Home KRYESORE Altin Bamllari: Ja si e shoh unë ikjen e biznesmenit nga Vlora…

Altin Bamllari: Ja si e shoh unë ikjen e biznesmenit nga Vlora…

Nga Altin Bamllari

Sot lexova një artikull, ku një biznesmen nga Vlora deklaronte që do të braktisë Shqipërinë bashkë me familjen e tij sepse, sipas tij, jeta i është bërë ferr në qytetin e lindjes. Shkaktarët e ferrit, po sipas tij, janë kryebashkiaku, ortaku në biznes (vëllai i kryebashkiakut), policia, gjykata, dhuna e të fortëve pranë pushtetit dhe pamundësia për të bërë më biznes.

Por unë s’mund të jem kaq naiv sa të besoj nga një intervistë se djajtë kanë pushtuar Vlorën.

Unë jam po aq dyshues, ashtu si çdo shqiptar, ndaj kujtdo që akuzon apo i hedh fajin dikujt tjetër për të justifikuar fatkeqësinë e vet.

Madje, unë arrij deri aty sa çdo histori moderne shqiptare ta konsideroj gënjeshtër sepse jam i bindur që e vërteta na ka lënë shëndenë me kohë e me vakt.

Për një gjë e besoj ama. Ky njeri ka ngecur në rrjetën e poshtërsive të këtij vendi dhe përpëlitet i dorëzuar. Një rrjetë që e kemi thurrur të gjithë, kush më shumë e kush më pak, pa e ditur që një ditë do të jemi viktima të saj.

Sepse ishim ne që rendëm të pasurohemi dhe o burra, të gjithë me të katra në baltën e paligjshmërisë. Sa më shumë llucë, aq më shumë fitime. Të paktë ishin të ndershmit (apo të pazotët, siç quhen) që shpresuan apo u përpoqën që shteti të ndërtonte rrugët e ligjit. Por ata ngelën gjithmonë pakicë, që ose morën udhët e botës zhgënjyer, ose u ndotën nga stërkalat e kësaj baltovine ku askush s’e ndali vrapin.

Ferrin e ndërtuam vetë, po ashtu edhe djajtë.

Prandaj unë e kuptoj biznesmenin nga Vlora dhe ia lexoj frikën, pasigurinë, urrejtjen dhe në fund hakmarrjen për ta braktisur këtë vend.

Fundja ç’mund të presësh nga ky vend?!

ku shteti të shkatërron jetën me një zile telefoni;
ku gjyqtari kërcet çekanin si sopatë xhelati;
ku media fishkëllen melodi interesash;
ku shoqëria civile luan muzikë nëpër salla boshe;
ku elita ka lindur e vdekur;
ku miqtë, në vend të të inkurajojnë, të këshillojnë ta qepësh gojën;
ku mileti shtrëngon rrypin nga sabahu në aksham;
ku s’mund të rilindësh sepse kjo fjalë mban, tashmë, damkën e turpit;

Vërtet.., çmund të bësh më në këtë vend?!

Dje, kur po intervistoja një vajzë të re, kandidate për një post pune të rëndësishëm, qëllimisht e pyeta: Ke menduar ndonjëherë të ikësh nga Shqipëria?

Dhe përgjigja e saj ishte: Ditë për ditë.

Në fakt, kam kohë që e mendoj edhe unë

Share: