Home KRYESORE Ndalini daullet, reforma në drejtësi një gërmadhë që po shkërrmoqet

Ndalini daullet, reforma në drejtësi një gërmadhë që po shkërrmoqet

Nga Andi Bushati

Ndërsa opinioni publik po helmohet prej ditësh me qëndrimet e partizanëve të barrikaduar pro Ramës, apo pro Metës, për anëtarët që duan të çojnë në gjykatën kushtetuese, fokusi po humbet nga një çështje më e madhe: dështimi katastrofal i Reformës në Drejtësi.

Nëse njëra palë mëton ta shpjegojë gjithë historinë me frikën e presidentit që i trembet ndëshkimit nga SPAK dhe tjetra dëshirës së Ramës për të kapur drejtësinë, pas grabitjeve kolosale që ka kryer, ne po vëzhgojmë se si shembet para syve tanë, gërmadha e dizenjuar keq e asaj që na e kanë shitur si një “histori suksesi”.

Dhe shembujt për këtë janë flagrantë.

Le t’i kthehemi vetëm asaj që ndodhi sot. Besnik Muçi, anëtari më fringo i kushtetueses, i sapo dekretuar nga presidenti, u dogj për pasuri të papërligjur nga vetting-u. Ai nxitoi t’a injoronte këtë fakt duke pretenduar përmes një kleçke imorale, se ai ishte vettuar si prokuror, ndërsa si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ligji nuk e detyronte t’i nënshtrohej këtij lloj kontrolli.

Por, përtej moralit dhe ndërgjegjjes të Besnik Muçit, ne publiku, që na është thënë të besojmë tek reforma në drejtësi, jemi të detyruar të ngremë pyetjen: si ka mundësi që arkitektura e re e revolucionit juridik të Lu-së dhe Vlahutin, lejoka që një njeri që ligji e “digjkërka” si prokuror, mund t’u bëka, pa i hyrë ferrë në këmbë, anëtar i Kushtetueses? Mos vallë sepse e gjithë ngrehina e re është dizenjuar për t’i hapur rrugën personave të veçantë dhe tani prej saj po përfitojnë edhe të tjerë të paparashikuar?

Apo thjeshtë sepse, nën diktatin e nxitimit, ata që donin më shumë shpejtësinë sesa cilësinë, kanë gatuar një çorbë që askush nuk i jep dot më drejtim?

Le të vazhdojmë më tej. Rasti i Besnik Muçit të përzgjedhur nga presidenti, është tipik me atë të dy zonjave që u votuan për në kushtetuese nga rilindja. Edhe ato, në konkursin të cilit iu nënshtruan, rezultuan të paafta për të fituar gradën e magjistranteve. Por megjithëse ngelën në një “provim” për një detyrë më të ulët, u kualifikuan si të afta për t’u katapultuar në kushtetuese.

A nuk është edhe ky një nonsens për arkitekturën lëmsh e li të reformës së re në drejtësi?

Pa dyshim që po, por për të shkuar më tej, produktet e këtyre kundërthënieve, në votimin e parë me të cilin u përballën në kushtetuese, u ndanë në mënyrë strikte si të politizuar. Ata që mbroheshin nga presidenti votuan pro interesit të tij. Ato që mbroheshin nga kryeministri, ashtu siç i volit mazhorancës.

Të gjithë sëbashku, e humbën që në start besimin e publikut dhe  dorëzuan shumë nga integriteti i tyre profesional.

A nuk do të qe në moralin e Besnik Muçit të jepte dorëheqjen pas asaj që ndodhi, pavarësisht se si e interpreton ai ligjin?

A ka më fytyrë të shtiret si e pavaruar, Arta Vorpsi, pas shfaqes të denjë për “Portokalli” që dha tek noteri?

A mund ta pranojë pa brerje ndërgjegjjeje Marsida Xhaferllari dekretin presidencial, që pavarësisht lojrave meskine që iu bënë, u nënshkrua në përfundim të afatit 30 ditor që i njeh ligji?

E pra, këto pyetje që do t’i shtronte secili njeri normal, i pavarur dhe me bonsens, nuk i shkojnë nëpër mend asnjërit prej anëtarëve të rinj të kushtetueses, gjë që tregon se ata nuk janë aty si kryqtarë të drejtësisë së shpresës për në nesërmen, por si përfaqësues të ekulibrave të politikës së vjetër.

Pikërisht në këtë derexhe degradoi Reforma në drejtësi, e votuar në kuvend duke shantazhuar deputetët, e mbështetur me para euro- atlantike dhe e propaganduar me videot e ambasadës amerikane.

Po t’i shtosh asaj edhe dhjetra gropa të tjera, si ngërçi për funksionimin e shkollës së magjistraturës, kalvari sorollatës për të ngritur KLP dhe KED, konkluzione skandaloze të Vettingut, si ato për Donika Prelën, një zgjedhje “sui generis” si ajo e Arta Markut, nuk e ke të vështirë të shohësh përmasën e dështimit.

Lexo me tej:

Ai vjen kryesisht nga dy gjëra: nga një nismë që u konceptua si eksperiment me kavie në laborator dhe nga vullneti i pushtetit për të shfrytëzuar defektet e këtij eksperimenti.

Prandaj, këtej e tutje, sa herë flasim për reformën në drejtësi, duhet të bëjmë të heshtin ata që vazhdojnë t’u bien daulleve të suksesit.

Në çdo pikë ku ta kapësh, përpara se të ofrojë zgjidhje, ajo po shkakton probleme. Ndosha dhe për këtë fakt, apo ndoshta se kanë kuptuar përmasën katastrofale të eksperimentit që u provua tek ne, fqinjët tanë po refuzojnë të pranojnë eksportimin e tij nga BE në vendet e tyre./Lapsi.al

Share: