Home KRYESORE Akuzat nga Ballkani e Shqipëria, flet zyra e komunikimit te Soros

Akuzat nga Ballkani e Shqipëria, flet zyra e komunikimit te Soros

Shtimi i sulmeve ndaj organizatave të lidhura me miliarderin amerikan George Soros, ose të paktën të perceptuara si të financuara prej tij, kanë sjellë reagimin e insitutit Open Society Foundations.

Shefja e zyrës së komunikimit pranë këtij organizmi, Laura Silber i tha rrjetit investigativ “BIRN” se goditjet ndaj Soros nga ata që i cilësoi si “qeveri joliberale”, janë përpjekje për të devijuar vëmendjen nga dështimi për të zgjidhur problemet kyçe si papunësia, korrupsioni dhe perspektiva e dobët ekonomike.

“Shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm në kërkesën e llogarisë ndaj qeverive dhe në forcimin e demokracisë. Ne jemi krenarë që mbështesim organizata që punojnë për të përmirësuar jetët e njerëzve”, ishte komenti i saj.

Emri i Soros është lakuar shpesh herë në Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Maqedoni, Rumani e Serbi gjatë fushatave kundër organizatave të pavarura joqeveritare.

Të tilla fushata përshkallëzohen rëndom në periudhat parazgjedhore.

Në kohë të tilla, aktivistë e gazetarë janë gjendur jo pak herë përpara akuzave për mungesë patriozmi.

Pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 dhjetorit në Maqedoni, Nikolla Gruevski u hodh në sulm kundër OJQ-ve të financuara nga jashtë dhe tha se partia e tij do të luftonte për ta larguar vendin nga influenca e Sorosit.

Në janar erdhi deklarata e ministrit të Jashtëm, Nikolla Poposki, për një media italiane se aktivitetet e Sorosit në Maqedoni po shihen si të papranueshme. Disa zëra pro-qeveritarë kanë hequr paralele të ngjashme edhe në Rumani, duke i cilësuar liderët e protestave popullore të ditëve të fundit si “agjentë të Sorosit”.

Fushata të së njëjtës natyrë kundër OJQ-ve dhe medias kanë mbi një vit që organizohen edhe në Serbi, ku Soros përmendet jo rrallë herë si sponsori i atyre që “po destabilizojnë shtetin serb”.

Share: