Home KRYESORE Zëdhënësi i Metës sulmon Ballën: Fabrikues i lajmeve të rreme,kërkoi falje

Zëdhënësi i Metës sulmon Ballën: Fabrikues i lajmeve të rreme,kërkoi falje

“Ndërsa Presidenti mund të ketë vepruar përtej kompetencave të tij kushtetuese, ka të dhëna se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që mund të justifikojnë shkarkimin e tij”.

Ky është përfundimi i ekspertëve të Komisionit të Venecias, sipas një deklarate për shtyp të shpërndarë sot pasdite, pasi Komisioni miratoi në seancë plenare opinionin e tij lidhur me kërkesën e parlamentit shqiptar për të interpretuar vendimin e Kreut të Shtetit për anulimin e 30 Qershorit si datë të zgjedhjeve për pushtetin vendor.

Megjithatë gjatë ditës, u përhapën lajme se ky Komision kishte deklaruar se “Presidenti Meta kishte shkelur kushtetutën”. Këto lajme detyruan zëdhënësin e presidentit Meta, të dilte në një konferencë dhe të sulmonte kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla si fabrikues të lajmeve të rreme.

Madje sipas Tedi Blushit përfaqsuesit e PS gjatë seancës plenare kanë kërkuar falje për nxjerrjen në publik, të draft opinionit paraprak të Komisionit të Venecias, që sipas rregullave ishte e ndaluar.

“Gjithashtu ju bëj me dije, se është e provuar me fakte e prova të pakundërshtueshme, por që për etikë nuk mund të bëhen publike, se Tao Tao dhe lolot që e shoqëronin në “Venecia” janë detyruar sot të kërkonin falje me përulje para Komisionit, për keqpërdorimin politik të Draft Opinionit, për shkelje të konfidencialitetit dhe për përdorimin e “Venecias” për të keq informuar shqiptarët, duke zhvendosur vëmendjen nga problemet e vendit dhe të integrimit”, tha Tedi Blushi.

Sipas tij, Komisioni i Venecias vërtetoi sërish se Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

“Komisioni i Venecias gjithashtu ka vlerësuar maksimalisht thirrjet e Presidentit për dialog dhe përpjekjet e tij për arritjen e një kompromisi midis palëve, që ishin të rëndësishme për zgjidhjen e krizës. Kjo është e vërteta e vetme që në ditët në vazhdim do t’i bëhet e ditur çdo shqiptari!”.


“Komisioni i Venecias vëren se presidenti shqiptar nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik. Edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta ose katastrofa natyrore, Kuvendi do të duhej të miratojë legjislacion të posaçëm për të shtyrë zgjedhjet”, vë në dukje deklarata, sipas së cilës “në përgjigje të krizës politike në vend dhe një bojkoti zgjedhor nga disa parti të mëdha politike, Presidenti fillimisht anuloi dhe më pas shtyu zgjedhjet vendore. Edhe nëse parlamenti do të konstatonte se Presidenti tejkaloi kompetencat e tij, Komisioni i Venecias vë në dyshim nëse ky veprim ishte i një karakteri të tillë sa për të vërtetuar nje “shkelje serioze”.

Ekspertët nënvizojnë thirrjet e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë se shtyrja e zgjedhjeve mund të kishte kontribuar në një kompromis midis palëve dhe “theksojnë mungesën e një sfide të drejtpërdrejtë ndaj Dekreteve të Presidentit përpara gjykatës”.

Për më tepër, vë në dukje deklarata, zgjedhjet vendore nuk kanë të njëjtin status kushtetues si zgjedhjet parlamentare. Ekspertët thonë se edhe nëse Kuvendi do të përcaktonte seriozitetin e shkeljeve, kjo nuk duhet domosdoshmërish të çojë në shkarkim, duke marrë parasysh fuqinë e Seancës Plenare të parlamentit për të marrë parasysh qëllime të tjera kushtetuese, siç janë ruajtja e kontrolleve dhe ekuilibrave dhe stabilitetit në vend. Nëse Kuvendi do të vendoste në favor të shkarkimit, në fund do t’i takonte Gjykatës Kushtetuese, e cila aktualisht nuk funksionon, të konfirmojë nëse vendimet e Presidentit janë shkelje “serioze” që do të justifikonin shkarkimin e tij”, përfundon deklarata./ Opinion.al

Share: