Home KRYESORE A e kemi kuptuar demokracisë së prapthi ne shqiptarët?

A e kemi kuptuar demokracisë së prapthi ne shqiptarët?

Nga Mentor Kikia

Ne si shoqëri përjetuam një epokë ku çdo gjë e diktonte shteti. Ai vendoste çfarë do të studioje, çfarë profesioni do të merrje, kur dhe ku do të punoje, si do të visheshe, si do ti prisje flokët, çfarë muzike do të dëgjoje, çfarë mode do të ndiqje. Ku do të lindje e ku do të banoje. Për të shkuar nga fshati në qytet apo nga qytetet e tjera në Tiranë, ose duhej të martoheshe realisht, ose të sajoje ndonjë martesë të rremë, si ato që bëjnë shqiptarët sot me plakat në Britani për të marrë lejen e qëndrimit.

Pas shembjes së kominizmit, ne shtetin e pamë si armikun më të madh dhe kufizimet që duhet të diktojë ligji, nuk u panë si detyrim për zbatimin e tij, por si kufizim i lirisë, që ne mendonim se ne demokraci është sipas parimit “ç’të sheh syri, ta merr dora”. Dhe sot ne kemi një realitet ku më i forti dhe më i pushtetshmi krenohet kur shkel rregullat, që nga semafori dhe vijat e bardha në rrugë, e deri tek ato më të rëndat që përbejnë vepër penale.

Nuk po flas këtu për korrupsionin, inkriminimin dhe standardin mizerje të zbatimit të ligjit nga vetë institucionet, por për kontrastin mes të drejtave dhe detyrimeve në shoqërinë tonë, të cilët nga njëri ekstrem kanë kaluar në ekstremin tjetër. Eshtë e vërtetë që pas ”˜90-ës këtu u investua shumë në fushën e të drejtave të njeriut, dhe shumë mirë u bë. Por sot ne kemi të dënuar që jetojnë në kushte luksi, që kanë ajër të kondicionuar, kuzhinë me menu restoranti, e asnj detyrim tjeter vecse te pushojne, ndërsa gardianëve nuk u lejohet të pijnë as ujë gjatë 8 orëve të shërbimit. Ne sot kemi trafikantë e tutorë prostitutash te denuar që jetojnë në kushte luksi, ndërsa viktimat e tyre jetojnë në qendrat e rehabilitimit në kushte të rënda.

Ne sot kemi shkolla ku fëmijëve më parë u mësojmë të drejtat sesa detyrimet, ndaj dhe në klasa nxënësit i bëjnë videoklip me telefona mësueses ndërsa ajo shpjegon mësimin. Dhe kur ndodh që dikush ngre dorë ndaj nxënësve, të gjithë vihemi në alarm për dhunën në shkolla. Po të filmonin mësuesit dhunën verbale të nxënësve ndaj tyre, madje edhe fizike në shumë raste, do të ishim për të vënë kujën. Këtu, burri përleshet me grushta me policin që i ka vënë gjobë, ndërsa gruaja e filmon me telefon dhe e dergon tek “jeta o qef” dhe të nesërmen polici shkarkohet për dhunë ndaj qytetarit. Dikush ben ç’te doje ne shtepine e tij, sepse mendon se ne shtepine e tij vertet mund te beje ç’te doje, pa menduar se shqeteson fqinjin.

Të drejtat e njeriut janë treguesi numër një i demokracisë, por sdo të ishte keq që këto të shoqëroheshin edhe me detyrimin për zbatimin e ligjeve dhe normave. Unë e di që do të thoni se ligjin nuk e zbatojnë të parët ata që i bëjnë. Por, e theksoj, këtu po flas jo për inkriminimin e korrupsionin, por për detyrimin e shoqërisë ndaj ligjit. Pasi ne jemi përveçse një vend me qeverisje dhe shtet të korruptuar, edhe një shoqëri rrumpallë. Ne e kemi kuptuar demokracine si nje sistem ku ka vetem liri dhe te drejta, dhe jo detyrime.

Share: