Home KRYESORE Presidenca reagon ashpër ndaj Vuçiç: Gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë

Presidenca reagon ashpër ndaj Vuçiç: Gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë

Presidenca i është përgjigjur ashpër deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili mohoi një ditë më parë masakrën e Reçakut.

Zëdhënësi i Metës, TediBlushi shprehet se gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë ndërsa i kerkon faktorit ndërkombëtar t’i japë përgjigjen e merituar çdo provokimi ndaj paqes e stabilitetit në rajonin tonë që i ka ende të freskëta plagët e përgjakshme të luftës.

Blushi shtoi se krimi mbetet krim, as harrohet dhe as vjetërohe sepse sipas tij popujt me kujtesë të shkurtër janë të destinuar të mbeten pa histori dhe pa të ardhme!

“GJAKU I REÇAKUT NUK BËHET UJË!

Ish-zëdhënësat e xhelatit Millosheviç dhe regjimit të tij mizor që tronditi botën me krimet monstruoze nuk mund të guxojnë më të përbuzin dhe të fyejnë viktimat e pafajshme, me deklarata të papërgjegjshme reminishencash naziskine!

Faktori ndërkombëtar duhet t’i japë përgjigjen e merituar çdo provokimi ndaj paqes e stabilitetit në rajonin tonë që i ka ende të freskëta plagët e përgjakshme të luftës.

Krimi mbetet krim! As harrohet, as vjetërohet! Sepse popujt me kujtesë të shkurtër janë të destinuar të mbeten pa histori dhe pa të ardhme!

Mirënjohje përjetë ambasadorit Walker për zbulimin dhe denoncimin para gjithë botës së Masakrës së Reçakut!

LAVDI TË PËRJETSHME MARTIRËVE TË KOSOVËS!”, shkruan Blushi.

Kujtojmë se pasi Gjykata në Prishtinë dënoi me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviç, Vuçiç e quajti një trillim maskrën e Reçakut.

“Është e frikshme. Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë e përsëris tani, krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, një mashtrues si Walker, një mashtrues”, tha Vuçiç një ditë më parë, para gazetarëve.

Ndërkaq më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen një ndër masakrat më famëkeqe në Reçak të Kosovës, ku u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur./Opinion.al

Share: