Home KRYESORE Draft-ligji i ri i sigurimeve/ Nga çmimet te afatet, çfarë ndryshon për...

Draft-ligji i ri i sigurimeve/ Nga çmimet te afatet, çfarë ndryshon për qytetarët dhe kompanitë

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar draftin e ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Por cilat janë risitë e tij për kompanitë, institucionet dhe qytetarët?

Prej  të paktën tre vjetësh ka përpjekje për të ndryshuar ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Por sa herë drafti ka dalë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për të marrë mendimin e Ministrisë së Financave, është kthyer pas për rishikim. AMF deklaroi pak ditë më parë se një draft i ri i është dërguar sërish Ministrisë, e cila ka fjalën e fundit për të dhënë “bekimin”, duke i hapur rrugë kështu kalimit të hallkave të tjera. Tregu i sigurimeve konsiderohet si më problematiku dhe kjo e bën edhe më emergjente nevojën për ndryshimet ligjore. Por cilat janë në fakt risitë që ka ky ligj dhe si pritet ta ndryshojnë ato tregun, marrëdhënien e kompanive me institucionet dhe çfarë ndryshon për qytetarët?

Sistemi Bonus-Malus, sërish në qendër të modelit

Sistemi bonus-malus ishte pjesë e draftit të parë të prezantuar nga AMF, madje ky model u sqarua në detaj duke theksuar se në bazë do të kishte modelin italian. Logjika e sistemit bonus-malus është që pagesa e çdo primi sigurimi të bëhet sipas profilit të riskut që paraqet çdo drejtues mjeti. Risku më i lartë, ashtu si në modele tipike të kësaj natyre, u vishet atyre që marrin një leje qarkullimi për herë të parë, si dhe atyre që kanë një historik problematik, lidhur me aksidentet. Këto dy grupe do të paguajnë edhe çmime më të kripura. Në draft-ligjin e AMF, sistemi bonus-malus përcaktohet në nenin 8, ku thuhet se bazë për përcaktimin e primeve do të shërbejë historiku i aksidenteve në pesë vitet e fundit.

“Sistemi bonus-malus është sistemi i cili zbatohet për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit. Shoqëria e sigurimit është e detyruar të vërë në dispozicion të të siguruarve Certifikatën e historikut të dëmeve të 5 viteve të fundit, sipas formatit, metodës, afateve dhe përmbajtjes të përcaktuar me rregulla të miratuara nga Autoriteti”, thuhet në draft-ligj.

Kjo do të thotë se primi i sigurimit për çdo qytetar do të jetë “i personalizuar” dhe rezultat i disa faktorëve që merren në konsideratë gjatë përllogaritjes. Gjasat janë që detajet më të sakta për klasat, AMF, t’i përcaktojë me një rregullore më vete.

Kompanitë do të kufizohen nga loja me çmimet, ndryshim vetëm dy herë në vit

Që nga liberalizimi i tregut të sigurimit të detyrueshëm motorik, vendosja e një primi sigurimi u kthye në “pazar”. Fillimisht kompanitë patën një qasje që i çoi ato drejt një uljeje drastike të primit që në disa raste arriti dhe 4 mijë lekë vetëm që të fitonin treg. Kjo detyroi AMF që, duke mos pasur instrumente të tjera ndërhyrjeje në një treg të liberalizuar, të miratonte një mesatare risku që kompanitë ishin të detyruara ta zbatonin.

Pra ato nuk mund të shisnin poshtë këtij niveli ose në të kundërt, duhet të provigjononin më shumë. Vendosja e një dyshemeje risku nuk i pengoi kompanitë që të miratonin një çmim të ri një herë në disa ditë, duke krijuar amulli në treg. Por edhe që prej gushtit 2016, tarifat e primeve kërcyen me 25%, duke kapur nivele që në atë kohë u dukën të larta, sërish kompanitë herë pas here kanë luajtur duke shitur jashtë brokerit dhe duke ofruar ulje të konsiderueshme. Për t’i dhënë fund oscilacioneve me primet është vendosur një element shtesë.

Në draft-ligjin e ri, AMF kufizon kompanitë që të mos e ndryshojnë çmimin më shumë se dy herë në vit, ndërkohë që risi është edhe kufizimi i shpenzimeve diçka që në ligjin në fuqi nuk e gjejmë. “Tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm nuk mund të ndryshohen më shumë se dy herë brenda një viti kalendarik. Shpenzimet e marrjes në sigurim, shpenzimet administrative, si dhe pjesa e llogaritur për fitimin e shoqërisë së sigurimit nuk mund të jenë më shumë se 40% i primit të shkruar bruto, nga të cilat komisionet e ndërmjetësimit të mos jenë më shumë se 12% e primit” thuhet në nenin 7 të ligjit, i cili analizon tarifën e primit të sigurimit të detyrueshëm.

Vendoset afat për pagesën e dëmshpërblimit, bëhet brenda 14 ditësh

Në rastet kur kompanitë bëjnë pranimin e një kërkese dëmshpërblimi ato duhet që ta trajtojnë atë brenda 30 ditësh, nëse është kërkesë për dëme pasurore dhe 90 ditë, për dëme pasurore. E reja në nenin 12, që lidhet me dëmshpërblimin, ka të bëjë me vendosjen e një afati për pagesën e dëmshpërblimit.

“Shoqëria e sigurimit do të kryejë pagesën e dëmshpërblimit brenda 14 ditëve pas përfundimit të afatit të trajtimit të dëmit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit të dëmshpërblimit. Në rast të mosrespektimit të afatit të përcaktuar në këtë nen, palës së dëmtuar i lind e drejta e përfitimit të interesit të pagueshëm për çdo ditë vonesë në shlyerjen e dëmshpërblimit nga shoqëria e sigurimit. Në rastet kur kërkesa e paraqitur nuk është e plotë, shoqëria e sigurimit i drejtohet paraqitësit të kërkesës me shkrim brenda 8 ditëve pas pranimit të kërkesës dhe kërkon plotësimin e dokumentacionit”, thuhet në draft-ligj. Po kështu një tjetër e re është edhe trajtimi që do t’ju bëhet kërkesave për dëmshpërblim në vlerë të vogël deri në 100 mijë lekë. Sipas draftit të AMF, kërkesat për dëmshpërblim për dëme ndaj pronës me vlerë deri në 100 000 lekë, do të paguhen nga shoqëritë e sigurimit brenda 14 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës për dëmshpërblim.

Kontratat e sigurimit, shtohen elementet përbërëse, dokument elektronik

Për herë të parë, kontrata e sigurimit del nga formati vetëm letër që lëshohet nga kompanitë e sigurimit, duke ju përshtatur zhvillimeve të teknologjisë dhe informacionit. Kjo do të thotë që kontrata ka vlerë edhe kur është dokument elektronik, sipas përcaktimeve të ligjit për nënshkrimin elektronik. Lidhur me formatin e kontratës janë të paktën 13 elemente që përcaktohen se duhet të përfshihen, duke nisur nga emrat dhe adresat e palëve, objektin e kontratës, rrezikun e përjashtuar dhe mbulimin, detyrimet e palëve e pasojat e mospërmbushjes për ta mbyllur me trajtimin e shërbimeve të siguruesit.

Transporti publik, shtohet mbulimi për paaftësinë e përkohshme

Kompanitë e transportit publik të çdo natyre pra transport rrugor, ajror, detar kanë detyrimin e sigurimit përmes një kontrate. Sipas ligjit, detyrimi i shoqërisë së sigurimit që rrjedh nga kontrata e sigurimit, përfaqësohet nga kufijtë minimalë të mbulimit të vlefshëm në ditën e aksidentit, përveç rastit kur në kontratën e sigurimit përcaktohet një vlerë më e lartë. Kjo aktualisht zbatohet edhe me ligjin në fuqi “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, veçse vlen vetëm për dy raste, në atë të vdekjes dhe atë të paaftësisë së përhershme.

Minimumi i shumës së siguruar për çdo pasagjer të mbuluar nga kontrata e sigurimit, në rast vdekjeje është 2 milionë lekë, ndërsa në rastin e paaftësisë së përhershme, 4 milionë lekë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka shtuar edhe një tjetër kategori me draftin e ri, duke përfshirë edhe pasagjerët me paaftësi të përkohshme për punë për të cilët minimumi i shumës së siguruar është 1 milion lekë.

Ndryshimi i pronësisë së mjetit, siguracioni duhet bërë nga e para

Sot çdo pronar mjeti që vendos ta shesë atë, mund të transferojë pa problem edhe policën e sigurimit. Pronari i ri thjesht duhet të paraqitet pranë kompanisë që ka prerë këtë policë dhe të bëjë plotësimin me emrin e tij pa paguar asgjë shtesë. Kontrata e sigurimit është e transferueshme. “Në rast se ndryshon pronësia e mjetit gjatë periudhës së sigurimit, të drejtat dhe përgjegjësitë, që rrjedhin nga kontrata e sigurimit, i kalojnë pronarit të ri dhe vlejnë deri në përfundimin e kontratës së sigurimit, përfshirë këtu edhe të drejtat e detyrimet e përcaktuara në nenin 8 të këtij ligji. Pronari i ri, brenda 8 ditëve, detyrohet të njoftojë shoqërinë e sigurimit për ndryshimin e pronësisë së mjetit dhe pasqyrimin e këtij ndryshimi në kontratën e sigurimit”, – thuhet në ligjin aktual.

Me draftin e ri, kjo procedurë nuk do të jetë më e njëjtë. Sipas nenit të ri, që përcakton këtë aspekt, pronari i ri duhet të bëjë kontratë të re sigurimi për mjetin, kurse ai që e ka pasur deri dje i kthehen paratë për pjesën e mbetur të periudhës. “Në rast se ndryshon pronësia e mjetit gjatë periudhës së sigurimit, të drejtat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga kontrata e sigurimit nuk i kalojnë pronarit të ri. Pronari i ri i mjetit motorik duhet të lidhë kontratën e sigurimit, ndërsa pronari i vjetër ka të
drejtë të kërkojë kthimin e pjesës proporcionale të primit, në rast se nga kjo kontratë nuk është paguar ndonjë dëm”, – thuhet në draft-ligj.

Si do funksionojë Qendra e Informacionit të Sigurimeve të Detyrueshme

Si ligji aktual, edhe drafti, parashikon mënyrën sesi funksionon Qendra e Informacionit, ku e siguron bazën e të dhënave lidhur me mjetet motorike në vend, të dhënat që merren nga shoqëritë e sigurimit, ruajtjen e tyre sipas parimeve që kërkon ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Po kështu, qendra mbështetet financiarisht nga kompanitë e sigurimit.

“Shoqëritë e sigurimit kontribuojnë financiarisht për ngritjen dhe funksionimin e qendrës së informacionit dhe këto kontribute përdoren nga Autoriteti për funksionimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e kësaj qendre.

Struktura, veprimtaria e qendrës së informacionit dhe masa e kontributit financiar miratohen me rregullore të Autoritetit”, – thuhet në ligjin aktual dhe në draftin e ri. Risia në dokumentin ende të pamiratuar është pjesa që lidhet me mundësinë e transferimit të qendrës nga autoriteti tek Enti i Fondit të Kompensimit.

Konkretisht, në draft thuhet se Autoriteti, me vendim të veçantë, mund të delegojë funksionimin dhe mirëmbajtjen e Qendrës së Informacionit pranë Entit të Fondit të Kompensimit.
Për herë të parë në draft përcaktohet edhe afati përgjatë të cilit kjo qendër mund të japë informacion për palë të dëmtuara dhe pjesëmarrësve në një aksident rrugor, që përfshin një periudhë 7-vjeçare pas aksidentit.

Qendra është e detyruar t’i japë palës së dëmtuar, sipas së drejtës që ka për kompensim, të dhëna që lidhen me emrin e shoqërisë, selinë dhe zyrën e regjistruar të siguruesit përgjegjës, numrin e kontratës së sigurimit, emrin e adresën e shoqërisë, selinë dhe zyrën e regjistruar të përfaqësuesit të dëmeve në vendin ku jeton pala e dëmtuar.

Fondi i Kompensimit “ikën” nga Byroja e Sigurimit

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vendosur që të ndryshojë mënyrën sesi është konceptuar hallka që menaxhon Fondin e Kompensimit që paguhet nga kompanitë. Sot kjo hallkë është vetëm Byroja Shqiptare e Sigurimit që kryen funksionet e entit kompensues, për bërjen e pagesave të parashikuara në këtë ligj.

Fondet e nevojshme për pagesën e dëmshpërblimeve për kompensimet përballohen nga fondi i kompensimit. Kjo Byro mbikëqyret nga AMF, por sot zhvillimet në treg tregojnë se marrëdhënia mes këtyre palëve nuk ka rezultuar edhe aq e lehtë. Situata mes Byrosë, AMF-së dhe kompanive të sigurimit është në një rreth vicioz ku nuk po i jepet zgjidhje çështjes së shlyerjes së detyrimeve të prapambetura pasi ka përplasje të vendimeve si dhe një audit të munguar ndërkombëtar të llogarive të Byrosë.

Draft-ligji i ri ka vendosur të heqë disa kompetenca nga Byroja duke krijuar një hallkë të re, që është Enti i Fondit të Kompensimit, i cili do të menaxhojë fondin e kompensimit, kurse Byroja do të vijojë të menaxhojë fondin e garancisë që lidhet me detyrimet e kartonit jeshil, pra policat kufitare. Ky fond me ligjin aktual për çdo kompani është jo më pak se 200 mijë euro. Kurse me draftin e ri, kufiri për çdo kompani për fondin e garancisë të kartonit jeshil është 250 mijë euro.

Enti i Fondit të Kompensimit, sipas draft-ligjit, merr pjesën që lidhet me fondin e kompensimit që sot menaxhohet nga Byroja. “Enti mbledh, përpunon dhe ruan në një bazë elektronike të dhënat për dëmet nga Fondi i Kompensimit. Mbikëqyrja e Entit kryhet nga Autoriteti, i cili përcakton me rregullore të veçantë rregullat dhe standardet e raportimit dhe të mbikëqyrjes”, thuhet në draft.

Si do të funksionojë Enti i Fondit të Kompensimit

Drafti i depozituar tashmë pranë Financave parashikon ndryshime thelbësore për Fondin e Kompensimit. Në draftin e ri AMF vendos se çdo kompani nuk mund të kontribuojë me më pak se 150 milionë lekë në fondin që ka si qëllim pagesën e dëmeve. “Vlera minimale e Fondit të Kompensimit me qëllim pagesën e dëmeve nuk mund të jetë më e vogël se 150 000 000 lekë.

Kjo vlerë mbahet nga Enti, si fond garancie në një llogari bankare qëllimore në njërën nga bankat dhe/ose degët e bankave të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe investohet vetëm në bono thesari dhe/ose depozita bankare, me afat maturimi jo më të vogël se 1 vit”, – thuhet në draft. Me ligjin aktual, investimi bëhet po në bono thesari, apo depozita bankare, veçse periudha e maturimit nuk mund të jetë më shumë se 3 muaj.

Enti, ashtu sikurse Byroja, do të mbikëqyret nga AMF, përmes paraqitjes së pasqyrave vjetore, si dhe raportit për operacionet dhe veprimtarinë gjatë një viti. Çdo vit, pas miratimit të detyrimit që duhet të paguhet në fond, që është në përqindje të primeve të shkruara bruto në sigurimin e detyrueshëm motorik, kompanitë duhet që të bëjnë pagesën brenda 15 ditëve nga data e marrjes së njoftimit. Kompanitë që nuk bëjnë pagesat mund të rrezikojnë që të penalizohen apo t’ju revokohet licenca. Për të gjithë operatorët e rinj që hyjnë në treg, pagesa në fond nuk mund të bëhet për detyrime që kanë lindur para hyrjes në treg të tyre.

Futet koncepti i falimentit, kush i paguan dëmet kur kompania mbyll aktivitetin

Drafti i fundit i ligjit “për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” fut për herë të parë konceptin e falimentit, pra çfarë ndodh me dëmet që duhet të paguhen, kur një kompani del nga tregu, pra falimenton ose mbyll aktivitetin. Pagesat do të bëhen nga Enti nga një fond i veçantë që do të llogaritet sa 0.5% e primit të shkruar bruto.

“Enti krijon fond të veçantë për pagesën e dëmeve në rast të mbylljes apo falimentimit të shoqërisë së sigurimit, sipas përcaktimeve të këtij neni. Financimi i këtij fondi bëhet çdo vit nga kontributi i shoqërive të sigurimit në masën 0.5% i primit të shkruar bruto të sigurimit të detyrueshëm të vitit paraardhës, me përjashtim të kartonit jeshil, deri sa të arrijë nivelin e provigjoneve teknikë të sigurimit të detyrueshëm të shoqërisë që zë pjesën më të madhe të tregut në vitin paraardhës në këtë lloj sigurimi”, – thuhet në draft. Financimi për këtë fond bëhet brenda muajit janar të çdo viti kalendarik.

Si ta kuptojmë Bonus-Malus-in

Bonus-Malus është një sistem i cili përcakton çmimin që duhet të paguajë çdo qytetar sipas historikut të tij. Ai përdoret në një seri sektorësh si sigurime, call center, taksa, banka. Tek sigurimet, kuptimi i bonus-malus përfaqëson çmimin më të lirë për drejtuesit me historik të pastër nga aksidentet dhe çmimin më të shtrenjtë për ata me historik problematik në aksidente, apo për ata që marrin lejen e drejtimit për herë të parë. Ndarja e klasave varion nga vendi në vend dhe sistemi në vetvete synon rritjen e përgjegjshmërisë së drejtimit të mjetit në funksion të uljes së aksidenteve. Futja e një sistemi të tillë ecën paralel me liberalizimin e tregut të sigurimeve, duke e bërë më të vështirë fiksimin e çmimeve nga kompanitë.

Monitor

Share: