Home KRYESORE Duhet të jesh më i zgjuar… nga Juliette Binoche

Duhet të jesh më i zgjuar… nga Juliette Binoche

Përktheu Elona Caslli

Znj. Binonche çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj 20 vitet e fundit?

Çfarë ka ndryshuar? Kam një vajzë dhe shpresoj të jem bërë më e ndërgjegjshme dhe pak më e mençur. E kam shumë të vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje dhe nuk e di sepse. E di, se ka disa libra që kanë ndikuar në ndërgjegjien time. Lidhur me marrëdhëniet, nuk besoj se kam bërë shumë hapa para. Kam patur një marrëdhënie 15 vjeçare. U ndamë, u bashkuam, u ndamë, u bashkuam prapë dhe këto ndarje dhe ribashkime në një farë mënyre, të mësojnë të mos të përpiqesh ta zotërosh partnerin dhe ta duash ndryshe atë. Dhe ndoshta tek kjo pikë kam bërë një hap të vogël përpara. Jeta kaloi dhe unë mësova ca gjëra. Por, lidhur me ndryshimet, nuk di si të përgjigjem. Unë mendoj se thelbi çdo njeriu, nuk ndryshon asnjëherë .

Ju besoni se thelbi i njeriut nuk ndryshon kurrë?

Zgjedhjet dhe veprimet që bëjmë, na krijojnë dhe tregojnë me të vërtetë se kush jemi. Dhe unë besoj se u kam thënë “po” gjërave që kanë me të vërtetë rëndësi në jetën time. Por, kur je grua me përvojë, ke më shumë për të treguar. Ka shtresa të ndryshme brenda vetes , që duhet t’i eksplorosh. Me kalimin e moshës , fiton një lloj lirie sepse vlerat e tua ndryshojnë. Nuk kapesh më pas gjërave si më parë. Ke një lloj lirie, që të lejon të jesh më shumë vetvetja. Nga njëra anë bëhesh më e brishtë dhe nga ana tjetër bëhesh edhe më e fortë.

Çfarë doni të thoni me “e brishtë”?

Fizikisht ndryshon dhe bëhesh më e brishtë. Kaq e thjeshtë është. Diçka tjetër vjen. I lë ca gjëra pas, sepse duhet të përballesh me gjëra të tjera. Duhet t’i kapërcesh disa gjëra: nevojën për pushtet, nevojën për të zotëruar, nevojën për argëtim. Këto janë tre gjërat e mëdha, me të cilat, çdo njeri duhet të përballet dikur në jetë. Është një sfidë e vërtetë, por unë mendoj se kur merr vendimin për ta kapërcyer këtë sfidë, pas saj vjen një liri aq e bukur , që të shijon aq shumë.

“ Uauuuuuu! Liri! Më në fund! Por, nuk duhet të kapesh pas asgjëje. Dhe e keqja është, se ne të gjithë kemi nevojë të ndihemi të sigurt, apo jo? (Qesh)

A keni nevojë për liri, kur luani një rol?

Në filmin e fundit kisha nevojë për liri. Në provën e parë të xhirimit, preka dorezën e derës. Po përpiqesha të bëja diçka të re. Doja të eksploroja pak, të provoja diçka ndryshe. Dhe menjëherë, sapo e vura dorën tek doreza e derës, regjisori tha:
“ Jo, mos e prek dorezën e derës”, dhe u hutova sepse askush nuk më kishte thënë “ mos “ më parë. Madje, as Abbas Kiarostami nuk më ka thënë kurrë të mos bëj diçka.

Ndaj, iu përgjigja regjisorit, “ Do të humbasësh mrekulli dhe dhunti që unë ende nuk i njoh , por po i eksploroj. Ndaj merr frymë thellë dhe më lër të lirë për 3 provat e para. Mos thuaj asgjë. Pas këtyre 3 provave bëjmë 20, 40., 60, sa të duash.”

Dhe ai e bëri këtë. Dhe ne ia kaluam shumë mirë. Ishte filmi i parë i atij regjisori dhe ai nuk dinte shumë gjëra.

Është shumë më interesante të punosh me besim se të punosh me shprehje të tilla si:
“ Unë kam në dorë gjithçka. Mua më takon ta them fjalën e fundit.”

Kam përshtypjen se është e vështirë për disa regjisorë të heqin dorë nga kontrolli. Ata varen gjithmonë nga ajo që ju mund të jepni.

Por, është punë në grup. Është krijim i përbashkët. Të mendosh se filmi, është veçse këndvështrim i regjisorit, për mendimin tim është gabim. Regjisori i merr vendimet në fund, por prodhimi dhe xhirimi i një filmi, është pa më të voglin dyshim ,një krijim i përbashkët. Të gjithë varemi nga njëri-tjetri. Unë mund ta shkatërroj këndvështrimin e një regjisori , po të dua, sepse unë jam aktorja. Unë kam një kontratë dhe nëse nuk dua të aktroj në këtë apo atë  mënyrë, jam e lirë të mos ta bëj.

Duket si kërcënim.

Prandaj duhet të jesh më i zgjuar dhe të kesh më shumë besim.
Vetëm në rast se në kontratë thuhet, ashtu siç thonë ca yje amerikanë ( të cilëve nuk po ua përmend emrin) që janë vetë aktorët,  ata që e udhëheqin filmin.

Aktorë që kanë në dorë më shumë se regjisorët?

Po, Emmanuelle Beart me tregoi një rast me Tom Kruiz. Ajo donte ta trajtonte me dhembshuri personazhin e saj në fundin e filmit Mission Impossible. Dhe Tomi shkoi tek regjisori dhe i tha: “ Ajo nuk mund ta luajë këtë rol kështu. Tomi donte ta kontrollonte. Ai donte të sigurohej se roli i tij do të ishte më i suksesshëm dhe gruaja do të shfaqej si kurvë. (Qesh)

Ju përmendët Abbas Kiarostami më pare dhe ju keni punuar me shumë regjisorë dhe skenaristë të njohur gjatë karrierës suaj si Godard, Cronenberg, Kieslowski, Minghella, and Haneke. Cili prej tyre është më i rrepti?

Haneke është i rreptë, por megjithatë ,ai i respekton shumë aktorët. Ai e di se sa e vështirë është.
Por, vjen një çast ,që ai do të jetë i përpiktë për çdo gjë dhe kjo gjë mua më pëlqen. Dua të them se ai nuk është kundër përmirësimit të një detaji , por kur ti e di se sa i rreptë është , e ke paksa të vështirë ta lësh veten të lirë.

Dhe duhet të punosh me veten dhe t’i thuash vetes: Hej, ki besim te vetja , se po e luan mirë rolin.Edhe nëse ai nevrikoset, mos e vrit mendjen. (Qesh)

Duhet t’ia thuash me të vërtetë vetes, sepse përndryshe rrezikon të jesh më e mirë se ç’duhet. Dhe gjatë aktrimit, nëse përpiqesh t’ia bësh shumë qejfin regjisorit, e humbet vërtetësinë e çastit.

Është njësoj sikur ta jetosh jetën e lirë ose ta jetosh nën kontroll. E kupton ndryshimin?

A keni jetuar e lirë?

Kam qenë e lirë të zgjedh çka dua. Në fillim jo aq shumë,sepse më duhej të nxirrja lekët për të jetuar, por jeta më ka qëndruar pranë. Dhe unë besoj se gjërat vijnë gjithmonë në kohën e duhur. Shpesh herë ligështohesh, kur mendon dhe thua me vete: “ Nuk e di se çfarë do të ndodhë vitin tjetër” ; sidomos kur ke fëmijë dhe fatura për të paguar. Vret mendjen se si do t’ia dalësh mbanë.

Dhe ndodh, që jeta vjen me plot surpriza. Supriza dhe ty të duhet të sfidosh vetveten dhe të gjesh zgjidhje.

Nëse e beson këtë, përkushtimi për jetën rrjedh ndryshe. Në një farë mënyre nuk ndihesh vetëm.

Share: