Home KRYESORE EUROPA ËSHTË NJË GËNJESHTËR E MADHE, AMERIKË QENDRO NDRYSHE DERI NE FUND!

EUROPA ËSHTË NJË GËNJESHTËR E MADHE, AMERIKË QENDRO NDRYSHE DERI NE FUND!

Nga Sulejman Abazi

Të shpartallojmë me çdo çmim diktaturën politike mbi mendimin e lirë patriotik dhe qytetar që ushtrohet sot mbi kombin shqiptar të coptuar në 5 shtet.

Një e vërtetë e hidhur po vazhdon të na gërryej nga brenda pa kursim dhe pa mëshirë njerëzore.

Kjo Serbi që nuk di të kërkojë falje për krimet e saj në Ballkan, sot po na bën viktimën dhe këtë ka filluar ta besojë edhe vet ajo politikë që ngriti avionët për ta bombarduar në vitin 1999-të. Çuditshën po shfaqet politika ndërkombëtare, duke errësuar vlerat e humanizmit, demokracisë, lirisë dhe të drejtat njerëzore.
Ky qëndrim ka errësuar dhe helmuar detyrimisht vetëdijen e politikanëve shqiptarë, përgjegjës për situatën në trojet shqiptare.

Sot përballemi me shqiptar më serbë se serbët, të cilët po bëjnë çfarë është e mundur që të krijojnë situata të reja integrimi me Serbinë. Këto monstra politike e kemi detyrim t’i shmangim me izolim, deri në kundërvënie të hapur prej opinionit të gjerë shqiptar në Kosovë.

Kosova përballet sot me një të keqe shumë të madhe.

Armiku në institucionet e saj është future me kohë brenda, duke shfrytëzuar me mjeshtëri mendësitë tona. Këta bartës të së keqes së madhe që po përjetojmë janë rreshtuar sot, me ose pa dashje në frontin antikombëtar. Ata janë brenda nesh.

Ne e dimë se, armiku që të del hapur të bën nder dhe ndaj tij parashikohen masa mbrojtëse, por me këtë tjetër kategori “armiqsh” (deri dhe ish pjestar të luftës çlirimtare), sot është hapur në Kosovë një problem i madh. Ata kanë dëshmuar deri tani se për një copë karrige dhe për karrierën e tyre vetjake, po shesin interesat e atdheut. Këta tipa është e udhës t’i godasim fort, t’i kundërshtojmë deri në kundërvënie të hapur. Të nxjerrim me fakte të vërtetën e antishqiptarizmit të tyre.

Në këto analiza nuk jemi njerëz që flasim kot, vetëm me parime.

Duke luftuar në çdo çast me të gjithë mënyrat diktaturën politike mbi mendimin e lirë të njerëzve që kërkojnë lirinë e vërtetë, për të cilën derdhën gjak, të gjithë e kemi detyrim të plotësojmë amanetin e dëshmorëve të luftës.

Këto probleme nuk janë artikuj gazetash për të mbushur faqet, por denoncimi i një realiteti të dhimbëshëm që po vepron pa mëshirë mbi lirinë, pavarësinë, sovranitetin, pasurinë kombëtare, duke krijuar kushte të favorëshme për t’ia dorëzuar Kosovën Serbisë si një frut të pjekur në dorë, pa asnjë mundim.

Kosova është e të gjithë shqiptarëve.

Deklaratat e Presidentit dhe kryeministrit të Kosovës pas dështimit të tyre në Kuvend, janë shokuese. Arroganca dhe diktatura e tyre politike nuk kanë asgjë të përbashkët me mendimin e përgjithshëm që shfaqet sot, veçanërisht për çështjen e demarkacionit.

Në qëndrimin politik, për çështjen shqiptar dhe mbrojtjen e interesave kombëtare, të gjithë politikanët duhet të lëshojnë pe në çështjet e pushtetit politik. Këta që drejtojnë sot jetën politike në Kosovë, nuk mendojnë kështu, duke e konsideruar pushtetin e dhënë nga vota e popullit si pronën e tyre.

Më konkrëtisht.

Deklarata e Kryeministrit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ekskluzivisht për emisionin “Jeta në Kosovë“ është tejet shokuese, nëse e krahasojmë me situatën krizë që po zhvillohet për “ratifikimin” e kufijve. “Dua t’ju them që, edhe këtë porosi t’ia përcjellim qartë opinionit publik të Kosovës, ne në Mal të Zi, nuk presim që, në shenjë mirënjohjeje për Malin e Zi, sepse ishte e hapur në vitin 1999 për fqinjët e vet nga Kosova, që tash dikush duhet të na bëjë lëshime territoriale. Jo. Malit të Zi nuk i nevojitet as edhe një metër i tokës së Kosovës”.

Kur kryeministri i Malit të Zi ka kurajon të deklarojë hapur qëndrimin politik, pse duhet pranuar që udhëheqësit shqiptarë në Prishtinë të heshtin mbi të vërtetën?!

Çfarë i tremb ata, paaftësia e tyre, shitja e interesave, humbja e pushtetit politik, kriminalizimim, korrupsioni dhe grabitja, apo të tjera arësye më shumë se sa kaq?!

Që kryeministri i Kosoës është shqiptar dhe i dominuar nga filozofia titiste, kjo dihet. Që rëndojnë shumë mëkate të pasluftës edhe mbi presidentin e Kosovës, edhe kjo dihet. Që bashkë me Remin dhe Veselin penguan futjen e UÇK-së në Mitrovivën Veriore, edhe kjo dihet.

Që na kanë lënë në Mitrovivë dhuratë “gozhdën e Nastradinit” me diktatin politik të Evropës, edhe kjo dihet. Me këtë situatë dhe ndërhyrje u krijua precedenti më i rrezikshëm për Kosovën dhe sot ajo po vuan pasojat e rënda të kësaj tradhëtie në përmasa kombëtare.

Atëherë thjeshtë shtrohet pyetja: Kush e shpiku çështjen e demarkacionit dhe pse?! Si mund të ketë një problem të tillë, kur Kosova i ka pasur një shekull më përpara kufijtë me Malin e Zi?!

Kush po e provokon Kosovën në këtë situatë?!

Kush e di të vërtetën e kësaj sajese politike dhe pse heshtet për të thënë të vërtetën?! Kush më mirë se sa Hashim Thaçi e di këtë kapitullim dhe qëllimin e shitjes së territoreve?!

Pse hesht presidenti dhe nuk është transparent me opinionin në Kosovë dhe bëhet shkak i thellimit të krizës politike?! Mos vallë janë zgjuar demonët e së kaluarës, ku Evropa, qoftë dhe kjo modern, përherë e kanë konsideruar kombin shqiptar si atavizëm të së kaluarës?!

Akoma do të vazhdojë marrëzia e shkullit, ku për të kënaqur nacionalizmat e shfrenuara në Ballkan dhe orekset e atyre që paguajnë më shumë, do të masakrohen trojet shqiptare?!

Formalizimi i Aktit të Pavarësisë, kushtëzimi robërues për marrjen e Sovranitetit, ushtrimi i funksionit të shtetit pa shtet dhe të një protektorati ndërkombëtar, mbajtia peng e Kosovës për hatër të orientimit të Serbisë nga Perëndimi, është gabimi më i madh që po bën poklitika ndërkombëtare, duke e filluar tjetërsimin e Ballkanit mbrapsht.

Përparësia në Ballkan nuk është Serbia, por drejtësia mbi çështjen shqiptare dhe fuqizimi i kombit shqiptar, si i vetmi faktor stabiliteti që do të bëhej barrikadë e kufizimit të interesave ruse në Ballkan dhe ta joshte edhe Serbinë të futej në organizmat perëndimore.

E kundërta e këtij opsioni që po vazhdon të dështojë në Ballkan, po na bind përditë se, Evropa është një gënjeshtër e madhe. Ne nuk harrojmë çfarë bëri Amerika për çlirimin e Kosovës, por me këtë situatë, mos na detyroni që të themi me zë të lartë se, dhe “Amerika mund të jetë një gënjeshtër edhe më e madhe”.

Patriotizmi shqiptar pa dëngla e deklarata demagogjike, këtë të vërtetë e ka për detyrim ta argumentojë në mënyrë shkencore dhe ta thotë me zë të lartë.

Share: