Home SPROVA LETRARE Aventura e fundit!

Aventura e fundit!

Nga Ilir Kalemaj

 

Si një çift i ri që mundoheshin ta mbanin gjallë shpirtin e pasionit në atë humbëtirë ku i kishte hedhur jeta, Agimi me Vjollca mundoheshin t`i arratiseshin atij realitetin të zymtë, monoton, ndjenjë-vrasës. Jetonin në një botë imagjinarë, por flaka e dashurisë zor se mund të rezistonte në atë qytezë të vogël të Shqipërisë së mesme, të zbërdhylët, ku koha kishte ngecur me vakt dhe njerëzia rronin vetëm me dhe për thashethemin. Ndjenin se duhet t`i iknin kësaj kohe pa kohë në një mënyrë a tjetër, të improvizonin dicka për t`i shpëtuar asaj ndjenjës që e shndërron ciftin në thjesht dy miq të mirë, apo edhe më keq, kur fjalët zënë e mbarojnë dhe i dashuri i zemrës të kthehet në dikë të padurueshëm, dhe zë e sheh vec veset e tij apo saj dhe momenti shpesh të duket si orë shekullore. Kur pasioni nis e shuhet atëherë fillon e flitet për dashurinë e llojit tjetër, për lloje të ndryshme dashurish apo filozofira të tjera që rreken të tjetërsojnë një realitet të pakthyeshëm.

Por a ekziston dashuria e vërtetë? Martesa apo fëmijët e vrasin ndjenjën apo thjesht e transformojnë atë? Angaria e punëve të përditshme, monotonia e momenteve të përsëritura, ëndrrat e ezauruara se nis ajo periudhë ku koha punon kundër teje, fantazia e shterur, magjia e munguar e castit, pritshmëria që zë dhe i lë vendin parashikueshmërisë- të gjitha këto pyetje kishin zënë dhe po i torturonin prej ditësh, apo ndoshta dhe javësh, ashtu si pa kuptuar. Nguronin të flisnin me njëri-tjetrin për kësi punësh, iu dukej se ata ishin ende në fillimet e tyre, koha nuk mund të punonte kundër dy të dashuruarve si ata të cilët kishin kthyer cdo gurë për të qenë më së fundmi të lidhur në kurorë dhe nën një cati, të lirë më në fund në atë bashkim që sa e sa herë e kishin ëndërruar.
Por nuk mund ta shmangnin për një kohë të gjatë këtë ballafaqim me vetveten dhe tjetrin. Herët a vonë u duhej të flisnin për këto gjëra, për këtë qytet që të shterronte cdo ide, ëndërr, fantazi apo imagjinatë. Një zgjidhje duhej ta gjenin për të mbajtur gjallë pasionin, vitalitetin, energjinë, dëshirëm zgjuar. Dhe kjo ndodhi thuajse pa dashje, një mbrëmje të ftohtë dhe lagësht nëntori kur të shoqëruar nga ikja e dritave dhe mungesa e televizorit nuk kishin c`të bënin tjetër, vec të flisnin.

– C`po mendon?- e pyeti ai me një fytyrë që nuk të ndillte shumë për bisedë.
– Hic, asgjë!- gënjeu ajo pa teklif. Ja, na mbyti ky i uruari…, shi tërë ditën e Perëndisë.
– Lëre mos e pyet, por si me shi, si pa shi, ky vend i trishtë ka për të ngelur. Të shkretët ne thuaj që na ra për hise të jetonim tërë jetën në këtë yrt të shkretë që dhe Zoti e ka harruar.
– C`ti bësh! Kështu paska qenë e shkruar, por të paktën kemi njëri-tjetrin. Nuk të bën të lumtur kjo shpirt?
– Po dashuria ime, por kam frikë se mos përfundojmë si xha Saliu me nënë Kadrien që janë bërë si motër e vlla, duke u plakur së bashku por mund të rrinë dhe me orë apo ditë të tëra pa shkëmbyer llaf apo folur vec për motin si po bëjmë ne tani.
– T`u thaftë gjuha,- u mundua t`i jepte tone shakaje me një pamje hokatare Vjollca, por që përbrenda mezi po mposhte një valë të fundit trishtimi që e risolli në realitet.
– Nejse, muhabet koti, por thjesht për ide mendoj se duhet të bëjmë dicka,- i tha Gimi duke u rrekur të ndizte një cigare me cakmakun që nuk po i punonte.
– E cfarë sugjeron zotëria juaj?- ia ktheu ajo gjithnjë e më pak e bindur se nga goja e tij mund të dilte ndonjë xhevair që mund t`i ndryshonte sadopak gjendjen shpirtërore.
– Po ja shpirt, s`di si ta them.., u mbllacit ai pa ditur si ta shtjellonte idenë që i kishte lindur vec pak ditë më parë duke lexuar një kopje të asaj gazetës së tyre të preferuar, faqet e së cilës ishin të mbushura më ‘vajza që kërkojnë djem’ dhe ‘djem që kërkojnë vajza’.
– Hë pra, mjaft u përtype, qite të shkretën ja priti Vjollca me durimin që po i soste dhe duke ndezur një cigare tërë turfullimë.
– Po mendoja që ta bëjmë më interesante jetën tonë seksuale- e nxori më në fund Agimi sikur po nxirrte krom nga minierat e Bulqizës.
– Ehë?
– Dhe për të bërë këtë, mendova se do ishte interesante të kontaktonim me anë të gazetës një cift tjetër dhe të shkëmbeheshim.
– Të shkëmbeheshim?
– Eh, moj e uruar, pse bën sikur nuk kupton? Ti të shkosh me burrin e një cifti tjetër, unë me gruan. Ka cifte që kanë postuar lajmërime të tilla dhe thjesht u bëra kurioz dhe m`u duk ide interesante. Por zëre se nuk e thashë…- dhe priti reagimin e saj.
Vjollca dukej e përhumbur si dikush që sapo i kanë rënë me comange kokës dhe nuk po ftillohej dot.
– Po mirë, desha të them se nuk më duket aq ide e keqe- tha dhe u skuq. Në fakt ajo ishte më e guximshme se i shoqi dhe e etur për aventura të reja seksuale, por me fjalë e kursyer.

***

Ishte një ditë e ftohtë fillim-marsi kur u nisën drejt kryeqytetit. Takimin me ciftin e kishin lënë në një kafene të ish-Bllokut por nuk e dinin ende se ku do përfundonin. Koha ishte e vrenjtur dhe priste të niste një shi i zymtë, por kjo nuk reflektohej aspak në gjendjen e tyre shpirtërore e cila qe duke përjetuar një ankth të këndshëm, përzier me eksitim. Edhe frika qe prezente, por më tepër si një aromë vaniljeje, e papërcaktuar.
Agroni me Suzanën po i prisnin te kafja e vecuar, mbushur me tym duhani dhe muzikë të ulët. Kishte njerëz plot po në tavolina mjaftueshëm të vecuara, cka ndillte një bakshëbisedim të këndshëm dhe pa dorashka. Cifti tiranas u tregua mjaft i sjellshëm dhe u mundua t`ua hiqte drojën, duke porositur një shishe verë të kuqe Kabernet, prodhim sicilian i vitit 2003. Goni kishte veshur një këmishë rozë dhe xhaketë të zezë, sportive, cka krijoi një tërheqje të menjëhershme te Vjollca, ndërsa Suzana një fund mbi gjunjë, këmishë të zbërthyer pakëz lart dhe kishte hedhur një parfum, ndoshta Dior, cka sollën një trullosje të lehtë te Agimi, të cilin nga njëra anë e mundonte disi xhelozia për gruan e tij të re, nga ana tjetër e shtynte kurreshtja drejt një aventure sa të rrezikshme, aq edhe eksituese.

Mbas konsumimit të klisheve të fillimit dhe ngrohjes pak nga vera, pa humbur kohë, hipën në makinën e Gonit dhe u nisën drejt shtëpisë së tyre. Vjollca u ul në sediljes e parë, ndërsa Suzi mbrapa me Gimin. Ata ishin një cift pa fëmijë dhe kishin një vilë të bukur në periferi. Qysh në makinë Vjollca ndjeu një valë të nxehti t`i përhapej me shpejtësi kur dora e shoferit në përpjekje për të kapur marshin, rrëshqiti drejt gjurit të saj dhe filloi të ngjitej qetësisht lart. E njëjta situatë por me protagonistë të ndryshëm po zhvillohej në sediljen e mbasme, kur Suzi kishte marrë frenat në dorë dhe po i ngacmonte të shoqin me një epsh të papërmbajtur. Një dyzim sa nxitës dhe frenues, e bënte të shijonte frytin e ndaluar me një dalldi të shfrenuar.

Ajo natë qe e pambarimtë. Cdolloj fantazie u përmbush, madje u tejkalua në atë shtëpi guri dy-katëshe të punuar me merak dhe kopsht të këndshëm. Pishina e papërfunduar shtrihej si një monument i lashtë natyror që të kujtonte aktet e pakryera, në kontrast të plotë me gjendjen gjysëm të dehur të miqve tanë. Ajo natë kishte brenda gjithcka, havjar të ardhur kushedi se prej ku, shampanjë të zgjedhur, madje dhe të ‘bardhë ’. Ishte Sodoma dhe Gomorra e transformuar në akse kohorë, e ardhur pranë nuk di prej c`burimi mitologjik, nga thellësitë e kohërave për një kënaqësi Khajameske të pambarimtë.

***

Dy javë më vonë ngeli vec flladi i një misteri të koklavitur që nuk u kuptua si u pështoll ashtu cuditshëm në lëmshin e ngjarjeve përherë e më të cuditshme që vijnë nga ky vend. Kronikat e lajmeve u hapën me një vrasje (apo vetvrasje) të kryer në një vilë në periferi të kryeqytetit. Gruaja e një cifti intelektualësh, me punë dhe pozitë të mirë. Emrat ishin dhënë me iniciale. Thuhej se ajo punonte në një pozitë të lartë në administratën publike. Në varrim u panë dhe dy provincialë pa lidhje, ndoshta të afërm të së ndjerës. Koha vazhdon me shi që bie si litarë këtë fillim marsi të ftohtë.

@copyright Ilir Kalemaj

Share: