Home KRYESORE Urdhri i Bashës në PD: Të gjithë në terren, asnjë përdorim politik

Urdhri i Bashës në PD: Të gjithë në terren, asnjë përdorim politik

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka përcjellë një urdhër strukturave të PD në lidhje me menaxhimin e situatës së krijuar nga tërmeti.

Në urdhrin e datës 27 nëntor Basha i kërkon strukturave të shtojnë praninë e tyre në terren për të evidentuar dëmet dhe të interesohen nëse ato janë adresuar sic duhet në strukturat shtetërore.

Secili grup, nën orientimin e drejtuesit të strukturës së partisë në zonë (anëtar Kryesie Dege dhe Kryetar Grupseksioni/Seksioni), lëviz në të gjithë zonën, takojnë qytetarët e dëmtuar nga tërmetet, shikojnë kushtet ku ata jetojnë, dokumentojnë dhe evidentojnë kushtet dhe nevojat, mbledhin problematikat që raportojnë qytetarët dhe interesohen nëse strukturat shtetërore i kanë ofruar ndihmë apo i kanë kontaktuar.”

Basha ka urdhëruar që të shmanget cdo dalje publike ose reagim personal në rrjete sociale në mënyrë që të mos ketë asnjë përdorim politik të situatës. Ai ka kërkuar raportim institucional të gjendjes dhe jo denoncime individuale.

Qëllimi nuk është të përdorim politikisht fatkeqësinë e madhe që na ka ndodhur, por t’i vijmë në ndihmë qytetarëve, prandaj duhet të shmanget çdo dalje publike apo reagim personal në facebook/twitter, që mund të merret si përdorim politik i fatkeqësisë. Dëmet apo problematikat, dokumentohen dhe evidentohen (me video, foto, dëshmi), por nuk bëhen publike në mënyrë individuale. Ato raportohen tek Koordinatorët për secilën bashki, dhe këta të fundit më pas, në konsultim me Kryetarin e Partisë dhe/ose Sekretarin e Përgjithshëm, vlerësojnë sesi do të trajtohet çështja.

Kryetarët e Degëve ngarkojnë Kryetarët e Grupseksioneve dhe strukturat lokale të partisë, që jo vetëm të shoqërojnë grupet e punës, por të evidentojnë paraprakisht zonat, banesat dhe qytetarët që kanë patur probleme nga tërmetin dhe që do të merret kontakt. Evidentimi bëhet pa asnjë dallim partiak. Takohet kushdo dhe interesohemi për nevojat për ndihmë që kanë qytetatarët dhe pasojat që kanë patur nga tërmeti.” /Opinion.al

Share: