Home KRYESORE Eksportet në pikiatë, bien 7.8% për 6 mujorin

Eksportet në pikiatë, bien 7.8% për 6 mujorin

Eksportet kanë thelluar trendin rënës për 6 mujorin, duke u tkurrur me 7.8% në janar-qershor në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të INSTAT, për të arritur në 117.6 miliardë lekë, nga 127.4 miliardë lekë një vit më parë.

Efektin kryesor në këtë tendencë rënëse ka vijuar ta japë grupi i “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike”, që u tkurr me 44% në 20 miliardë lekë.

Ndonëse çmimet e naftës e kanë marrë veten duke qenë afër 50 dollarëshit në qershor, nga nën 30 dollarë që zbritën në janar, aktorët e tregut pohojnë se nafta shqiptare është bërë e papreferuar për shkak të cilësisë së dobët të saj (nafta shqiptare është e rëndë dhe shitet me skonto rreth 70% të Brent dhe kur ishte çmimi i lartë kishte interes ta blije pasi zbritja ishte e lartë, tashmë tregu i huaj nuk ka shumë interes ta tërheqë atë).

Një tjetër faktor që ka ndikuar në rënien e eksporteve të këtij grupi është dhe ndërprerja e punës në javën e parë të qershorit nga Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend, për shkak të bllokimit të portit të Petrolifera. Në qershor, eksportet e këtij grupi u tkurrën me 32%.

Në rënie të fortë janë dhe “materialet e ndërtimit dhe metalet”, që u tkurrën me 26% për 6 mujorin, në 14.8 miliardë lekë, duke reflektuar mbylljen e kompanisë së prodhimit të çelikut, Kurum.

“Mineralet, lëndët djegëse dhe energjia” dhe “materialet e ndërtimit e metalet”, janë përkatësisht grupi i dytë dhe i tretë më i madh i eksportuar në vend dhe që nuk po arrijnë të ngrenë kokë përgjatë këtij viti.

Eksportet po mbahen në këmbë nga “tekstilet dhe këpucët”, që u rritën me 22.7% për 6 mujorin dhe kanë kaluar në grupin më të madh të eksportuar në vend, me 45% të totalit. Për qershorin, ky sektor ka ngadalësuar rritjen duke u zgjeruar me 16% (më ulët se mesatarja 6 mujorit). Aktorët e tregut pohojnë se ndonëse kërkesa nga partnerët italianë është e madhe, rritja e kostove (nga taksat dhe energjia) po i bën ata jo konkurrues.

Ecuri pozitive po vijojnë te kenë eksportet e “pijeve ushqimore e duhanit”, që janë rritur me 29.4%.

Grupet e “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” dhe “Prodhime druri dhe letre”, që deri një vit më parë rriteshin me ritme dyshifrore kanë rënë përkatësisht me 12.3% dhe 5.4%.

Në qershor, eksportet ranë me 6.4%

Sipas INSTAT, në muajin Qershor 2016 eksportet e mallrave arritën vlerën 23 mld lekë, duke u ulur me 6,4 % në krahasim me Qershor 2015 dhe rritur me 10,1 % në krahasim me Maj 2016.

Importet e mallrave në muajin Qershor 2016 arritën vlerën 51 mld lekë, duke u rritur me 4,1 % në krahasim me Qershor 2015 dhe duke u ulur me 1,6 % në krahasim me Maj 2016. Deficiti tregtar i këtij muaji është 28 mld lekë, duke u rritur me 14,4 % krahasuar me Qershor 2015 dhe duke u ulur me 9,3 % në krahasim me Maj 2016.

Rënia vjetore e eksporteve prej 6,4 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë

djegëse, energji elektrike” me -10,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,9 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0,2 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +5,3 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +1,4 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” kanë kontribuar me +0,6 pikë përqindje.

Në muajin Qershor 2016, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Qershor 2015 janë: Italia me 28,5 %, Greqia me 40,6 % dhe Serbia me 7,3 %. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kosova me 36,2 %, Maqedonia me 9,9 % dhe Spanja me 80,3 %./Monitor

Share: