Home KRYESORE Drafti/ Si do të funksionojë sigurimi i detyrueshëm banesave nga tërmeti

Drafti/ Si do të funksionojë sigurimi i detyrueshëm banesave nga tërmeti

“Monitor” zbardh draftin konfidencial që parashikon “shtetëzimin” e industrisë së sigurimeve për tërmetet. Do paguajmë me detyrim 15-25 euro për sigurim banese dhe kompensimi në rast dëmesh do të jetë nga 15 mijë deri në 25 mijë euro.

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, qeveria dhe Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare (AMF) kanë nxjerrë nga “pluhuri” projektligjin, që detyron të gjithë qytetarët ta bëjnë të detyrueshëm sigurimin e banesave nga tërmetet. Drafti teknik paraprak është hartuar në kuadër të Projektit mbi asistencën teknike të Bankës Botërore të financuar nga FIRST dhe rregullon sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmeti në Republikën e Shqipërisë.

Shuma e sigurimit, sipas këtij Ligji, është shuma e garantuar e dëmshpërblimit, për të gjitha dëmet e ndodhura në pronën e sigurueshme, të shkaktuara nga një apo disa ngjarje tërmeti të ndodhura gjatë periudhës së vlefshmërisë së një kontrate të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet.

Primet sipas banesave nga 15-25 euro/vit

Projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga katastrofat ka ndarë disa lloje ndërtimesh. Lloji i Ndërtimit” A (Beton i armuar): nënkupton strukturat e siguruara, qoftë skeletit betonarme ose skelet beton arme me mbushje murature ose muraturë, të cilat janë të projektuara për t’i bërë ballë ngarkesave anësore. “Lloji i Ndërtimit” B (Muraturë e të tjera): nënkupton të gjitha strukturat e siguruara që nuk përfshihen në Kategorinë e Ndërtimit A (Beton i armuar).

Sipas ligjit, primi i sigurimit nënkupton koston financiare që duhet të paguhet për marrjen e mbulimit të sigurimit, sipas këtij Ligji. Primet e sigurimit paguhen nga pronari i pronës së sigurueshme ose si një shumë e barabartë me primin vjetor të sigurimit para fillimit të sigurimit të detyrueshëm për tërmetin. Primi i sigurimit do të jetë 25 Euro, për risqet e siguruara për ndërtimet me beton dhe 15 Euro, për risqet e siguruara nga ndërtimet me muratura të tjera.

Kompensimi në rast dëmi ose shuma e sigurimit duhet të jetë e barabartë me kufirin e saj të detyrueshëm, me ekuivalentin e 25,000 Euro për llojet e ndërtimit A dhe 15,000 Euro, për llojet e ndërtimit B. Pjesa e zbritshme është në nivelin e 2 (dy) për qind të vlerës së dëmit edhe mbulohet nga subjekti i siguruar për çdo dëm që shkaktohet nga ngjarjet e tërmetit të mbuluara nga sigurimi i detyrueshëm ndaj tërmeteve. Ky sigurim mbulon gjithashtu sendet brenda banesës, deri në 10 (dhjetë) për qind të shumës së sigurimit në varësi të llojit të objektit të siguruar.

Ky sigurim i detyrueshëm tërmeti përjashton si më poshtë: humbjet që lidhen me heqjen e mbeturinave, fitimin e munguar, ndërprerjen e biznesit, humbjen e qerasë, banesë alternative dhe shpenzimet e zyrës, detyrimet ligjore dhe humbjet e ngjashme pasuese; të gjitha lëndimet trupore duke përfshirë edhe vdekjen; kërkesa për kompensim të dëmeve morale dhe humbjet përveç atyre të shkaktuara nga tërmeti dhe zjarri, shpërthimi, tsunami, rrëshqitje e tokës, ulje (zhvendosje) të shkaktuara nga tërmeti .

Bashkia paguan primet për banesat sociale

Pronarët e pronës së sigurueshme duhet të lidhin një kontratë të vlefshme të sigurimit të detyrueshëm nga tërmeti në përputhje me dispozitat e këtij ligji, si dhe të sigurojë rinovimin e saj çdo vit. Detyrimin për të lidhur kontrata të detyrueshme të sigurimit të tërmetit e kanë edhe banesat sociale, pronare e të cilave është bashkia. Bashkitë do të financojnë primet përkatëse nga buxhetet e tyre. Buxheti i shtetit është përgjegjës për financimin e primit të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetit për personat me ndihmë ekonomike. Kriteret dhe procedurat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

AMF nuk përfshin përmbytjet në projektligj

Në fakt AMF e mbështetur nga Banka Botërore ka propozuar prej vitesh projektligjin për sigurimin e detyrueshëm nga katastrofat, por siç ndodh rëndom, institucionet shqiptare kujtohen vetëm pas ngjarjeve për të bërë sigurimin e rreziqeve. Versioni i fundit i projekt ligjit ka përjashtuar përmbytjet, të cilat ishin shqetësuese dhe me shumë dëme vitet e kaluara, por nuk janë përfshirë në ligj.

Drafti parashikon krimin e Agjencisë Shtetërore për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmeti, e cila në fakt më shumë do jetë si një shoqëri sigurimi shtetërore, i njëjtë me modelin e “Korporatës së Investimeve”. Njëlloj si shoqëritë e licencuara të sigurimit, të cilat e kanë pjesë të licencës sigurimin nga tërmeti, Agjencia do të mbikëqyret nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, por në fakt statusin do ta ketë si person juridik.

Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmeti mbulon humbjet financiare të pësuara nga i siguruari për shkak të dëmeve të drejtpërdrejta të ndodhura në pasurinë e siguruar, të shkaktuara nga ngjarjet e tërmetit, sipas kritereve të përcaktuara me këtë ligj. Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmeti zbatohet për llojet e mëposhtme të pronave, të cilat janë të regjistruara në regjistrin e pasurive të paluajtshme:

  1. Banesa;
  2. Seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi shitje, zyra apo për qëllime të ngjashme.

Por projektligji parashikon përjashtime pasi sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmeti nuk zbatohet për pronat e mëposhtme: ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër- kallami ose të ngjashme dhe ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.

Sipas përkufizimeve, “Sigurim i detyrueshëm i banesave nga tërmeti”: nënkupton detyrimin e pronarit ose mbajtësit të çertifikatës së përdorimit të pronave të listuara, për të lidhur një kontratë sigurimi për të mbuluar humbjet financiare si rezultat i dëmeve të drejtpërdrejta të ndodhura në banesa, për shkak të tërmeteve. “Banesë”: nënkupton një ndërtesë rezidenciale ose pjesë të një ndërtese rezidenciale, që përdoret për qëllime banimi nga një ose më shumë persona bashkërisht.

Banesa nuk përfshin tokën që ndodhet nën strukturën e banesës ose jo edhe nëse kjo shërben për mbështetjen apo instalimin e saj. Banesa nuk përfshin ndonjë strukturë përveç strukturës rezidenciale me përjashtim të rasteve kur struktura (1) ndan një mur të përbashkët ose një çati në vazhdimësi me strukturën rezidenciale ose shtëpinë lëvizëse ose (2) është ngjitur me strukturën rezidenciale ose shtëpinë lëvizëse përmes një themeli, i cili është në vazhdimësi të themelit me strukturën rezidenciale.

Ligji përcakton se ngjarje tërmeti nënkupton një tërmet i cili ka ndodhur në Shqipëri ose rajonet ngjitur dhe ka sjellë dëme në Shqipëri, i raportuar nga Autoriteti Kombëtar i cili është autorizuar të masë tërmetet. Të gjithë tërmetet pasuese (paslëkundjet – aftershocks) si dhe zjarri, shpërthimi, rrëshqitjet e tokës apo ulje (zhvendosje) të shkaktuar nga lëkundjet pasuese, që ndodhin gjatë një periudhe kohore prej shtatëdhjetë e dy orësh nga zhvillimi i Ngjarjes së Tërmetit, do të vlerësohet si pjesë e Ngjarjes së Tërmetit.

Rrëshqitje toke nënkupton një fenomen gjeologjik, i shkaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga një ngjarje tërmeti, e cila përfshin një rreze të gjerë të lëvizjes së tokës si rënie shkëmbinjsh, rrëzimi i skarpateve, dhe prurjeve të mbeturinave në sipërfaqe të cekëta.

Kontratat e sigurimit                       

Kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmeti bëhet me shkresë, me anë të dëshmisë së sigurimit (policës së sigurimit). Kontrata e sigurimit me shkrim është e vlefshme edhe në rastet kur është hartuar në formën e një dokumenti elektronik në përputhje me dispozitat e ligjit për nënshkrimin elektronik dhe për dokumentin elektronik.

Kontratat e sigurimit duhet të përmbajë të paktën elementët e mëposhtëm:

a) Emri dhe adresën e të siguruarit dhe Agjencisë;

b) Objektin e kontratës;

c) Detaje mbi pronat e sigurueshme;

d) Rreziqet e mbuluara dhe përjashtimet ose ndonjë kufizim nga mbulimi;

e) Datën e fillimit dhe mbarimit të kontratës së sigurimit;

f) Shumën e siguruar (kufirin e detyrueshëm);

g) Primin e sigurimit dhe procedurën e pagesës.

Kushtet e kontratës hartohen nga Agjencia, e cila i depoziton në Autoritet për miratim. Autoriteti kthen për korrigjim kushtet e kontratës në rastet kur vlerëson se ato nuk janë hartuar në përputhje me parashikimet e këtij ligji. Kushtet e kontratës të miratuara nga Autoriteti, publikohen në faqen zyrtare të internetit të Agjencisë. Çdo ndryshim i kushteve të kontratës hartohet dhe miratohet sipas të njëjtës procedurë të përcaktuar në këtë pikë për miratimin e kushteve të kontratës. Periudha e vlefshmërisë së një kontrate të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet është një vit. Kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet hyn në fuqi në orën 24:00 të datës së shënuar në policën e sigurimit si datë e fillimit të saj me kusht që të jetë paguar më parë primi dhe përfundon në orën 24:00 të datës së shënuar në policën e sigurimit si datë e përfundimit të saj. Nëse primi nuk paguhet në kohë, sigurimi pezullohet deri në orën 24:00 të ditës kur paguhet primi. Kur pronësia ndryshon gjatë periudhës së vlefshmërisë së kontratës, kontrata e detyrueshme e sigurimit nga tërmeti do të mbetet e vlefshme në emër të pronarit të ri. Pronari i ri është i detyruar të informojë Agjencinë për ndryshimin e pronësisë brenda 10 ditëve kalendarike nga data e ndryshimit të pronësisë.

Si do të paguhen dëmet

Rregullat për trajtimin dhe pagesën e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmeti, hartohen nga Agjencia dhe miratohen nga Autoriteti. Agjencia mund të delegojë trajtimin dhe pagesën e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmeti. Procedurat për trajtimin dhe pagesën e dëmshpërblimit përcaktohen me rregullore të miratuar nga AMF.

Agjencia krijon një regjistër kombëtar të dëmeve të sigurimit të detyrueshëm nga tërmeti (bazë të dhënash) të integruar plotësisht me regjistrin e kontratave të lidhura të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet dhe që evidenton fazat e procesit të trajtimit dhe pagesës së dëmeve, që rrjedhin nga këto kontrata.

Vlera e dëmshpërblimit për dëme që rrjedhin nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet nuk kalon në asnjë rast kufirin e shumës së siguruar të përcaktuar në policën e sigurimit.

Trajtimi  i ankesave

Çdo i siguruar/përfitues ose persona të tjerë të interesuar ka të ka të drejtë të paraqesë ankesë pranë Agjencisë në rast se nuk respektohen parashikimet e kontratës së sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet. Agjencia është e detyruar të përgjigjet çdo ankese të depozituar me shkrim apo në formë elektronike dhe të japë çdo informacion të kërkuar që ka lidhje me kontratën e sigurimit, brenda 15 ditëve pune nga data e marrjes së kërkesës. Agjencia krijon një sistem të brendshëm për trajtimin e ankesave dhe procedura të brendshme për trajtimin dhe zgjidhjen e këtyre ankesave. I siguruari/përfituesi ose persona të tjerë të interesuar ka të drejtë t’i drejtohen Autoritetit për çdo pakënaqësi të trajtimit të ankesës së tij nga Agjencia. Autoriteti, kur e gjykon të nevojshme, i kthen për rishqyrtim Agjencisë çështjen për të cilën është paraqitur ankim. Autoriteti, brenda kompetencave të tij mbikëqyrëse, ka të drejtë të kontrollojë nëse Agjencia zbaton kërkesat e ligjit dhe kushtet e kontratës së sigurimit./ Burimi: monitor.al

Share: