Home Gjeo-Ekonomia Raporti i WEF, Shqipëria vendi i dytë më i keq në botë...

Raporti i WEF, Shqipëria vendi i dytë më i keq në botë për mundësi punësimi

Nga  Alice Elizabeth Taylobr, Exit.al

Forumi Ekonomik Botëror (WEF) renditi Shqipërinë të parafundit për mundësitë e punësimit në raportin botëror të lëvizshmërisë sociale 2020.

Raporti merrte në shqyrtim 82 vende me 10 tregues të ndryshëm të shtrirjes së kujdesit shëndetësor, arsimit, teknologjisë, punës, qëndrueshmërisë dhe efektivitetit të institucioneve për të dalë me një vlerësim të përgjithshëm me pikë, ku 100 ishte vlerësimi më i lartë.

Shqipëria arriti vlerësim mesatar prej 56 pikësh duke u renditur së bashku me Gjeorgjinë dhe Tajlandën, por poshtë Arabisë Saudite, Ukrainës, Moldavisë dhe Serbisë.

Vlerësimi më i dobët ishte për çështjet e punësimit. Për mundësi të punësimit Shqipëria u vlerësua vetëm me 32.5 pikë duke u pozicionuar në vendin e parafundit (vendi 81 nga 82 shtete).

Në raport thuhet se rreth 19% e atyre që kanë diploma janë të papunë, së bashku me 20.4% të atyre me arsim të mesëm dhe 13.8% të atyre me arsim bazë. Këto tregues shprehin qartë se ata me arsim më të lartë kanë më shumë gjasa të jenë të papunë, çka kontribuon në situatën e “rrjedhjes së trurit” – emigrimit. Mjerisht, mbi gjysma e punëtorëve janë në punësim të cenueshëm dhe rrezikojnë të humbasin punën e tyre.

Më pak se gjysma e punëdhënësve ofruan trajnime dhe popullsia ka më pak se aftësia optimale e njohurive dixhitale. Raporti gjithashtu vuri në dukje një rezultat të ulët për politikat aktive të tregut të punës, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 62.

WEF/Vlerësimi për mundësitë e punësimit.

Në çështjet e shëndetit të popullatës, Shqipëria u vlerësua mirë, me nivele të ulëta të kequshqyerjes, qasje të mirë në kujdesin shëndetësor dhe një normë mesatare të lindjeve ndër adoleshentë. Ajo u rendit në vend të 37.

Për sa i përket arsimit, Shqipëria shënoi pak më shumë se gjysmën e pikëve në dispozicion. Rreth 70.7% e nxënësve të pafavorizuar në shkolla raportuan mungesë të materialeve arsimore dhe u vu re nivel i ulët i diversitetit shoqëror. Sipas WEF-së mund të bëhet më shumë për të përmirësuar raportin e mësuesve për rnxënës në arsimin fillor dhe të mesëm.

Për sa i përket lidhjes në internet, 71.8% e popullsisë përdorin internetin dhe 99.2% e vendit është e mbuluar nga 3G. Ndërsa 100% e popullsisë ka qasje në energji elektrike, por sipas raportit jo të gjitha shkollat ​​kanë qasje në internet.

Për sa i përket mbrojtjes sociale, vendi renditet keq me vetëm 11,9% të PBB-së të shpenzuar për këto çështje. Rrjeti i përgjithshëm i sigurimeve shoqërore për punëtorët shqiptarë u vlerësua me vetëm 2.3 nga 7 pikë, duke u renditur në numrin 72 në të gjithë botën.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, është vlerësimi për perceptimin rreth korrupsionit ku Shqipëria nuk befason aspak me rezultatin. Ajo ka marrë vetëm 36 nga 100 pikë të mundshme./exit.al

Share: