Home KRYESORE Dhjetë pike mbi Alvinin (e fundit, pastaj e mbyllim).

Dhjetë pike mbi Alvinin (e fundit, pastaj e mbyllim).

Nga Darien Levani

Gjatë javëvë të fundit, çfarë nuk kemi duruar, e gjithmonë kam menduar që do i laja disa hesape sapo djali të ishte i sigurt (Today I settled all family business, so don’t tell me that you’re innocent). Tani as nuk e kam më atë dëshirë, por disa gjëra ndoshta duhen thënë.

1) Kjo histori është si ato filmat e bukur që kur mbaron filmi, fillojnë titra pafund. Titrat janë falenderime për: Prokurorinë e Milanos, forcat italiane ROS, SCIP, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, Gjysëm Hëna siriane, Farnesina, Ministria e Brendshme shqiptare, Presidenti i Republikës, qeveritë siriane, libaneze dhe ajo kurde (ok ok, e di), Ambasade shqiptare dhe Konsullata shqiptare në Itali, Interpol, Ambasada italiane në Beirut, Kryeministrat Rama dhe Conte, e natyrisht do kem harruar dikë. Të fillosh të diskutosh sot se kush ka më shumë merita, kush meriton 10 me flamur + yll e kush nuk ka notë kaluese, është humbje kohe. Është humbje kohe sepse çfarë ka ndodhur tamam e si ka ndodhur tamam nuk do dihet kurrë. Është humbje kohe sepse është si të pyesësh se kush është hallka më e rëndësishme e një zinxhiri: nuk ka, nëse mungon edhe një hallkë e vetme, zinxhiri prishet. Mendoj që ata që kanë folur shumë kanë punuar pak, e ata që kanë folur pak kanë punuar shumë, por është thjesht një ide e imja. Por nëse do e bëjmë këtë muhabet, meritën kryesore e ka babai që nuk është dorëzuar kurrë, e çfarë ka hequr ai këto pesë vitet e fundit do kishte konsumuar jo një, po dhjetë a njëqind burra. Pra pa të kjo nuk do kishte ndodhur kurrë!

2) Shumë njerëz e kanë përdorur djalin si kopaç për t’i rënë këtij apo atij e për të parë kudo vetëm të keqen. A të themi të kundërtën? A mund të themi që Shteti italian e ai shqiptar kanë bërë një punë shumë të ndërlikuar në një kohë shumë të vogël? A të themi që gjithë ky operacion ka qenë gati një mrekulli sepse të bien dakord kaq shumë istitucione të ndryshme në Shtete të ndryshme me interesa të ndryshme, është një rezultat shumë i madh? A shikojmë njëherë anën pozitive? Të tjerat janë pallavra, janë humbje kohe, janë muhabete për të pasur vëmëndje të kotë!

3) Jemi më të mirë se sa mendojmë! Sidomos javët e fundit jemi mbytur nga mesazhe pafund nga qytetarë të thjeshtë që donin që të ndihmonin (faleminderit pafund)! Pa interes, pa ide të qarta, por të bindur që është bërë një padrejtësi e cila na prek të gjithëve e që duhet vënë në vend. Disa prej tyre na kanë ndihmuar edhe konkretisht, me kontakte, me mbledhje informacioni, me studime të kësaj apo asaj situata. Duket pak por është shumë. Nuk po i përmend emrat e tyre sepse ndoshta as nuk kanë dëshirë, por ata e dinë se kush janë! Është një Shqipëri e mirë, shumë e mirë.

4) Jemi më naiv se sa mendojmë. Sidomos javët e fundit jemi mbytur nga mesazhe pafund nga qytetarë të thjeshtë (faleminderit pafund) e secili prej tyre e kishte gati zgjidhjen: të shkojnë ta marrin me një grup rambosh, të paguhet ky apo ai, të korruptohet ky apo ai, t’i kërkojmë ndihmë një kushëriri tim që ka djalin e tezes martuar me një sirian që punon te Vodafone. Më duket se kemi një vizion tepër i thjeshtë i gjërave. Duam që gjërat të jenë të thjeshta e të zgjidhen me ndonjë allësh-verish. Por gjërat janë të ndërlikuara e nuk kemi çfarë t’i bëjmë.

5) Kush e inkuadron këtë histori vetëm me emra të përveçëm (roli i Ramës, i Contes, i Gazhelit, i Lleshit) jo vetëm gabon, por edhe rrezikon që të mos ta kuptojë plotësësht. Këtu nuk bëhet fjalë për vullnetin e këtij apo atij, por për shumë istitucione e shumë Shtete që duheshin vënë në lëvizje.

6) Kritika e vetme që personalisht mund t’i bëj Shtetit shqiptar është që nuk e ka bërë prioritet absolut këtë problem që më para. E ka ndjekur, natyrisht, e ka bërë shumë punë të çmuar, por nuk ka arritur që ta mbyllte në kohë. Por edhe kjo vonesë ka arsyet e veta: identifikimi i shqiptarëve në Al Hawl është 1000 herë më i vështirë se sa na e merr mendja, fati i të rriturve nëse kthehen është një pyetje e madhe që duhet vendosur në nivel politik, e askush, as analisti më i shkalluar nuk mund të imagjinonte që amerikanët do tërhiqnin trupat duke prishur shumë ekuilibra. Por si përfundim, për publikun e gjerë gjërat janë të thjeshta: u bë keni punuar mirë, nuk u bë keni punuar keq, të tjerat nuk na interesojnë. Ndonjëherë dikush duhet të ulet nga ana e fajit, edhe sepse të gjithë vendet e tjerë janë të zënë!

7) Roli i mediave ka qenë i rëndësishëm, duke filluar nga gazetarët e Le Iene që, megjithë rrezikun, i dhanë një vizibilitet të gjerë ndërkombëtar. Përtej kësaj, ama, mendoj që publiku nuk ka të drejtë që të dijë gjithmonë gjithça në momentin kur ndodh nëse kjo prish punë. Në ditët më të vështira, në fillim të nëntorit po ndodhte kjo: ato shumë hallkat e atij zinxhirit më sipër, po bënin një operacion që askush nuk kishte bërë më para e ku askush nuk kishte eksperiencë. Një operacion Top Secret, për të cilin të gjithë dinin gjithçka dhe e komentonin live. Kjo mund të prishte shumë punë, kjo mund të prishi akoma shumë punë në të ardhmen. Përtej kësaj: ishte bërë e zakonshme, për mua e për babain, që të përgjigjeshim në telefon e të thoshim “Alo”, e na informonin “Jemi në transmetim direkt në emision, çfarë mendoni për…”. Nuk është një mënyrë korrekte për të punuar e për të informuar në një rast të tillë.

8) Puna vazhdon, puna duhet të vazhdojë, është hapur një kanal e duhet të përdoret për të tjerë. Mendoj ama se duhet bërë me shumë shumë shumë shumë shumë kujdes. Çdo informacion që bëhet publik për shqiptarët e tjerë akoma në Siri i vë ata në rrezik! Kjo bëhet me të mirë, për të sensibilizuar publikun e për të kërkuar përgjigje, por sa herë që jepen informacione që nuk dihen mbi shqiptarët e tjerë që janë akoma në Al Hawl e mbi vendndodhjen e saktë të tyre, u rritet rreziku për jetën!

9) Për publikun e gjerë historia ka mbaruar, për familjen ajo sapo ka filluar e do jetë me siguri një histori e lumtur. Dhe më e mira për djalin, sot, është që të fiket vëmëndja, që të fillojë jetën e tij larg telekamerave. Nëse duam që ta ndihmojmë, duhet ta lejojmë që të nisi një jetë normale. E meriton!

10) Fund.

Share: