Home KRYESORE DorëZonjë

DorëZonjë

Nga Rudina Cupi

Ke thithur ndonjëherë një dorëzonjë?

A e ke futur hundën në lugun e ngushtë
për t’ia thithur krejt erën sa të mbetesh pa frymë,
të ngopësh mushkëritë e të ndiesh se po dehesh?

A e ke futur në gojë rrëzën e petalit
për t’ia thithur krejt ëmbëlinë, për ta ruajtur në kujtesë
atë shije njomështie e të është dukur se më s’do ta gjesh?

A i ke mbyllur sytë fill pas kësaj
e të ka marrë malli për një puthje,
të dorëzohesh me dikë që as fytyrën nuk ia njeh?

Humbu nëpër botë e më gjej,
shijen e dorëzonjës mbaje si hartë:
thirrja e dashurisë dhe unë të pres.

Share: