Home KRYESORE “Me këmbë në tokë”… dhe fetë përballë traditës laike

“Me këmbë në tokë”… dhe fetë përballë traditës laike

Nga ARTUR NURA, Gazeta “Standard” 04/05/2008

Duke vazhduar praktikën e braktisjes së makinës dhe të ecurit në këmbë në kryeqytetin tonë të stërzmadhuar (të paktën për konceptin shqiptar relativ për metropolet) dhe sigurisht nën reflektimin e fjalës së urtë shqiptare: “Me këmbë në tokë”, m’u desh pasi të lija pas rrugën «Myslym Shyri» të kaloja përballë Ministrisë së Mbrojtjes dhe të vija re në krah të saj një “bunker gjigand prej betoni”!

Sigurisht, nuk bëhej fjalë për një bunker të madh të imponuar nga ftesa për në NATO, por për Kishën e re Ortodokse Shqiptare, e cila në konturet e saj gjigande prej çimentoje dhe hekuri më dha përshtypjen sikur është konceptuar për kohë lufte dhe jo për të përcjellë mesazhe hyjnore paqeje!

Ndërsa ecja përkrah kësaj kishe në ndërtim dhe shikoja atë lloj arkitekture me dimensione gjigande, u mundova që të gjeja të ngjashme me të në eksperiencat e mia jo të pakta në kryeqytetet e Evropës.

Pavarësisht faktit, se nuk jam as arkitekt apo inxhinier ndërtimi, në raportet relative të dimesioneve relative të qyteteve dhe raportit me popullsitë përkatëse personalisht besoj se nuk mund të gjendet një e ngjashme as në Athinë, Romë apo Bruksel!

Duke vazhduar ecjen time drejt sheshit «Skënderbeu» dhe nën reflektimin e fjalës së urtë, ndërsa kalova pranë Bashkisë së Tiranës, m’u desh t’i shmangesha rrugës në trotuar, sepse ai që rrethon Xhaminë e “Et’hem Beut” ishte mbushur nga besimtarët myslimanë të kryeqytetit, që ndërsa i faleshin Zotit, kishin shtruar qilima dhe sixhade! Pyetja, që vjen në të tilla raste përqendrohet në faktin se si duhet të ndihen këta besimtarë myslimanë shqiptar kur ecin në këmbë përpara Kishës së re Ortodokse, e cila megjithëse besimtarët ortodoksë janë më të paktë, është gjigande? Të barabartë, sigurisht që jo!

Në të dyja rastet aspak të ngjashme përgjegjësia bie mbi organet e shtetit laik, i cili ka lejuar (pavarësisht numrit të paqartë të përqindjeve në besime) një disproporcion dimensionesh të tillë të institucioneve të kultit në Tiranë!

Parë nga këndvështrimi dhe eksperienca personale

Personalisht më duhet të them se për traditë familjare i përkas fesë myslimane, por duke kujtuar eksperiencën tranzitore ateiste dhe atë laike tradicionale në Shqipëri; faktin që si shumica e brezit tim jam i tërhequr gjerësisht nga kultura dhe gjuhët perëndimore dhe fare pak në kulturën dhe gjuhët orientale, ndihem thjesht vetëm besimtar dhe kurrë nuk kam qenë praktikant.

Kam vizituar një pjesë të mirë të vendeve evropiane (për çudi as në Turqi nuk kam shkuar akoma) dhe kam pasur mundësinë të vizitoj vetëm kisha të ndryshme në Romë, Athinë, Budapest, Bruksel, Paris e kryeqytete të tjera të Bashkimit Evropian.

Kam vizituar vetëm një xhami, atë të “Et’hem Beut” në qendër të Tiranës, ku në fakt kam shkuar vetëm për realizimin e një emisioni televiziv, i cili synonte vetëm të identifikonte arsyet, të cilat nxisnin të rinjtë Shqiptarë për të zgjedhur fenë që praktikonin: atë kristiane apo islame, sipas rastit.

Eksperienca dhe formimi personal më ka bërë, që në të gjithë historinë e shtetin shqiptar dhe shqiptarët të vlerësoj më shumë se çdo gjë faktin që konsiston në praktikën laike të shtetit dhe harmoninë dhe tolerancën fetare përkatëse.

Parë nga praktika e shtetit shqiptar që nga themelimi

Nga rënia e Perandorisë Otomane, shteti shqiptar është rast unik në rajon për sa i përket laicitetit të tij që nga shpallja e pavarësisë. Mendjet e ndritura të kohës – sigurisht edhe me qëllim të nevojës që të mbanin të bashkuar shqiptarët me fe të ndryshme – zgjodhën modelin e emancipuar liberal evropian, ku kisha dhe xhamia ishin të ndara nga shteti.

Padyshim kjo filozofi largpamëse ka dhënë rrugën e zgjidhjes së problemeve relative me fetë dhe shtetin në Shqipëri, por jo zgjidhjen përfundimtare të tyre. Kjo vlen parimisht që nga themelimi në vitin 1912 deri më sot në vitin 2008. Besoj se, që kjo arritje e emancipuar të garantohej dhe garantohet është dashur dhe do të duhet aplikimi në vazhdimësi i politikave proteksioniste të mbështetura vetëm tek filozofia dhe praktika laike!

Gjatë periudhës së Shqipërisë Mbretëri, Ahmet Bej Zogollit për të ruajtur ekuilibrin fetar dhe laicitetin e shtetit iu deshën jo pak mund dhe politika largpamëse eficente. Në fakt, pas tentativash të ndryshme të dështuara në Parlamentin e asokohe, Mbretit Zog më 16 korrik të vitit 1929 ka dekretuar në mënyrë imponuese ligjin që sanksiononte praktikën laike të shtetit, por edhe ndalonte financimin e feve të ndryshme në Shqipëri nga jashtë shtetit.

Këtë gjë sigurisht që nuk e bëri për t’u dhënë më pak të ardhura klerikëve përkatës dhe institucioneve të kultit, por për të ruajtur harmoninë midis feve dhe tolerancën e nevojshme, e cila duket sipas të dhënave që dispononte ai në ato vite, rrezikonte jo vetëm ekuilibrin e fesë, por edhe ekuilibrin e nevojshëm të shtetit.

Në fakt, sipas studiuesish të caktuar, kontributi i Ahmet Zogut ka qenë mjaft eficent edhe në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, e duhet thënë se kjo ka ndodhur pavarësisht faktit që në krye të saj ishte ish-kundërshtari i tij politik, Fan Stilian Noli!

Në vitin 2004 në një seminar për Tolerancën Fetare në Shqipëri organizuar nën kujdesin e Presidentit të atëhershëm të Republikës, z. Alfred Mosiu, shkrimtari i mirënjohur, Ismail Kadare, bëri thirrje që shteti shqiptar të aplikonte të njëjtin ligj të monarkisë për raportet me fetë.

Sot në 2008 Shqipëria akoma nuk ka një ligj të mirë përcaktuar për raportet e shtetit me fetë dhe këtyre institucioneve të kultit me individin shtetas shqiptar! Vazhdohet të operohet vetëm në bazë të një neni kushtetues, i cili përcakton me të drejtë absolute që përkatësia fetare është një e drejtë individuale!

Përveç një marrëveshjeje që ka shteti shqiptar me kishën katolike, sot dhjetë vjet pas aprovimit të Kushtetutës, kishat ortodokse, xhamitë apo teqetë sigurisht edhe komunitetet fetare përkatëse funksionojnë parimisht bazuar në ligjin për OJF-të, i cili as këto të fundit nuk mund t’i orientojë drejt, jo më komunitetet fetare.

Komiteti Shtetëror i Kulteve, i cili ka shumë pak personel nuk ka mundësi reale dhe financiare për të kontrolluar kaq shumë institucione të kultit anë e mbanë Shqipërisë sa edhe janë bërë tashmë. Ky i fundit padyshim që nuk ka shifra dhe një fotografi të plotë të hartës fetare të Shqipërisë, por ndoshta operon dhe përdor të dhënat e shtypit të ditës, i cili kujtohet për këtë komponent shumë të rëndësishëm të jetës së shoqërisë, përgjithësisht vetëm në rastet e incidenteve me bazë fetare!

Ç’mund të bëjë shteti për rastin?

Jam i sigurt apriori që kisha e re ortodokse tashmë nuk ka nevojë për legalizim, por nuk ka as nevojë për të dërguar atje fadromat e “vogla” të Policisë së Ndërtimit të Shtetit që ta prishin atë!

Unë besoj se ajo që nevojitet është arsyetimi dhe veprimi laik i Shtetit që është zgjidhje e vetme për rastin. Padyshim, që bashkohem me të gjitha ata besimtarë ortodoksë ( apo jo besimtarë), të cilët thonë që Kreu aktual i Kishës Autoqefale Shqiptare, Hirësia e Tij, Anastasiuos Janullatos ka meritën e ngritjes në këmbë të Kishës Ortodokse në Shqipëri.

Këtë aftësi të Tij padyshim e vërteton edhe fondi i madh financiar që duhet të jetë duke u përdorur për Kishën në fjalë. Por, duke kujtuar fjalën tonë të urtë “Me këmbë në tokë” dhe për më tepër duke i konsideruar Institucionet e Kultit si instrumente të rëndësishëm të formimit të ndërgjegjes dhe frymës shoqërore dhe kombëtare, veçanërisht për rastin shqiptar, besoj se Hirësia e Tij nuk ka mundur të bëj aq sa duhet në këtë drejtim.

Hirësia e Tij nuk mundi të arrijë as në nivelin e popullsisë Çame, e cila përtej shkakut që ishin ndëshkuar në Greqi në vitet 1944–1945, sepse ishin të përkatësisë Myslimane, ju drejtuan të katër komuniteteve fetare në Shqipëri njëherazi dhe pa dallim që të organizonin lutje, përshpirtje apo falje për viktimat e pafajshme të tyre!

Mungesa e Tij në atë takim multi-fetar pa precedencë në Shqipëri, padyshim nuk tregoi gjë tjetër veç faktit se Kisha Ortodokse Autoqefale do të duhet të plotësojë edhe të vetmin kusht të mbetur pezull në Statutin e saj në raport me kreun e këtij institucioni të rëndësishëm fetar në shtetin shqiptar.

Shteti dhe politika nuk mund ta lërë më në harresë fenë si filozofi dhe fenomen, sepse ajo padyshim mund t’i kthehet nesër në një bumerang, i cili nuk do të rrëzojë thjesht qeveri, por do të dëmtojë shtetin me pasoja afatgjata.

Shteti duhet të ngrejë grupet e punës në bashkëpunim me grupet e interesit dhe të aprovojë një ligj adeguat për të koordinuar dhe zhvilluar raportet e individëve me institucionet e kultit dhe shtetit me këtë të fundit.

Nëse kërkesat e ardhura nga Komuniteti Mysliman për të ndërtuar një xhami në kryeqytet, apo hapur një Universitet të Teologjisë Islame do të gjenin një përgjigje pozitive, kjo do të përfaqësonte një politikë largpamëse, sepse do të ishte në të mirë të shtetit shqiptar nëse klerikët e të gjitha feve të ishin të shkolluar në atdheun e kombit!

Share: