Home KRYESORE Balili nuk po arrestohet, Ilir Meta i shkruan Nishanit

Balili nuk po arrestohet, Ilir Meta i shkruan Nishanit

Ai që njihet si Eskobari i Ballkanit, Klement Balili është në kërkim policor prej disa muajsh por nuk është arrestuar. Emri i tij rikthehet sot në vemendje pasi publikohet një letër që Meta i ka dërguar Nishanit.
Kryetari i Kuvendit i kërkon Presidentit të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Balkanweb” ka publikuar sot këtë letër, ku Meta kërkon të analizohen të gjitha veprimet apo mosveprimet e institucioneve shqiptare të ngarkuara me ligj për ndjekjen e procedurave për çështje të tilla.

Kujtojmë se Klement Balili ka qenë drejtor i Rrugëve në Sarandë i emëruar nga LSI-ja. Ai u shkarkua në pranverën e vitit të kaluar kur policia greke e shpalli në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.

PD ka akuzuar Ramën dhe Tahirin për mosarresimin e tij, por ambasadori amerikan Donald Lu ka përmendur edhe emrin e ministrit të LSI, Manjani duke thënë se është vonuar dosja që kishte mbërritur nga autoritetet greke.

Teksti i letrës që kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka dërguar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani

I nderuar z.President

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm në ushtrimin e kompetencave dhe funksioneve kushtetuese, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më lejoni që t’Ju parashtroj kërkesën si vijon:

Ashtu siç edhe mund të jeni bërë me dije, nga media e shkruar dhe elektronike apo burime të tjera informacioni, Klement Balili, një person me probleme serioze me ligjin, pavarësisht akteve procedural apo akuzave, të përcjella apo të paraqitura nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare, ende nuk është ndaluar për t’iu nënshtruar drejtësisë.

Partnerët tanë të SHBA, por edhe të tjerë ndërkombëtare, kanë përcjellë shqetësime dhe rezerva për mosndalimin e tij si dhe moskryerjen e veprimeve të shpejta dhe efikase, nga organet kompetente shqiptare, sipas përcaktimeve të akteve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi.

Për shkak të seriozitetit që paraqet çështja në fjalë dhe shqetësimit që ekziston për mosveprimin e institucioneve shqiptare, paraqes kërkesën:

Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Ju të thërrisni në një kohë sa më të shpejtë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me qëllim analizimin e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të institucioneve shqiptare të ngarkuara me ligj për ndjekjen e procedurave për çështje të tilla.

Thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështje, do të dëshmojë seriozitetin e institucioneve dhe organeve të shtetit shqiptar për adresimin e përgjegjësive konkrete si dhe angazhimin që ato kanë në trajtimin e rasteve të tilla, me impact në sigurinë kombëtare.

Me besim të plotë në marrjen në konsideratë të kësaj kërkese, Ju falenderoj për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.

Me respekt ILIR META

Share: