Home KRYESORE Meta: “Serbia e Madhe” dështoi, idetë ekspansioniste janë çmenduri

Meta: “Serbia e Madhe” dështoi, idetë ekspansioniste janë çmenduri

Presidenti Meta ka deklaruar se projekti “Serbia e Madhe” dështoi dhe të tilla ide ekspansioniste janë çmenduri.

Në një intervistë për mediat egjiptiane presidenti Meta u pyet lidhur me rajonin dhe teoritë që qarkullojnë lidhur me “Shqipërinë e Madhe” dhe “Serbinë e Madhe”.

“Të gjithë shqiptarët kanë një projekt të përbashkët. Ky është bashkimi me Europën. Ideja e Shqipërisë së Madhe nuk është aspak e mundshme. Projekti “Serbia e Madhe” dështoi. Ne po jetojmë në një rajon të ndërlikuar. Nuk ka vend ‘të pastër etnikisht’ në Ballkan. Është çmenduri e plotë të flasim për projekte ekspansioniste në këtë aspekt” tha Meta.

Sai përket deklaratave të tij të pak kohëve më parë se ka tentativa të krijimi të një shteti paralel në Shqipëri dhe Kosovë nga persona me influencë ndërkombëtare, Meta tha se këto janë pjesë e rreziqeve të globalizmit.

“Ne po jetojmë në një botë në të cilën [ne shohim] ndikimin e personaliteteve apolitike dhe lojtarëve [të huaj], veçanërisht OJQ-ve. Këto janë pjesë e rreziqeve të globalizmit” deklaroi Presidenti.

Bashkimi Europian nuk i çeli sërish negociatat me Shqipërinë, sidoqoftë Meta u shpreh se ai mbetet “ndërmarrja më e mirë njerëzore” ndaj të cilës duhet të drejtohemi.

“BE tani nuk është në gjendjen e saj më të mirë. Sidoqoftë, Bashkimi Evropian është ndërmarrja më e mirë njerëzore, ku përparimi ekonomik ecën paralelisht me përparimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarëve. Situata e BE do të përmirësohet pas reformave të reja” tha ndër të tjera Presidenti Meta. /Opinion.al

Share: