Home KRYESORE Sondazhi/ A e duan shqiptarët bashkimin kombëtar? Çudia, më shumë këtu sesa...

Sondazhi/ A e duan shqiptarët bashkimin kombëtar? Çudia, më shumë këtu sesa në Kosovë

A e duan shqiptarët bashkimin kombëtar? Ku janë më të gatshëm për ta arritur atë, në Shqipëri apo në Kosovë? Cilat janë pengesat dhe sa janë pro kapërcimit të tyre? Këtyre pyetjeve u përgjigjet një sondazh i zhvilluar në dy anët e kufirit nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KFOS) dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipëri (OFSA).

Pyetsori është realizuar në periudhën tetor- nëntor 2018. Gjithsej janë intervistuar 2.504 qytetarë: 1.200 në Shqipëri dhe 1.304 në Kosovë (1.004 shqiptarë dhe 300 serbë), njofton Klan Kosova.

Ky sondazh është strukturuar në pesë blloqe kryesore: 1. Njohuritë dhe kontaktet me njëri- tjetrin; 2. Qëndrimet dhe stereotipat; 3. Vlerat dhe besimet; 4. Politikat e përbashkëta; 5. Qëndrimet ndaj bashkimit dhe dialogut Kosovë- Serbi.

Sa i përket dëshirës për arritjen e bashkimit kombëtar, 63 për qind e të pyeturve në Shqipëri dhe 54 për qind e të pyeturve në Kosovë janë deklaruar se duan që ky bashkim të arrihet.

16 për qind e të pyeturve në Shqipëri dhe në Kosovë nuk e duan bashkimin kombëtar. Shumica e tyre janë nga rajonet urbane, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Gjeografikisht, të anketuarit në rajonin e Prishtinës dhe në Shqipërinë Qendrore e përbëjnë shumicën e qytetarëve që janë kundër bashkimit kombëtar.

Të pyetur nëse janë të vullnetshëm për ta paguar një taksë, e cila do ta mundësonte bashkimin kombëtar, gatishmëria e të pyeturve zvogëlohet, sepse 29 për qind e të pyeturve në Shqipëri dhe 49 për qind e të pyeturve në Kosovë pajtohen me këtë.

Sikur do t’iu ofrohej mundësia për të votuar në referendum, 75 për qind e shqiptarëve në Shqipëri dhe 64 për qind e shqiptarëve në Kosovë do të votonin për bashkimin kombëtar.

Ata që e kundërshtojnë bashkimin në një shtet japin arsye të ndryshme, ndër të cilat më e shpeshta ka të bëjë me besimin se shtetet respektive të Kosovës dhe Shqipërisë funksionojnë më mirë si të ndara.

Gjithashtu, një qëndrim i shpeshtë i kundërshtarëve të bashkimit është i bazuar në dallimet kulturore dhe ato të traditës mes shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë.

– Besueshmëria në “mundësinë reale të arritjes së bashkimit kombëtar” ka pësuar rënie të konsiderueshme kur qytetarët janë pyetur për aspektin real të zbatimit, sepse vetëm 23 për qind e shqiptarëve të Shqipërisë dhe 17 për qind e shqiptarëve të Kosovës janë deklaruar që ky projekt është i mundshëm edhe praktikisht.

– Dallime mes shqiptarëve në Shqipëri dhe shqiptarëve në Kosovë ka edhe në perceptimin e realizueshmërisë së idesë së bashkimit kombëtar.

Derisa shqiptarët në Shqipëri mendojnë që “bashkësia ndërkombëtare” është faktori kryesor që ka fuqi ta mundësojë këtë ide, për shqiptarët e Kosovës këtë kryesisht mund ta bëjnë “liderët e Kosovës dhe Shqipërisë”.

Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, qytetarët të cilët mendojnë se bashkimi kombëtar nuk mund të bëhet e konsiderojnë bashkësinë ndërkombëtare si pengesën më të madhe.

Si pengesën e dytë më të madhe në Shqipëri e shohin kundërshtimin e Serbisë, ndërsa në Kosovë – shtetet e rajonit tonë në përgjithësi.

Në kategorinë e qytetarëve që i besojnë realizimit të bashkimin kombëtar, shumica në Kosovë thonë se kjo do të ndodhë brenda 5 vjetëve (39 për qind), ndërsa shumica në Shqipëri konsiderojnë se do të ndodhë brenda 10 vjetëve.

42 për qind e qytetarëve në Kosovë dhe 37 për qind e qytetarëve në Shqipëri mendojnë se “bashkimi kombëtar” dhe “anëtarësimi në BE” i Kosovës dhe Shqipërisë janë procese që e kundërshtojnë njëri – tjetrin.

Nëse do t’iu duhej ta zgjidhnin vetëm një opsion, këta respondentë do t’i jepnin prioritet “anëtarësimit në BE” para “bashkimit kombëtar”.

Burimi: Klan Kosova

Share: