Home Gjeo-Ekonomia Të lësh gazetarinë për gomaricat!

Të lësh gazetarinë për gomaricat!

Nga Çapajev Gjokutaj

Kjo thënie të kujton proverbin e vjetër ‘të lësh dasmën e të shkosh për shkarpa’. Vetëm se ai i shkarpave ishte i kohës së Nuhut dhe, me gjasë edhe i trilluar, kurse ky i gomaricave është i ditëve tona, person real që quhet Elton Kika dhe menaxhon një fermë gomaricash në Papër të Elbasanit.

Fermën e ka ngritur në tokën e familjes dhe ishte një alternativë që kuturisi ta vinte në jetë pas 13 vjet pune si gazetar e 3-4 vjet shkollim për gazetari. E nisi me 5 gomarica, po sot pas 4 vjetësh sipermarrja e tij ka trajtën e një ferme të vërtetë me 35 krerë. Qumështi i gomaricës u kshillohet personave që kanë probleme me rrugët e frymëmarrjes dhe në treg ka një çmim rreth 50 € litri.

Historia e ish gazetarit që u bë fermer është fare e thjeshtë, po mua më mbeti në mend ngaqë të shtyn të meditosh për një dukuri shqetësuese.

Reportazhin për Elton Kikinë, e transmetoi Radio Europa e Lirë dhe pastaj e morën dhe e ribotuan disa gazeta e portale. Këtë i lashti e quante: vjen zogu i pyllit dhe përzë të zotin e shtëpisë; njerëz e dukuri vendase hulumtohen e publikohen nga media të huaja.

Në fakt Shqipëria ka nja 800 e kusur media e portale, me një numër jo të vogël gazetarësh të punësuar në to por, për arsye të ndryshme kultivojnë kryesisht një gazetari bulevardi, shumicën e herëve sjellin lajme e fakte që i gjejnë brenda unazës së Tiranës me bëma dhe gjëma qeveritarësh e politikanësh, me muhabete banaqesh televizive të tipit filani tha kështu, fisteku ia priti ashtu e të tjera ‘çudi’ të këtij lloji.

Në këtë klimë nuk është e rastit që gjithologët e ekraneve kanë eklipsuar e bërë gati gati anonimë reporterët, gazetarët investigativë e specie të tjera gazetarësh që bëjnë e duhet të bëjnë gazetari të mirëfilltë e funksionale.

Po të vazhdojë kështu do vijë dita që mes mes gjullurdisë së kanaleve e portaleve, si ai lundërthyeri që digjet nga etja mes ujit të kripur, të na marrë malli për pak sadopak gazetari.

Share: