Home KRYESORE Duhet një qasje e re komunikimi e qeverise ndaj biznesit. Nga Kasem...

Duhet një qasje e re komunikimi e qeverise ndaj biznesit. Nga Kasem Seferi

Një prej lajmeve të ditës ishte deklarata e kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë (Amcham) në lidhje me shantazhin dhe “dhunën“ që ushtrohet mbi bizneset nga administrata tatimore me anë të gjobave.

Me një përvojë të gjatë në administratën tatimore (i trajnuar nga mjeshtra ndërkombëtarë në qendra të ndryshme trajnimi të OECD – së, etj), kam mësuar dhe jam përpjekur (në ekip) të vinim në jetë praktika të tilla që synonin mbledhjen e detyrimit dhe jo ndëshkimin e tatimpaguesve.

Gjoba është ai lloj ndëshkimi ligjor, që e mbron sistemin tatimor nga shkeljet e marra me mend që mund të bëjnë tatimpaguesit, parashikuar në legjislacionin tatimor, por jo thelbi i politikës tatimore.

Deklarata e kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë, nuk tregon gjë tjetër veçse një prej sinjaleve të “alarmit“ që ngre një komunitet i caktuar biznesi dhe/ose komuniteti i tërë.

E theksoj këtë të fundit, për arsye se një prej praktikave që kanë shoqëruar politikat tatimore të Qeverisë Rama 1 dhe Rama 2, janë prirja dhe veprimtaritë e shtuara të administratës tatimore me masa shtrënguese, që cënon dhe ligështon klimën e të bërit biznes.

Pikërisht, në lidhje me këtë argumentim, po shtjelloj mendimet e mëposhtme, duke kërkuar debat nga kolegë të fushës dhe të tjerë të interesuar që u intereson që punët e biznesit të shkojnë mirë.

Marrëdhëniet politike, emigracioni, tregtia dhe marrëdhëniet kulturore ndërmjet investitorëve të huaj dhe Republikës së Shqipërisë si vend mikpritës, kanë efekte të forta në rrjedhat e IHD (Investimit të Huaj Direkt).

Këto marrëdhënie të ndryshme shoqërore formojnë shkëmbimin ekonomik, një përfundim që, më së pari dhe më së shumti, vërteton arsyen e përqindjes së investitorëve të huaj në Shqipëri.

Qeveritë që kanë hartuar, hartojnë dhe do të hartojnë strategjitë e rritjes ekonomike të vendit, u duhet vënë para syve një tabelë që t’u kujtojë se studimet e fundit po sjellin edhe njëherë mesazhet që vijojnë:

(i)avantazhi konkurrues mund të krijohet, ose tek e fundit fare të rritet në mënyrë domethënëse;
(ii) përmirësimi i konkurrueshmërisë brenda një ekonomie duhet të jetë një element kyç i strategjisë së eksportit kombëtar.

Michael Porter, Drejtor i Institutit për Strategji dhe Konkurrueshmëri në Harvard Business School thotë: “Lulëzimi kombëtar krijohet, nuk trashëgohet.”.

Prandaj, në një botë ku tregtia liberalizohet gjithnjë e më shumë, strategjia e një vendi të vogël duhet të përqendrohet në gjenerimin dhe ruajtjen e avantazhit konkurrues nëpërmjet rritjes së kapacitetit për t’i joshur firmat vendase dhe të huaja që ta përdorin vendin si platformë prej nga ato të drejtojnë bizneset e tyre.

Pikërisht, sipas strategjisë “diamant”, formuluar nga Michael Porter, situatat që përcaktojnë forcat dhe dobësitë konkurruese të ekonomisë së një vendi si dhe sektorët madhorë të saj janë ekzistenca e burimeve si dhe të një mjedisi biznesi që investon në shpikje, pa harruar praninë e industrive mbështetëse.

Fazat nëpër të cilat kalon proçesi i përparësisë konkurruese përcaktohen nga:

kosto e ulët e punës dhe burimet natyrore; prodhimi i produkteve të sofistikuara me anë të importimit të teknologjisë; përqendrimi në strategjinë e eksportit kombëtar,

përmirësimi i mëtejshëm i mjedisit të biznesit nëpërmjet revizionimeve, përgatitjeve rregullatore (dogana, tatime etj), shtrirjes së kompanive në zinxhirët e vlerës ndërkombëtare dhe përmirësimit të Investimeve të Huaja Direkte (IHD).

Politikat që ndiqen për arritjen e qëllimit janë partnershipi kombëtar, që përfshin veprime plotësuese nga qeveria dhe sektori privat.

Në analizën e saj, në një seminar të organizuar në Greqi, në lidhje me hyrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, Julia Gray e Universitetit të Pistsburgut në SHBA, ndër të tjera, do të vinte në dukje se impasi i kohëve të fundit në proçesin e zgjerimit të BE – së drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, po krijonte një mjedis ekonomik që karakterizohej nga pasiguria, për arsye se liderët vendorë, gjithnjë e më shumë, po bindeshin se hyrja në BE është një rrugë e gjatë.

Kjo gjë u vërtetua nga deklaratat e ditëve të fundit të zyrtarit të Brukselit Junker gjatë vizitës në Maqedoni dhe Shqipëri në lidhje me datën e zgjerimit për rrjedhojë të mosplotësimit të reformave (pavarësisht arritjeve – formë kjo e hipokrizisë tipike të zyrtarëve të BE – së) që do t’i ndihmonin vendet e Ballkanit Perëndimor të lëviznin drejt Europës, veçanërsisht, në tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Organizimi nga BERZH i takimit të janarit 2014 dhe së fundi takimi i mbajtur në Londër, takimi me Kancelaren Merkel në Vienë, jo vetëm e nënkuptojnë një gjë të tillë, por pothuajse e thonë troç një gjë të tillë.

Për më shumë, në këtë këndvështrim, BERZH (EBRD) Shqipërinë e ka caktuar si projekt pilot, dhe, në mënyrë më domethënëse, kjo dukej nga disa përpjekje të Këshillit të Investimit nga përkujdesjet e Zyrës Përfaqësuese të BERZH në Tiranë që, në thelb, ka pasur dhe ka si qëllim përmirësimin e klimës së biznesit (ose e thënë më troç të investimit).

Si rezultat një ekonomi që vazhdon të rritet në kushtet e përkeqësimit të klimës së biznesit, ose me mundësinë që të rrijë në vend, shkakton zemërime të mëtejshme në popull si dhe pasiguri në vend, që në kthim (ose si përgjigje) shtojnë mosbesimin e komunitetit të biznesit, gjë që ka rritur vetëm interesin për të emigruar në vendet anëtare të BE – së, në vend që të mendonin për zhvillimin e ekonomisë së vendit të tyre.
A paraqit (në këtë kontekst) Shqipëria rëndësi për BE – në?

Në të vërtetë, vendet e Ballkanit Perëdimor konsiderohen si një vendndodhje me vlerë të madhe për Europën.

Në këtë kuptim, përparësitë e përbashkëta hapëse të vendndodhjes janë struktura e lartë e konkurruese e kostos së përgjithshme (forca punëtore, toka dhe mjete të tjera më të lira se sa në vendet e reja anëtare të BE – së).

Forca punëtore në dispozicion, kosto dhe cilësia (forcë punëtore e arsimuar mirë dhe me përvojë, ekspertiza teknike); vendndodhja strategjike dhe afërsia (sepse deti Adriatik është shumë afër si Europës Perëndimore ashtu dhe asaj Qendrore).

Pothuajse e gjithë tregtia bëhet me vendet anëtare të BE – së dhe vendet fqinje dhe, në këtë kuptim, investitorët e huaj duhet të veprojnë si një “rrugëzgjidhje rajonale” (mundësia për të shërbyer si një treg “rajonal”).

Në vitin 2007, investimet e huaja direkte (IHD) nuk kanë qenë në nivelet e fillimit të tyre.

Shikoni ku janë sot duke krahasuar jo sasinë, por cilësinë dhe ritmet e rritjes!

Konkretisht Shqipëria nga investitorët e huaj është parë si një vend ku mund të prodhohen tekstile dhe veshje; ku mund të përpunohet lëkura dhe të prodhohen këpucë; ku agrobiznesi ka perspektivë për prodhimet bio; ku mund të rriten shërbimet e biznesit, hyrje në të dhënat, telemarketingu, mbështetje zyrash, etj; infrastruktura dhe turizmi.

Në këtë kontekst cilësia e administratës publike e vendit mikpritës është një konsideratë, për arsye se pasiguria, dykuptimshmëria, ndryshimet tejet të shpeshta në legjislacion (shikoni legjislacioni tatimor që është bërë copë e çikë), paqëndrueshmëria në interpretimin dhe zbatimin e legjislacionit, zyrtarët e korruptuar, ndëshkime që e tejkalojnë masën, janë faktorë të tillë që përbëjnë një antinxitës të ashpër për investimin.

Shpesh nga punonjësit ekzekutivë të biznesit dëgjon vërejtje të tilla si “ në qoftë se unë do ta kisha vërtetuar se sa e vështirë është të bësh biznes në këtë vend, kurrë nuk do të vija këtu”.

Zakonisht, ndërmjet arsyeve të dhëna për pakënaqësinë e krijuar nga një vend që duhej të ishte vend mikpritës janë ligjet e paqëndrueshme, administrata publike e çrregullt dhe, mbi të gjitha, barra administrative tejet e madhe.

Në mënyrë të paevitueshme, faktori ”kurrë përsëri” ka një efekt të rëndësishëm mbi planet e ardhshme të investimit dhe tërheqja e rrjedhave të ardhshme të investimit është vendimtare për sigurimin e një rritje ekonomike stabël gjatë dekadës ku ka hyrë ekonomia e vendit.

Prandaj, përmirësimi i mjedisit dhe klimës së biznesit mbetet një qëllim shumë sfidues i betejave që duhet të bëjë komuniteti i biznesit për të qartësuar imazhin që kanë investitorët për Shqipërinë.

Për të mos lejuar që burokracia të vazhdojë të rrisë koston e investimit, që kufizon potencialin e ekonomisë së vendit për investime në shumë fusha, qeveria duhet të marrë në konsideratë të veçantë rolin që luan klima e biznesit në lidhje me thithjen e investimit të huaj dhe vendas, prandaj Qeverisë Rama 2 i duhet të rivlerësojë dialogun e hapur privat – publik si një prej mjeteve më efektivë dhe më efiçentë të strategjisë së saj.

Reformimi dhe revizionimi i barrierave administrative që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit duhet të shmangin favorizimin e disa grupeve të caktuar si dhe të rrisin rolin, efektivitetin dhe efiçencën e agjensive shtetërore që merren me problemet e menaxhimit të reformës për nxitjen e investimit të huaj, në sfondin e deklaratës së fundit të kreut të Dhomës Amerikanë të Tregtisë, duken larg.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: