Home KRYESORE Gazeta Shqip: Si i shpërdoron taksat tona RTSH, paguan 40 mln lekë...

Gazeta Shqip: Si i shpërdoron taksat tona RTSH, paguan 40 mln lekë për një WEB që nuk e lexon askush

Në një përpjekje për të modernizuar televizionin publik, Radio Televizioni Shqiptar përgatitet të bëjë një web të ri. Edhe pse aktualisht ka një faqe web-i, ajo pothuajse inekzistente pasi nuk ka vizitor dhe lajmet që hidhen aty janë demode.

Por njësoj si në shumicën e institucioneve shqiptare, ku administrata është e fryrë dhe shpërdorimi i fondeve bëhet pa kriter, të njëjtën gjë ndodh edhe me RTSH. Gazeta Shqip ka siguruar dokumentet e një tenderi që ka bërë Radio Televizioni Shqiptar, ku kërkon që të bëjë një web të ri. Sipas dokumenteve, drejtori Thoma Gëllçi ka firmosur një tender me objekt “krijimin e web-it të ri për RTSH-në” dhe që do të dizenjohet për 15 ditë.

Ndërkohë, fondi për këtë tender është plot 40 mijë euro.

Duke analizuar dokumentet, ajo që vihet re në këtë tender është fryrja tepër e madhe e vlerës së këtij tenderi. Nëse do të bëjmë një kërkim fare të thjeshtë në internet, (http://www.webdesigner.al/cmimet-e-websiteve.html), sa kushton ngritja e një ëeb-i të ri profesionale, rezulton se çmimi fillon nga 1800 deri në 20 mijë euro. Pra, RTSH parashikon të shpenzojë dyfishin e vlerës maksimale të ndërtimit të një faqeje të re.

Gjithmonë paratë nuk janë problem për televizionin shtetëror, pasi ato vijnë nga taksa e vendosur në faturën e dritave të çdo qytetari në të gjithë vendin. Dhe këto para, të marra nga “xhepi” i shqiptarëve, shpenzohen pa kufij nga drejtuesit e këtij televizioni, i cili duhet të ishte pararojë e televizioneve privete në vendin tonë.

Në dokumente thuhet gjithashtu se kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është vetëm 15 ditë nga data e lidhjes se kontratës.

Por ky nuk është i vetmi problem…

Në tender ka marrë pjesë vetëm një operator, i cili është shpallur automatikisht fitues me mbi 95 përqind të fondit limit. Në dokumentin e RTSH thuhet se “kane qenë pjesëmarrës në procedurë një ofertues me vlerat përkatëse të ofruar: Operatori ekonomik “Advan Tech” me vlerë 3.456.000 lekë”. Pra, në këtë tender nuk ka pasur garë, dhe ofertuesi i vetëm ka dalë fitues.

Ligjërisht në Shqipëri lejohet tenderi me një garë, por nga pikëpamja morale, një institucion në një ekonomi konkurruese duhet të zhvillojë garë, për të marrë ofertën më të mirë. Në këtë rast, kjo nuk ka ndodhur me RTSH, madje edhe kriteret e vendosura janë tepër të detajuara, sikur të jenë paracaktuar nga vetë operatori fitues. Por kjo mbetet në hijen e dyshimit, përsa kohë nuk ka një hetim për këtë tender me një vlerë të fryrë financiare./gazeta shqip/

Share: