesin e konsideronte një lloj shkrimtari.
^ Canaj A., Si po e pres 80 vjetorin tim të lindjes: flet aktorja Besa Imami, Panorama. – Nr. 2099, 3 gusht, 2008, f. 18 – 19.
^ Shteti u garanton pension të posaçëm 14 personaliteteve, Metropol, 3 mars 2011.
^ Demo E., Galilei i Petro Zhejit, gazeta Shekulli, 24 nëntor 2008.
^ Mbështetur mbi një qëmtim në fondin e Bibliotekës Kombëtare e Shqipërisë (bksh.al) me emrin kyç Petro Zheji, rezultojnë të paktën mbi 30 tituj të përkthyer. Me ndihmën e Google-it përkthimet e Petros arrijnë në 41 tituj.
^ Demo E., Kathleen Schank: Ç’na mëson miku ynë, at Zefi, Shekulli. – p. 2387, 24 gusht, 2008, fq. 11.
^ Demo E., Kurrgjë më shumë se liria: [intervista e fundit e At Zef Pllumit], Shekulli. – Nr. 2061, 27 shtator, 2007, f. 14 – 15.
^ Elsie R., “Një fund dhe një fillim – Vëzhgime mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare bashkëkohore”, p. Abdyrrahim Myftiu, sh.b. botuese Globus R, Tiranë 1995; shtëpia botuese Buzuku, Prishtinë 1995.
^ Qafoku Ll., Shëmbull i madh shqiptar i heroizmit mendor, aafhsite.com, 28 dhjetor 2013./VOAL

Share: