Home KRYESORE “SHISH informoi Presidentin”, Zeneli: Lexuam informacionin “top secret”

“SHISH informoi Presidentin”, Zeneli: Lexuam informacionin “top secret”

Vendimin e tij për të anuluar zgjedhjet vendore të 30 qershorit, Ilir Meta e mori pas informacioneve të marra nga Shërbimi Informativ Shtetëror se në protestën e opozitës në 8 qershorin e këtij viti do të kishte dhunë të shtuar, madje një grup i protestuesve do ndërmerrnin edhe aktin e djegies së Parlamentit.

Paraditen e të premtes në duart e ligjvënësve të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës të pajisur me certifikatën e nivelit më të lartë të sigurisë u vu në dispozicion dokumenti “Top Secret” i mbërritur nga institucioni i Presidencës.

Nënkryetari i Komisionit Hetimor, Alban Zeneli sqaron për ABC News se tani që deputetët janë njohur me arsyet e Kreut të Shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit do të jenë të lirë të gjykojnë mbi seriozitetin e situatës mbi të cilën mund të shkonte vendi.

“Presidentit të Republikës i është dërguar nga institucionet sigurisë kombëtare siç është SHISH. Di të them se është në atributin e gjithsecilit për të thënë që e ka shtuar apo e ka zvogëluar mendimin se a duhet të shkarkohet apo jo Presidenti i Republikës”, deklaroi Zeneli.

Zeneli flet për një nismë që maxhoranca e ka tashmë gati dhe pritet ta depozitojë në Kuvend për hetim të thelluar të Presidentit Meta edhe në lidhje me emërimin e anëtarëve të rinj të gjykatës kushtetuese.

“PS po përpiqet dhe ka bërë një kërkesë, që do e sjellë në Kuvendin e Shqipërisë, duke shtuar afatin e hetimit nga ky komision, dhe kërkon të shtojë objektin e hetimit në këtë komision”, thekson Zeneli.

Deputeti i opozitës ka bindjen se Komisioni Hetimor që po heton shkeljet kushtetuese të Presidentit Meta nuk do të ketë një produkt final, pasi sipas tij gjithmonë në situata të tilla aktorët kryesore politikë kanë gjetur rrugën për të mbyllur pazarin e radhës.

Kuvendi i ka caktuar 8 dhjetorin si datën finale Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta për të dalë me një raport final, ndërkohë që shumica ka garantuar se nga ky komision çdo President do të kuptojë se është guxim i madh të shkelësh kushtetutën e vendit.

Share: