Home KRYESORE ËNDËRR BREDHARAKE…

ËNDËRR BREDHARAKE…

NGA ANISA MARKARIAN

Ada M. vrapoi të strehohej në restorantin e stacionit hekurudhor me kokën të rrokur mes duarve nga frika se mos ia zhvidhoste era e azdisur.

Rrihte një erë tetori lakmitare, fyryfyçkë, mendjemadhe. Një nga ato që kanë ambicjen të zhvendosin boshtin e globit e të palosin ujërat e oqeaneve. Ishte ngritur papritur në agmí të ditës, pa u kuptuar nga vinte. Ndoshta nga kurrkund. Kishte qënë aty kaherë. E rregullt, e rrafshët, e bindur, pa emër. Dalldia e madhështisë duhej ta kishte goditur në gjumë, ndaj qe zgjuar e vorbulluar. Këmishën e natës të kapërthyer në lakoren ku rryma e ngrohtë dhe e ftohtë e ajrit i bëjnë «taaa!» njëra-tjetrës. Këmbët të zëna çark në prehërin e anticiklonit. Aty ku denduria e trysnisë së lartë turret të rimbushë zbrazëtinë e lënë nga çtrysnia.

Palmat qafëgjirafa përgjatë shëtitores së bregdetit përkundnin të lebetitura, sa majtas-djathtas, bishtalecët ngrehalucë të majëkokës. Balluket e galthëta, qethur shkel-e-shko nga era e harbuar, u jepnin një pamje mjerane dordolecësh plazhi, ngulur rrëmbimthi në fillim të verës për të trembur laraskat me kostum banje.

Mbi binarët dhe valixhet e udhëtarëve derdheshin kosha me hurmëza të thara, sikur Perënditë të hidhnin poshtë zahiretë e dimrit për të zbrazur qilarët e Olimpit.

Po çvoshkej cipa e Tokës si një këllëf jastëku që e kthejmë mbrapsht për ta larë. Po dilnin në pah të brëndshmet e saj, që për herë të parë u shfaqeshin kalimtarëve. I turpëruar nga lakuriqësia e botës përtej qemerëve shkëmborë, deti i hidhte mbi shpinë dantella kripore të endura në sovajkë me dallgë bardhëlloshe.

Ndërkohë, era vjedhacake kishte rrëmbyer petkat e Tokës për të veshur me to planetë të panjohur…

* * *

Ndërsa kërkonte një tryezë të lirë në sallën e restorantit, i zunë sytë një siluetë mashkulli më këmbë, pranë banakut të barit, të pështjellur në një pelerinë të shndritshme prej atllasi të zi, që plotësohej nga një cilindër gjithashtu i zi e një shkop me kokë të argjendtë.

– Magjistarit të Cirkut i mungokan dorezat e bardha. – tha Ada me vete duke nënqeshur lehtë.

I ndjerë nën mbikqyrje, burri u kthye vringthi drejt saj. E kundroi për pak sekonda, si të zhbironte në kujtesën pamore për t’u përmendur se ku mund të ishin njohur, pastaj e përshëndeti. Jo, nuk njiheshin. Madje as nuk ishin hasur ndonjëherë. Ada ishte më se e sigurtë. Një personazh i tillë, gjysmë falltar-gjysmë prestidigjitator, (s’do të qe çuditëri po të nxirrte nga poshtë cilindrit ndonjë mace a papagall), nuk mund të harrohej kurrsesi.

Përngjante si i dërguar nga një Gjithësi fqinjë. I zënë rob pas zbarkimit në Tokë e degdisur në stacionin e humbur bregdetar prej erës marroqe. Mund të ishte pranë të dyzetave. Ndoshta edhe më i ri, po të gjykoje nga një shtëllungë kaçurrelash të zinj që i vareshin si susta në mes të ballit duke i dhënë pamjen çapkëne të një 30 a 35-vjeçari. Mjekra njëjavore, përkundrazi, ia sertonte fytyrën. Sytë… Ah, sytë ishin qeveri më vete! Kishin një ngjyrë të papërcaktueshme. Një moshë të pallogaritshme, të pavarur nga datëlindja apo gjendja fizike e tipareve të tjerë. Rrezatonin një vështrim përçues, zhbirues. Pothuajse çoroditës. Një tundim i beftë ata sy. Aq sa uroi me vete (më saktë, u lut) të ishin bashkudhëtarë. Në të njëjtin tren, në të njëjtin vagon. Mundësisht, me kolltuqet ngjitur ose ballëpërballë. Të zbrisnin në të njëjtën ndalesë e pastaj… E ç’mund të ndodhte pastaj?! Ndoshta gjithçka, …ndoshta asgjë. (Edhe kurbatkat që lexonin të ardhmen në çdo qoshe rruge a rrugice do ta kishin të vështirë ta parashikonin.) Mund të ishte një «pastaj» pa të nesërme. Ç’rëndësi kishte? Por mund të ishte edhe një «pastaj» i gjatë sa të gjithë vitet që i mbeteshin për të jetuar. Ishte gati të nënshkruante një pakt kapitullimi e ta ndiqte pas symbyllur.

* * *

– Në ç’orë niset treni juaj? – pyeti ai, papritur, me bustin të epur drejt saj.
– Ëëë… pas pak. – tha vajza nëpër dhëmbë, në mënyrë të papërcaktuar, dhe iu përskuqën mollëzat.

Ç’tjetër përgjigje mund t’i jepte?! T’i tregonte që treni i saj kishte kaluar tashmë, që prej 30 minutash? Që e kishte lënë të ikte me vetëdije, për të mos ndërprerë bisedën e këndshme me të? (Gjithësesi, trena për në qytezën e saj kalonin rregullisht, ditë e natë.)

Po bisedonin prej rreth një ore, të ulur në stolat këmbëlartë të barit. Në të vërtetë, fliste vetëm ajo. Ai e dëgjonte. Me shumë vëmendje, me shumë durim. Si kurrë më parë ndonjë mashkull tjetër. Sepse ajo, Ada M., u shmangej meshkujve. Meshkujve dhe botës së tërë. (Ndaj bota e kishte harruar; meshkujt gjithashtu.) E plotëbindur që s’kishte asgjë tërheqëse për të rrëfyer, e quante të papërligjshme të shpërdorte kohën e bashkëfolësve me bisedat e saj boshe. Prej vitesh, jeta i rridhte pa larmi. Pa hove. Pa aromë. I kullonte e vakët, i shkiste e pangjyrtë, i shkërmoqej buzëtharë. Ditët gdhinin e thyheshin vargas, të prangosura në një shurdhëti lënduese. Të vetmet ashkla xixëllimtare, që i përshkëndrisnin sadopak horizontin tavanulët të jetës, ishin udhëtimet me tren. Ç’dëfrim varfanjak…

– Sa herë që hyj në një stacion hekurudhor, më duket sikur kam shtyrë kangjellat e një Parku Lodrash. – i kishte rrëfyer sapo qenë ulur, me ngutësinë për të dëbuar, që në embrion, heshtjen e papëlqyeshme që mund të pllakosë mes dy të panjohurish që ndajnë të njëjtën kohëhapësirë pritjeje.

– Vërtet?! E përse? – kishte dashur të dinte ai. (Të vetmet fjalë që kishte shqiptuar gjer në pyetjen e fundit, atë rreth orarit të trenit të saj.)
– Thjesht, sepse… Ëëhh, si mund t‘jua shpjegoj?! …E njihni atë shprehjen që thotë: «udhëtimet e rinojnë njeriun»? Po? Shumë mirë! Për veten do të thoja: «udhëtimet me tren më fëmijërojnë». Në një mënyrë ose në një tjetër, çdo udhëtim me tren më kthen në Parkun ku kam luajtur e jam rritur. Më ishte bërë si shtëpi e dytë. S’kishte burrë nëne t‘më shkulte q’andej. Jo, jo! Këtë vajzë do ta keni zënë në ndonjë Park Lodrash, i ngacmonte nënëmadhja, ndjestë pastë, prindërit e mi. Ehh… Po të varej nga unë, do të kisha fjetur aty brënda. Ju betohem. E përfytyroni dot se ç’jetë do të kisha bërë? «Vajza e ngujuar në Parkun e Lodrave»: titull romani autobiografik. Hahaa!

Në derë u dha një grup udhëtarësh të shtyrë brënda pa dashjen e tyre nga era e harlisur, që me sa dukej kishte vendosur t‘i rriste të ardhurat pronarit të restorantit duke i dërguar klientë me detyrim. E si të mos mjaftonte, i përngjiti trillit edhe një notë poetike. Shpërndau bujarisht mbi tryezat dhe të pranishmit pusulla vjeshtore: gjethe të kuqërremta, leshterikë deti të lëmekur e kristale të tejdukshëm kuarci.

– E dini çfarë më zbaviste më shumë në Parkun e Lodrave? – pyeti Ada tek frenonte mes pulqerit dhe treguesit një gjethe bredharake që hallakatej nëpër ajër pa gjetur pistën e uljes.

Burri shkundi supet. Nga streha e cilindrit iu rrokullisën mbi pelerinë thërriza rëre që erëmonin jod.

– Oh, ju lutem, provoni ta gjeni… – e ftoi vajza, me një lutje-llastim-dëshirë për ta përfshirë në bisedë. – Xhirot tek rrotulluesja muzikore! – shtoi sakaq, kur pa që tjetri nuk kishte ndërmend të bënte ndonjë përpjekje për ta gjetur. – E kam fjalën për atë rrotulluesen me veturat, kafshët, avionët dhe barkat prej druri që, kur marrin shpejtësi, të krijojnë idenë se do të shkëputen nga boshtet e do të fluturojnë. E keni parasysh, besoj. I zgjedhuri im ishte një kalë i bardhë me jele të praruara. Një kalë me fletë! Mbi të më dukej vetja si një princeshë përrallash. Nuk lija askënd tjetër ta shalonte. Jo, jo! Ishte kali im. Kali i Princeshës së Parkut! Hahaa! Nejse… Në fakt, doja t’ju tregoja për trenin e vogël që zëvëndësoi pajtonin e tërhequr nga mushka gërdallë. Kishte një lokomotivë të kuqe e 5 vagonë ngjyrëylberi. «Godina» e stacionit ishte prej dru pishe; e ulët dhe e ngushtë si kolibe xhuxhmaxhuxhësh. Mund të futeshe vetëm këmbadorazi e brënda duhej të qëndroje galiç. Ditën që e vizitova, u tregova prindërve që kishte edhe një sallë të mbushur me gjithfarëlloj ëmbëlsirash, për të miturit që udhëtonin vetëm. Hahaa! I gënjeva, kuptohet. Sepse e dija që s’do të mund të më përgënjeshtronin. Ose do t’u thyheshin kërbishtet…

Sa shumë kishte folur! Ai kishte kërkuar të dinte vetëm përse udhëtimet me tren e fëmijëronin. Asgjë më tepër. Për ç’arsye ishte bërë aq fjalamane? E pamundur t‘ia frenonte furinë dallgës së kujtimeve. Sikur, papritur, kërshëria e bashkëbiseduesit të kishte ngritur çakallen që bllokonte portën e digës përtej së cilës kishte urtësuar përjetimet e fëmijërisë.

Shikimi magnetik i të panjohurit, ngulitur mbi të që në sekondën e parë, po bëhej i papërballueshëm. Uhh, ç’turbullirë… Ia rrëshkiste sytë nëpër fytyrë si ai i verbëri që ka nevojë të kalojë gishtërinjtë mbi format e tipareve për të njohur bashkëbiseduesin. Gjurmët e syve të tij ishin të afshta. Shtegu nga kalonin, përvëlues. I trazonin flokët, i nduknin tëmthat, i lëmonin qafën, i flladitnin ullukun prapa veshëve. Sa shumë po i shijonin ato guduli. Ndoshta prandaj fliste pa pushim. Për të mos i dhënë të kuptonte amullinë ku qe bramisur; vorbëtinë ku qe përfshirë tradhmend e po fundosej. Duhej të vazhdonte të fliste. Përndryshe…

– Kalin princëror e braktisa përfundimisht që pas xhiros së parë me tren. – tha, duke kapërdirë pështymët e nxehta që i përmbytën fytin. – Kur dilja nga shkolla, në vend që të shkoja drejt e në shtëpi, vrapoja tek Parku i Lodrave e prisja bileta vetëm për trenin. Dhjetë, pesëmbëdhjetë, njëzet xhiro rresht! Derisa prindërit, të merakosur nga vonesa ime, vinin e më merrnin me pahir. Të shkretët prindër. Ua rrënova kuletën. Hahaa!

Nga një tryezë aty pranë erdhën ca thirrma të gëzuara. Tri gra të veshura me sqimë po përshëndesnin bashkëfolësin e saj. Burri i kërkoi të falur me sy e shkoi të takonte mikeshat. Me to ishte edhe një djalë flokëverdhë, jo më i madh se 5 a 6 vjeç. E pikasi vetëm ngaqë burri u përkul për ta puthur. Fëmija qe mbledhur galiç nën tryezë e luante me një tren të vogël. E shkiste mbi dyshemenë e restorantit, e gjarpëronte nëpër këmbët e karrigeve, e ngjiste-zbriste mbi këpucët e grave…

– Çuf-çuf, çuf-çuf… Tyyyyy… Çaf-çuf, çaf-çuf… Ty-tyyyy… – bënte djali duke përparuar me zvarritje.

Ada e pa veten mes shoqeve të saj në Parkun e Lodrave, me biletën e trenit në dorë, mbërritjen e të cilit e paralajmëronte një «tring-tring» gazmor. Nisjen e jepte sirena e lokomotivës: tyyyyy!! Treni përbrinjte rrethojat me jargavanë (çuf-çuf, çuf-çuf…), lëpinte anasliqenthin (rrotat pothuajse preknin ujin), kalonte mbi urëzën e gurtë (çaf-çuf, çaf-çuf…), gjarpëronte përmes lodrave të Parkut, pastaj i afrohej tunelit. Ah, ai tuneli! I vetmi detaj i papëlqyeshëm i xhiros.

Ishte i errët pus, i ftohtë, i lagësht, e në gjysëm të rrugës bigëzohej. Njëra nga të dy galeritë, ajo më e shkurtra, të nxirrte sërish në Parkun e Lodrave. Uff!! Tjetra, që ishte vetëm për të rriturit, s’dihej ku mbaronte. Ndoshta dhjetë, njëqind, a njëmijë kilometra më tutje. Mund edhe të mos kishte dalje fare. Si një zgafellë e përbiruar nëpër rropullitë e botës: sa më thellë shkohej, më i pasigurtë bëhej kthimi.

– Kushedi ç’u ndodh atyre që hyjnë aty… – kishte thënë Ada mendueshëm.
– Sa merakosesh edhe ti?! – i qenë përgjigjur shoqet. – Ne jemi akoma të vogla.
– Unë e di se ç’u ndodh; e kam shtëpinë ngjitur me Parkun. – kishte ndërhyrë një djalë që priste trenin si ato, i ulur në pragun e shtëpizës së stacionthit. – Netëve dëgjohen britma të llahtarshme. Ulërasin të rriturit që fytafyten me përbindshat e tunelit…
– Ëëë??! – ishin çmeritur vajzat në korr.
– Nuk e dinit?! Janë ca gjysmëhiena-gjysmëshkaba trikokëshe, që vjellin zift të përvëluar! – kishte thënë djali duke trashur zërin kërcënueshëm. – Iu vërsulen udhëtarëve që hyjnë në tunel e i shqyejnë thela-thela…
– Aman, jo! – ishte tromaksur Ada.
– Fije-fije i bëjnë! – dhe kishte ngrehur kthetrat drejt vajzave, me një ngërdheshje grabitqare në fytyrë.
– Ik, o rrenacak! – e kish cytur nga supi më e madhja e grupit.
– Për kokën time! S’kthehet njeri gjallë q’andej…
– Po sikur treni i fëmijëve të futet gabimisht në tunelin e të rriturve?! – kishte pyetur Ada zëmekur.
– Hahahahaaaa! O frikacake! – e kishin tallur shoqet. – Hahahahaaaa…

E përmendur nga kujtimet e fëmijërisë, vajza hodhi sytë nëpër sallën e restorantit në kërkim të bashkëfolësit të saj, por nuk e dalloi. Nuk pikasi as grupin e grave dhe djalin e vogël me trenin-lodër. Kishin mbetur vetëm një grusht klientësh të shpërndarë tek e tek në tryezat pranë dritareve, përtej të cilave sundonte, e gjithëfuqishme, era e shkalluar.

Erëmatësi i stacionit të vogël meteorologjik në skaj të hekurudhës shënonte 92 km/orë.

* * *

Po bëheshin 35 minuta që nuk kishte kaluar asnjë tren. Flokët e gjatë të pështjellur rreth qafës si një shall mëndafshi, Ada hidhte sytë rregullisht nga tabela elektronike për të lexuar orën e kalimit të trenit të parë për në qytezën e saj. Por tabela heshtte. Heshtnin edhe altoparlantët që zakonisht lajmëronin prejardhjen, kohëndalimin e vendmbrritjen e çdo treni. Qe memecëruar edhe era. (I qenë ngjirur penjëzat e zërit?) Një shurdhëti e pazakontë qe shtrirë anekënd. Asnjë fëshfëritje, asnjë pipëtimë. Çasti lundrues qe ndalur pezull, i mahisur. Ç’po ndodhte?! Syzgurdulluar përballë mosrrjedhjes së vet, koha qe tkurrur e tulatur me stalaktitet e habisë nën qerpikë…

Befas, horizonti u drodh nga një gjëmim. Tyli avullor i pritjes u gris. E shkrifëruar, koha rrodhi fluturimthi për hesap të vet. Tingujt e sonatës hënore të Betovenit, luajtur në piano, fluruan nëpër ajër si buburiska uji të sapunisur, gjuajtur nga një top flluskues. Erës memece i kishte ardhur goja?!

Në lindje të binarit, si një vegim, u përvijua një lokomotivë e kuqe. Fishkëllente ëmbël, ledhatonte buzëshinat. Vagonët që tërhiqte ishin lyer secili me një ngjyrë të veçantë: blu, të verdhë, të bardhë, të kuqe, të blertë, portokalli. Dritaret e zbukuruara me kokarda, kordhele, lule letre e buqeta tullumbacësh i jepnin trenit që po hynte në stacion pamjen festive të një kortezhi dasmor. Hurmëzat e Olimpit derdheshin që lart si kokrra orizi.

– Ejani, ejani! – ftonin me dorë udhëtarët nga prapa xhamave.
Të paktën, kështu iu duk Adës.
– Treni juaj sosi. – i pëshpëriti një zë burri pranë veshit, ndërsa një dorë mbi sup po e shtynte drejt shkallëzës së parë.

E njohu zërin dhe u drithërua. Ktheu kokën për t’i buzëqeshur, por nuk pa frymë njeriu. Sheshi ishte bosh. Bosh fare! E pabesueshme. Një shkulm ere, ardhur ngutas për t’i dhënë fund mëdyshjes së saj, e ngriti peshë dhe e futi në tren nga hyrja më e afërt.

* * *

Kolltukët e veshur me peluz vishnje ishin të gjërë e të rehatshëm. Në të dy anët e korridorit qëndror, shtruar me tapet blu, ndodheshin kabinat e udhëtarëve, numurat e të cilave qenë derdhur në metal të praruar. Kudo dëgjohej një muzikë e gëzueshme që krijonte atmosferën e një pikniku veror ku pjesëmarrësit, gjithë duke ngrënë ushqimet e hapur mbi batanijet, ndjekin edhe një koncert të dhënë falas.

– Disa vagona më tej ndodhet një sallë pushimi me bibliotekë. Kemi vepra të rralla që nuk gjenden as në Bibliotekën Kombëtare. – po i shpjegonte njëra prej shoqërueseve një mesoburri barkashor.
– Në fakt, po kërkoj një kënd ku të thith llullën në qejfin tim. – iu përgjigj tjetri. – Gjithkund ka vetëm tabela «Ndalohet duhani».
– E vërtetë; mund të tymosni vetëm në vagonin nr. 23. Kemi ekspozuar edhe një koleksion të pasur pipash, llullash, cigaresh e purosh të shekullit të kaluar.
– Më falni, ku mund të pij diçka freskuese? – e pyeti Ada.
– Në vagonin-bar, zonjushë. Kaloni sallën e lojërave, palestrën, sallonin e bukurisë, saunën…
– Ka edhe një saunë në tren?!
– Natyrisht! Ç’mjet tjetër më i efektshëm se një banjo me avull për të luftuar stresin e një udhëtimi të gjatë?!

Një kujdestare me uniformë të kaltër e një berretë të bardhë në kokë, që mbante përdore një fëmi të përlotur, u kaloi përbri.

– Në tren ka edhe të mitur të tjerë që udhëtojnë pa prindërit, si ty. Prandaj mos qaj, se nuk je vetëm. – po i thoshte të voglit. – A ke dëshirë të shkojmë në vagonin e ëmbëlsirave? Po? Hajde!
– «Vagoni i ëmbëlsirave»… – u mrekullua Ada.

Oh, këto kthimet në fëmijëri nuk kishin të paguar! Sa mirë që e kishte humbur trenin e saj. Sepse trena si ky nuk ishin të çdoditshëm. As të çdojavshëm. Kishte qënë me shumë fat! Ishte paraqitur në stacionin e duhur, përpikshmërisht në ditën dhe orën e kalimit të trenit gazmor. Nuk i ndodhte kujtdo. Ndaj i kishte hipur pa pyetur as se për ku qe drejtuar.

– Mund të zbres kur të dua e të marr një tren tjetër, po diktova se shkon në drejtim të gabuar. – mendoi me vete. – S‘kam nxitim të…

Por nuk arriti ta përmbyllte arsyetimin, sepse u ndesh ballëpërballë me të panjohurin e restorantit.

– Edhe ju këtu?! – e pyeti, lumturisht e befasuar. – Nuk ju pashë të hipnit.
– Menjëherë pas jush. S’ma mori mendja që prisnim të njëjtin tren. – u rrëfye burri.
– As mua. – tha Ada, kokëulur. – Në të vërtetë, nuk është treni im.
– Jo?!
– U gjenda brënda pothuajse padashur… Por nuk ankohem, jo! – shtoi menjëherë. – Hera e parë që udhëtoj pa ditur se ku po shkoj. Edhe ju?

Burri nuk u përgjigj. Udhëtari më enigmatik që kishte hasur ndonjëherë. S‘qe për t’u habitur që ishin ritakuar në një tren si ai. Treni me destinacionin surprizë. Mendoi ta pyeste se ku do të zbriste, por u step në çast. Po sikur tjetri t’i përgjigjej: «në ndalesën e ardhshme»?! Jo, larg qoftë! Sepse s’do të kishte kohë t’i mësonte as emrin.
– E vazhdojmë bisedën në kabinën time? – propozoi i panjohuri dhe, pa i dhënë kohë të mendohej, e tërhoqi me vete.

* * *

– Hiqe xhaketën. – e ftoi butësisht, sapo hynë në kabinën numër 311.

Vajzës iu rrëmbush kurmi. Ishte hera e parë që i drejtohej me «ti». Një puhizë e përvesur i gudulisi qafën. Ishte fryma e tij. I rrëshqiti përgjatë zverkut e iu fut nën këmishë duke u bërë çdo herë e më këmbëngulëse. Centimetër pas centimetri. Edhe një të vetëm më tej e do të qe sprapsur e bezdisur.
– Ke një qafë mjellme… – tha ai, duke u marrë erë flokëve të saj.

Ada përmblodhi shpatullat mbi krahëror për të fortifikuar gjinjtë. Instinkti femëror i vetëmbrojtjes. E kuptoi ç’do të ndodhte (a nuk ishte lutur që të ndodhte?), por ndihej si e mpirë. «Pastaj» ishte tani. Cili prej të dyve? Ai jetëshkurtri apo ai pa fund?

– Po dridhesh?! – i pëshpëriti burri rrëzë veshit.

Dridhej edhe ai. Mollëzat e gishtërinjve valsonin mbi supin e saj drithërisht të çakorduar. «Tak-tak»…, «tik-tik»…, «tok-tok»…

– S‘ndodh asgjë po të mos duash ti. – i tha për ta qetësuar. – Shkojmë aq larg sa të duam ne, ndalojmë kur të mos duam më.

Ada vari kryet mbi faqen e tij. Iu fërkua nëpër mjekër si kotele. Zemra-sorkadhe i përhidhej e ethur.

– Më puthet qafa jote… – tha ai, dikur, me një duhmë-uragan.

Dhe nuk kishte dëgjuar asgjë tjetër. Kishin bërë dashuri. Më saktë, qenë ngazëllyer së bashku, gjer në skutëzat më intime. Fjalët që do të kishin dashur të belbëzonin a të dëgjonin në çastësinë e gulfimit të llavës, i patën nënkuptuar. Mungonin vetëm kryefjalët: «e dashur», «i dashur»… Ishte tepër herët. Nuk ishin veçse dy të panjohur.

– E di si ndihem unë tani? – tha Ada, kokën braktisur mbi gjoksin e tij, qepallat të rënduara nga gjumi. – Si një trup i peltëzuar, i shtrirë mbi një kamardare ajrore. Fuuuuuuuuuuu….

U përmend 24 orë më vonë nga ca gudulisje-prushërima. I shtrirë brinjazi në të majtë të saj, burri i grapconte lafshën e veshit, i pëshpëriste në rrënjë të flokëve me dihatje: «ejj, gjumashe, zgjohu». Gjithë duke e llastuar me duart e talentuara, i njëzohej me gulçima pas kurrizit, nga zverku gjer tek thembrat…

– Si e ke emrin? – guxoi vajza më në fund.
– Pfff… Ç’rëndësi ka? – tha ai.
– Si të duash. Mua më quajnë Ada. Ada M.
– Ke dëshirë përsëri? – e pyeti burri dhe e ktheu me hov nga vetja. Mjekra e tij i gudulisi gushën.
– …Po.

Hera e dytë qe një sinkronizim epror i lëndës me ëndrrën. Sikur të kishin një jetë që ndanin të njëjtin shtrat e thithnin përnatë të njëjtin ajër. U pleksën shqisat, u shkëmbyen aromat, poret u përputhën. Muskujt e tendosur u dalldisën, thithëzat dhe anësitë u përfikën. E përvesur nga lëngjet epshorë, lëndina e zhuritur ribleroi. Lugësitë e njërës u rrëkëllyen mbi mysëtitë e tjetrit. Qelizat e tij u shkrëndën në të sajat. U tretën membranat, u pushëzuan citoplazmat. Bërthamave iu zbërthyen menteshat. Të çliruar nga ndrydhja milionavjeçare, kromozomet u çiftëzuan përmallshëm. Më në fund, brazda e ajkosur kishte gjetur farëtorin…

* * *

Ada u vodh nga shtrati në majë të gishtave e kërkoi qorrazi nëpër kabinë gjer sa gjeti, më në fund, çantën e vet. Rrëmoi me një frymë e nxorri q’andej një bllokth orarësh treni. Si nuk i kishte shkuar në mendje më parë?! I mjaftonte të kërkonte në rubrikën «Trena Ekspres» për të kuptuar se për ku ishin drejtuar. Por nuk dinte as numurin e trenit e as prejardhjen e tij. Megjithatë, nuk u dëshpërua. Kishte tri të dhëna të tjera, që me siguri do t’i hynin në punë. Dinte si quhej stacioni ku i kishte hipur, orën dhe ditën e javës. Qëmtoi për rreth dhjetë minuta nëpër kollonat e pafund të orareve dhe vendndalimeve, por nuk e hasi kund. Të ishte gabuar Ada, apo gabonte libri?! E pamundur të kishin harruar ta shënonin. Edhe po të ishte një linjë e re, e përuruar së fundmi, përgjegjësit e biletarive do të kishin njoftuar menjëherë udhëtarët. Atëherë, ishte treni që kishte gabuar ditë. I ngadalësuar nga kushtet e këqia atmosferike a ndonjë difekt teknik, kishte mbërritur në stacion me një ditë vonesë. Ose, përkundrazi, kishte ardhur një ditë më herët, se ishte i ri e i paduruar (si gjithë të rinjtë). Vendosi të kontrollonte trenat e dy ditëve kufitare, para dhe pas nisjes së saj. Përsëri asgjë. Por nuk u dorëzua. Shfletoi librin nga e para duke kërkuar edhe nëpër rubrikat e tjera: «Trena rajonalë», «Trena të linjave ndërkombëtare», «Trena të jashtëzakonshëm»… Asgjë! Kishte humbur tri orë. Treni gazmor nuk ishte përfshirë në asnjë itinerar hekurudhor. S‘qe afishuar në tabelën elektronike të stacionit e as kishte patur lajmërim me altoparlant. Një tren fantazëm! Nga kishte mbirë? Për ku vraponte? Mister… Po sikur të përplaseshin kokë më kokë me ndonjë që vinte anasjellas?! E pushtoi paniku. Diçka duhej të bënte. Patjetër!

– Zgjohu, të lutem! Kam nevojë të të flas, zgjohu! – por burri nuk përmendej.

Nuk nguli këmbë më gjatë. Duhej të gjente sa më parë ndonjërin nga kontrollorët e ta pyeste se për ku ishin drejtuar. Edhe vetë kryekontrollorin, po të qe nevoja. E nëse askush nuk do t’i jepte një përgjigje të saktë, do të shkonte deri tek lokomotiva për të folur me mashinistin. Ishte jetësore!

Përshkoi nxitimthi disa vagonë. Asgjë jonormale. Udhëtarët dukeshin të qetë, të zënë me vogëlsirat e rëndomta të jetës së përkohshme në një tren. Disa syresh sapo ishin kthyer nga salla e brixhit ku kishin kaluar natën. Altoparlantët shpërndanin muzikë të gëzueshme për të gjithë.

– Jo, nuk janë në dijeni. – mendoi Ada. – Nuk mund ta marrin me mend që po udhëtojmë kontrabandisht. Po shkasim mbi binarë që nuk na përkasin…

Kishte lënë pas 15 a 20 vagonë, por s’mundi të përparonte më tej. Porta e urëlidhjes me vagonin tjetër ishte e mbyllur me çelës. Priti se mos kalonte ndonjë kontrollor ose ndonjëra nga ato shoqërueset fjalëmjaltë me uniformë të kaltër e berretë të bardhë në kokë, por pa sukses. Atëherë trokiti në kabinën më të afërt.

– Urdhëroni! – e ftoi një zë nga prapa derës.
Një grua e thinjur, ulur pranë tryezës, po rrufiste një kafe.
– Mirëmëngjes, zonjë! Mund të më thoni, ju lutem, si mund të… Mësuese Margarita?! Edhe ju në këtë tren?! – thirri e gëzuar, sapo njohu mësuesen e fizikës që kishte pasur në shkollën tetëvjeçare. – Oh, mësuese e dashur… – dhe i puthi duart. – Jam Ada, mësuese. Ada M. Nuk më mbani mend?
Tjetra vuri syzat për ta dalluar më qartë.
– Qofsh kush të ta dojë zemra, o bijë. Përderisa më thua që të kam pasur nxënëse, të besoj. Të ta mbush një filxhan edhe ty?

E mallëngjyer nga takimi i pahamendur, Ada pranoi me qejf të qëndronte një copë herë me të.

– Çfarë bën në jetë? Punon? Studjon? – u interesua Margarita.
– Jo, e lashë herët shkollën se ishim nevojtarë. Por them ta rifilloj një ditë… Së shpejti!

T’ia rrëfente dyshimet në lidhje me trenin? Mundësinë e përplasjes së afërt? Do të bëhej keq, e varfra. Jo, jo, nuk e kishte atë të drejtë. E nëse gabohej?! Kishte rënë viktimë e atij skenari-katastrofë, pjellë e fantazisë së vet… Por nuk mundi të heshtte.

– Duke shfletuar librin e trafikut hekurudhor, zbulova që treni ynë nuk figuronte kurrkund. Si është e mundur ta kenë harruar?!
– Është harresë me dashje. – i shpjegoi mësuesja. – Kujt i hyn në punë të dijë oraret e një treni që s‘merr më udhëtarë?
– Çfarëë?! – pyeti Ada, pa u besuar veshëve. – Po unë si hipa, atëherë?!
– Atë ma thuaj ti. Ju të rinjtë s’e keni problem t’u kacavirreni dritareve. – buzëqeshi e moshuara.
– Jo, jo! Treni ndaloi në stacion mu përpara këmbëve të mia! Ju betohem!
– Ashtu t’është dukur ty. Ky tren nuk ka ndaluar që prej… Ah, s’më kujtohet. Po bëhen shumë vite tashmë.
– Shumë vite??!
– Po. E ç’rëndësi ka?
– Ka shumë rëndësi, mësuese! Nuk e kuptoni rrezikun që na kanoset?! Një tren plot e përplot me udhëtarë, që lëviz i pakontrolluar… Ku jemi duke shkuar?
– Nuk kam as më të voglën ide. E ç’më duhet ta di?! Kudo që të shkojmë e pranoj. Edhe po të ecim së prapthi, përsëri e pranoj. Mjafton të mos rrimë «në vend numëro»!

Ishte ngritur më këmbë e po i vinte rrotull kabinës së vogël, e pështetur në një bastun.

– Pa shiko njëherë nga dritarja. Më janë dobësuar sytë tmerrësisht… A zhvendosen pemët?
– Po, mësuese.
– Lavdi Zotit, jemi në lëvizje. – u gëzua Margarita. – Të mbahet mend mësimi mbi sistemet e referimit? … Në qoftë se objektet e palëvizshëm si pemët, pallatet apo shtyllat e tensionit të lartë, zënë të rendin kur jemi të ulur brënda një treni në ndalesë, do të thotë që treni ynë po del nga stacioni. Veç mos harroni që të gjithë ne, treni, udhëtarët dhe objektet në dukje të palëvizshëm të cilëve iu referuam, rrotullohemi rreth vetes dhe rreth Diellit bashkë me planetet e tjerë të Galaksisë sonë. … Nxënës të dashur, e kuptuat tani se ç’është një sistem referimi?

Ada nuk foli. E la mësuesen të shijonte kënaqësinë e pashlyer që i falte shpjegimi i një mësimi, (sidomos po të ishte një nga ata që arrinte t’ua fuste në kokë që në klasë), e doli nga kabina.

* * *

Ta quante veten të hutuar, ishte shumë pak. Ndihej e shastisur. Që pas hipjes në tren, jeta i kishte pësuar një përshpejtim të pazakontë. Si ata filmat e xhiruar në lindje të kinematografisë që të rrëmbejnë sytë kur i projekton me mjetet e sotshëm. Nuk qe e stërvitur për kësisoj ritmi.

– S’më mbetet veç të kërkoj në bibliotekën e trenit. – tha me vete. – Mund të kenë ruajtur grafikun hekurudhor të vitit të nisjes.

Por nuk po orientohej më se në ç’kah ndodhej biblioteka. Fatmirësisht, pranë njërës nga dritaret kryqëzoi një burrë që filmonte pejsazhet.

– Më vjen keq, por nuk ju ndihmoj dot, zonjushë. Nuk e njoh mirë këtë anë. – u shfajësua udhëtari. – Vij nga vagoni numër 107.
– 107?! E ku është fundi? – pyeti Ada instinktivisht. – Jo, desha të them, kreu ku është? Sa vagonë më tej?
– Askush nuk e di. – u përgjigj tipi. – Çdonjëri prej nesh mund të ketë qarkulluar, më të shumtën, në 100 a 150 vagonë. Por janë disa mijëra, thonë, e nja dyqind lokomotiva.
– Jooo…
– Po, po! Nuk kuptohet cilat tërheqin e cilat shtyjnë.

* * *

Po udhëtonin pa ndalim që prej një viti. Për shkak të shpejtësisë me të cilën linin pas qytete, fshatra e vise të panjohur, në 12 muaj kishin përjetuar 10 stinë. (Dy dimra, katër vjeshta, një verë, tri pranvera.) Arkitekturat e shtëpive ndryshonin çdo ditë. Madhësitë e rrugëve, kulturat e mbjellura në arat, ngjyrat dhe format e tabelave të qarkullimit, gjithashtu. Ndoshta një ditë (ose një natë), do të arrinin në njërin nga polet e globit. E pastaj?!

Stacioni i vogël bregdetar kishte mbetur larg, shumë larg, tashmë. Sa herë që e kujtonte, ndjente një përcëllim të lehtë në gjoks. Mbase kishte qënë kaherë në atë tren por nuk e kishte kuptuar. I qe dashur pikërisht takimi me të panjohurin (dhe ndërmjetësia e erës torollake) për t’u ndërgjegjësuar. Gjithësesi, dikur i kishte hipur. Ndoshta kur priste përpara shtëpizës së drunjtë në Parkun e Lodrave. Do ta kishte ngatërruar padashur me trenin e fëmijëve. A nuk ishin pothuajse të njëllojtë në pamje të parë? (Por vetëm në pamje të parë, ama…)

Hulumtimet nëpër raftet e bibliotekës nuk i kishin dhënë as informacionin më të vogël rreth stacionit nistor e fundor të trenit. Kishte vendosur të mos kërkonte më; ta linte veten të përkundej nga kënaqësitë e jetës aty brënda, pa kokëçarje. «Shkojmë aq larg sa të duam, ndalojmë kur të mos duam më», kishte thënë ai. Dhe vazhdonin të përparonin. Bënin dashuri çdo natë. Me të njëjtin mall, me të njëjtën grykësi…

– Tyy-tyyyyy! – dëgjoi pas kurrizit. Rinjohu djalin flokëverdhë të restorantit të shoqëruar nga tri gratë sqimatare. Këtë herë, lodra që shtynte me britma burie ishte një gërrgërre e drunjtë.

– Një orë çlodhje në saunë e kemi më se të nevojshme! – po thoshte njëra prej tyre.
– Ja, ç‘më mungonte. – tha Ada me vete. – Një shkrydhje avullore! – dhe sinkronizoi hapin me të tyrin në drejtim të vagonit-saunë.
– …Nuk e di a do ta ritakoj ndonjë ditë. – po thoshte më e reja, me një zë qaraman. – U treta duke e pritur…
– Oh, do ta harrosh edhe ti e do të shpëtosh. Dëgjomë mua, koha shëron çdo plagë. – e ngushëlloi mikesha që i ecte përkrah.
– Jo, nuk dua ta harroj. Më fali aq orë të bukura, aq kujtime të mrekullueshëm… Si mund ta harroj?! Përkundrazi, i jam mirënjohëse. Ç’do të kishte qenë jeta ime po të mos e kisha takuar?!
– Kështu menduam edhe ne. – ia ktheu e para. – E ç’fituam?! Mbetëm këtu përgjithnjë…
– Ku mund të jetë tani? – pyeti e ëma e djalit.
– Diku në këtë tren ose përjashta, në ndonjë stacion të ri, duke hipnotizuar femra të tjera.
– Është i papërballueshëm… – psherëtiu e reja. – Oh, ajo mënyra se si më kundronte, se si më dëgjonte… Si asnjë mashkull më parë. Meshkujt e tjerë s’më vinin re; isha bërë e tejdukshme.
– Mua më dhuroi fëmijërinë që s’kisha patur. Lodrat, ëndrrat, Cirkun, shfaqjet e magjisë!
– Nuk mund t’i mbahet inat, jo. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt.
– O Zot, ç’nuk do të jepja për ta vënë edhe një herë kokën mbi gjoksin e tij. – belbëzoi e reja, ëndërrimtare.

Ada e kishte kuptuar për kë bëhej fjalë e qe bërë blozë në fytyrë. Sa mëndjelehtë ishte treguar. Sa naive! Ç’kishte kujtuar? Se në botë ekzistonte vetëm ajo?! Vetëm Ada M.?! E trullosur nga rivaliteti i paparashikuar, u shkëput rrëmbimthi nga gratë e mori rrugën drejt kabinës së tij. Kishte vetëm një dëshirë. T’i thoshte dy-tri fjalë të mira, sy më sy, e pastaj: «lamtumirë»!

* * *

– Pranoje, që e bëre enkas! – iu hakërrye, sapo shtyu derën e kabinës së tij. – Më vonove qëllimisht atë ditë në stacion, që të humbja të gjithë trenat e tjerë e t’i hipja këtij këtu!
– Ti nuk do t‘i kishe hipur po të mos ishe gati. – u përgjigj burri, qetësisht, si të ishte përgatitur prej kohësh për atë diskutim. Më saktë, për atë përballje.
– Gati për çfarë?!
– Për t’i dhënë fund agonisë shumëvjeçare. E vdekur që e vdekur jam, mendove, ç’do të humb nëse e ndjek pas?
– S’është e vërtetë.
– Mos gënje veten. Po më kërkoje prej kohësh, madje.
– Ëëë?!
– Çdoherë që ke hyrë në një stacion treni. Po!

Me mendje e me shpirt shtyje kangjellat e Parkut tënd të Lodrave, sepse të rrinte ngushtë vakësia që jetoje. Ti e ke magjinë brënda vetes, princeshë… Meriton një jetë me fishekzjarrë!

– Me kësilloj pallavrash i përgjume edhe ato të tjerat që të ndoqën pas në këtë tren të mallkuar?!
– Oh, sa qënie të çuditshme jeni ju femrat! Nuk ju mjafton të zaptoni zemrat; keni nevojë edhe të zhvarrosni fosilet e dashurive që ju kanë paraprirë, për t’i groposur më thellë. Sepse tek ju, dashuria dhe xhelozia kanë të njëjtën njerkë.
– Kush të tha që kam rënë në dashuri me ty? – tha ajo, e skuqur.
– Fakti që interesohesh për të «tjerat». E kam gabim?! … Eja! – u zbut ai dhe e tërhoqi për ta ulur mbi gjunjët e vet.
Ada bëri «jo» me kokë e shkoi u struk në cepin më të largët të kabinës.
– Nuk mund të dashurohet me frikë.
– Nuk jam e dashuruar, të thashë! Sa herë duhet të ta përsëris?! – por sa më shumë ngulte këmbë, më pak bindëse bëhej.
– Çfarë të tremb? Që nuk e di se kush jam? Që nuk e di se ku po shkojmë? Të mungojnë garancitë për të ardhmen?
– Ndoshta… – pranoi gjysmërisht ajo.
– S’ke dëshirë të jetosh aventurën? Qëndro me mua e do të jemi më të fortë. Do të jetë çdo ditë një përvojë e re. Një betejë e re… Të tundon? Pa harruar që fitoret mbi jetën janë gjithnjë të përkohshme. Ndaj nuk duhet ulur kurrë vigjilenca. Më kuptove?
– Ëhë…
– Qëndro me mua, princeshë.
– Jo!
– Duhet të të lutem?
– Nuk ka më vlerë. Lamtumirë!
– S‘të mbaj dot me pahir. Qofsh e lumtur… Prit, edhe një fjalë. Treni ul shpejtësinë vende-vende për ata që pendohen rrugës dhe dëshirojnë ta braktisin. Por nuk ndalon. Më dëgjove?

* * *

Ishte endur vagon më vagon pa mbyllur sytë, pa gjetur prehje. E para natë pa dashuri. Fillikat, në udhëkryq të vendimit më të rëndësishëm: të qëndronte, apo të zbriste?

Kishte ngjeshur ballin pas njërës nga dritaret e sodiste mendueshëm natyrën mjegullore. Përtej qelqeve vagëllonte një qytetërim i panjohur. Iu bë se shquajti truma njerëzish përgjatë shinave. Burra, gra e fëmijë që u tundnin shamitë; u bënin shenjë të hapnin dyert që të hipnin edhe ata. Familje të tëra që ndoshta kishin lënë shtëpi e katandi, për t’i dalur përpara trenit gazmor. Por treni nuk ndalonte. S’kishte më kabina të lira. Ndërsa ata mendonin se ishin të padëshiruar. Se nuk e meritonin atë udhëtim. Smironin fatlumët brënda trenit. I quanin kusarë vagonash, të shitur për një kolltuk, grabitqarë të pangopur…

– Mirëmëngjes! – e përshëndeti një zë burri. Ishte pasagjeri i vagonit 107.
– Mirëmëngjes! – ia ktheu Ada. – U bënë ca kohë që nuk jemi parë. Nuk ju tërheq më kjo anë e trenit?
– Bëra një vizitë «andej»… – tha ai dhe uli zërin.
– «Andej», ku?! – u interesua ajo.
– Nga vagonët e kreut. – pëshpëriti tjetri, duke kontrolluar mos i përgjonte kush.
-Vërtet?! Oh, më tregoni, ju lutem. – i futi krahun bashkëbiseduesit dhe e tërhoqi për tek kolltukët.
– Më mirë të mos kisha shkuar. – tha ai. – Ajo që pashë ishte e tmerrshme. Atje përpara ka pllakosur përtacia. Ç’them?! Indiferenca! Nuk pyet më njeri ku po shkojmë, në ç’stinë jemi, kur kemi për të mbrritur, a kemi për të mbrritur ndonjëherë… Jo, jo! Nuk u intereson asgjë.
– Ashtu?!
– Shumica nuk i hapin më perdet e dritareve se i kanë sytë të përzhitur nga rendja marramendëse e pejsazheve. Kushedi prej sa vitesh udhëtojnë. Nuk dëgjojnë as muzikë. I kanë shkulur altoparlantët.
– Joo…
– Kam përshtypjen që koha rrjedh më shpejt në këtë tren të marrë. Po plakemi më parë se moshatarët tanë këmbësorë… Ne që po ngutemi, do të dalim më të humbur. Mbajeni mend se ç’po ju them. Kujtuam se do t’i shpëtonim, por tuneli aty është…
– Cili tunel?! – pyeti ajo e kërceu nga vendi e befasuar.
– Nuk jeni në dijeni?!
– Jo!
– Tuneli, pra. Ai, i vetmi, i paevitueshmi. Vetëm një TUNEL ka.
– Joo!! – klithi Ada, e llahtarisur, duke u dridhur kokë e këmbë. Ankthi i vjetër, pothuaj i harruar, qe rizgjuar.
– Aty brënda do të japim llogari për gjithçka. Të gjithë ne, pa përjashtim! Edhe ata që kanë bërë vetëm të mira. Këta të fundit e kanë edhe më pisk. Akuzohen për bamirësi të tepruar. Të dëmshme, bile. Sepse kanë dembelosur nevojtarët. U kanë hequr dëshirën për të bërë diçka në jetë, me duart e tyre. U kanë ngrirë iniciativën… Ehh, s’di njeriu i shkretë si të sillet. Hall të bëjë ndere, hall të jetë kodosh.
– E ku…, ku ndodh… ku ndodhet tuneli? – Fjalët i shqiptonte dhimbshmërisht. I qe tharë pështyma.
– Përpara nesh, zonjushë. – tha burri dhe tregoi me kokë përtej. – Ndërkohë që po flasim, vagonët e kreut mund të kenë hyrë në galeri.
– Jo, ju lutem! Ju përgjërohem…
– Ohuu, sa të vijë rradha jonë, ka akoma kohë. – u përpoq ta qetësonte ai. – Ne jemi në vagonët e fundit. Pastaj, ku i dihet… Ndoshta treni është më i gjatë se tuneli dhe mbetemi jashtë. Gjithçka është e mundur!

Por Ada nuk e dëgjonte më. Kishte braktisur kolltukun dhe vraponte e çakërdisur nëpër korridorët e gjatë, në kërkim të daljes. Nuk mund të priste të ulte treni shpejtësinë. Nuk dihej kur do të ndodhte. Duhej të hidhej. Atë çast, patjetër! Përndryshe, ato grifat e përçudnuara, që popullonin skëterrën e tunelit, do ta çapëlonin thela-thela.

Ah, ja një portë! Tërhoqi dorezën me të gjitha forcat; arriti ta hapë. Por nuk ia mbajti të hidhej në zbrazëti. Do të ishte vetëvrasje… S’kishte ndonjë zgjidhje tjetër? Jo. Sepse i mungonte koha për t’u menduar. Duhej të hidhej! Mbylli sytë e vendosi të numërojë gjer në tre.

– Një…, dy…, tre…

Dy krahë të fuqishëm e rrokën në bel. E ngritën peshë. E morën në fluturim të pështjellur në pelerinën e tij prej atllasi, të gufuar si parashutë. Qëndronin pezull në ajër si të shtrirë barkazi mbi një kamardare gjigande të fryrë me polen ëndrrash. Ishin të lirë!

Piloti i dashuruar kërkonte që lart livadhin më të blertë për të kryer uljen. Shtratin e nusërisë…

– Eja! – tha ajo pas zgjimit nga përjetësia dashurore dhe i kapi dorën për ta marrë me vete.
– Ku do të shkojmë? – pyeti burri, i sapopërmendur nga dehja.
– Të kthehemi mbrapsht, shpirt. – iu përkëdhel gruaja. – Atje, tek stacioni i vogël bregdetar ku u njohëm. Eja, pra!
– Jo! Në asnjë mënyrë! – tha ai. – Të ndihmova t’i zbrisje trenit që të përparojmë më ngadalë, por mbrapsht nuk mund të kthehemi më.

Diku thellë, shumë thellë, në horizontin e botës lakuriqe, shquante një pikë e zezë. Ishte tuneli. Larg, por i pranishëm; përballë Adës. Ndeshja me përbindshat ishte e pashmangshme.
Sepse nuk ishte më fëmi…

FUND

A.M.© Tetor 2016

Share: