Home KRYESORE Festat dhe dhuratat! Nga Gladiola Jorbus

Festat dhe dhuratat! Nga Gladiola Jorbus


Dhurata është një gjest sa human, aq ndjenjësor. Kur bën një dhuratë, ti i fal dikujt tjetër një pjesë tënden. E nëse dhurata është dorëzuar befasishëm, ajo është edhe më e bukur, sepse simbolizon dhuratën e dhënë pa pritur asgjë në këmbim.

Dhënia e saj duhet të jetë jo vetëm e natyrshme, por shprehje e vërtetësisë së zemrës. Për këtë arsye; dhurata duhet të jetë e lirë nga detyrimet, përgjegjësitë, e sinqertë, e thellë, shenjë shprehëse e diçkaje më të madhe se vetë gjesti.

Ndoshta dhurata mund të shërbejë për të shprehur atë, që nuk e shprehin dot as fjalët. Dhurata është vula e dashurisë dhe e përkujdesjes në heshtje, por që mbetet dashuri. Ajo shpreh unikalitetin e marrëdhënies midis marrësit e dhënësit.

Në qoftë se dhurata bëhet në kuadrin e një feste të caktuar, apo sepse shoqëria të imponon; meqë erdhën Krishtlindjet, Viti i Ri, Shën Valentini, Festa e Nënës apo çfarëdo festë tjetër komerciale që vret frymën e dhuratës, atëherë më vjen keq, por kjo i ngjan dashurisë që blihet me para; dhurata është bërë sepse duhet bërë , jo sepse lindi natyrshëm nga thellësia e zemrës. Ndaj dhuratat nuk bëhen me komandë.

Dëshira për të dhuruar, për të surprizuar e për të kënaqur dikë duhet të burojë nga shpirti dhe jo të urdhërohet nga histerizmi kolektiv a ndonjë aksh arsye tjetër. Meqë jemi pranë festës së bukur e domethënëse të Krishtlindjes, njerëzit duhet të kujtojnë faktin se foshnja Jezus nuk lindi midis luksit, por në një grazhd të varfër. Në shumë vende të botës ekzistojnë koncepte të ndryshme rreth dhuratave. Në vendet anglo-sanksone,në prag të Krishtlindjeve, fëmijët vendosnin çorape të kuqe dhe të mëdha mbi oxhak.

Santa Claus (babagjyshi i Krishtlindjeve) është përgjegjës për shpërndarjen e dhurata në natën e Krishtlindjeve, i cili ka marrë shumë letra nga fëmijët. Në Spanjë, dhuratat shpërndahen Ditën e Epifanisë në kujtim të dhuratave që mbretërit Magë i bënë Jezusit të porsalindur. Në Itali, fëmijët marrin dhurata të vogla ditën e Shën Lucias, më 13 dhjetor.

Në qytetin e Triestes ato ndahen më 6 dhjetor, Ditën e Shën Nikolas.

Dhuratat konsistojnë në lodra të vogla apo karamele, asgjë më shumë. Dita e Krishtlindjeve është Santa (Babbo Natale) i cili kalon në shtëpi me dhurata të pasura. Në fund është Befana (shtrembërim i fjalës “Epifani”), e cila në datën 6 janar, ndan karamele për fëmijë që janë sjellë mirë dhe qymyr për ata që nuk kanë qenë të tillë.

Në Gjermani është Shën Nikolas ai që u sjell sheqerka, mollë, mandarina dhe arra fëmijëve, pikërisht më 6 dhjetor. Ai vendos ëmbëlsira në çizmet ose çorapet që kanë vënë fëmijët para derës së shtëpisë. Kjo traditë gjallon edhe në Austri, Zvicër, Holandë, Belgjikë dhe në veri të Francës.

Shën Nikolas ka një libër të artë në të cilin mban shënim të gjitha virtytet apo “veset” e vogla të fëmijëve të llastuar. Në Greqi, dhuratat shkëmbehen më 1 janar, në përkujtim të Peshkopit Vasili i Madh, një nga Etërit e Kishës, pra Ditën e Shën Vasilit. Tradita e Amerikës së Veriut, pra miti i Santës përdoret gjerësisht dhe në Amerikën Latine.

Për shembull në Venezuelë thuhet se Santa bën lodra dhe pastaj ia jep ato Jezusit-Fëmijë (el Niño Dios) që t’ua dhurojë fëmijëve duke ua çuar në shtëpi. Kjo histori është një përpjekje për sintetizimin e dy traditave (kristiane dhe laike), në një botë ku ikonografia e Santa Claus-it është përhapur kudo dhe gëzon simpatinë e të gjithëve.

Në përfundim të gjithë kësaj, sugjerimi është që dhuratat të bëhen, (pse jo dhe të kushtueshme, në se është mundësi), por duhen shoqëruar me shumë puthje, përqafime, përkëdhelje e fjalë të ngrohta. Për më romantikët një CD me këngë dashurie, çokollata apo një libër do të ishin zgjedhje të përkryera.

Festat do të ishin akoma më kuptimplotë në se do të mund të falnim, mbi të gjitha lëndimin e mërinë, që më në fund në zemrat tona, të ankoroheshin besimi, toleranca, paqja, dashamirësia e vullneti i mirë.
Pikërisht për këtë duhet të shërbejnë festat, si një reflektim i gjatë për t’u përmirësuar vitin që vjen.

Share: