Home KRYESORE Frika që shkakton salca mbi flokët e Linditës

Frika që shkakton salca mbi flokët e Linditës

Nga Koloreto Cukali

Jetojmë në një vend të ndarë më copëra 2-she dhe nuk ke shumë për të zgjedhur: o me Ramën o me Metën; o me pushtetin, o me opozitën; o me ata që po vjedhin sot o me ata që vodhën dje e që do vjedhin nesër; o me të pasurit, o me viktimat; o shef policie që administron territoret me hashash, ose shef policie i qarkulluar; o me Trumpin o me njerëzimin; o me Ministren, o me atë që i hodhi salcë në kokë; o me… o me…

Praktikisht, këto dyshe-nga-dyshet, janë 2 anë të së njëjtës monedhë.

Janë 2 Lindita sot, që nuk kanë lidhje me njëra- tjetrën, sepse nuk lidhen kurrë, janë në 2 anët e kundërta të barrikadës dhe të gjithë solidarizohen e i japin mbështetje njërës Linditë, asaj të salcës.

Lindita e të gjithëve

Është trishtuese (çdo ditë të re, një trishtim i ri) të shohësh sa e sa nga ata njerëz me akses në media që rendën për t’u solidarizuar me ministren e Arsimit, Nikolla, nga një protestë moderne, që të bën pis pa të vrarë, që të përbuz pa të lënë shenja, që të tregon se ke shkatërruar jetët e studentëve duke të shkatërruar vetëm modelin e flokëve.

Në fakt nuk po mbronin ministren, po mbronin veten e vet. Kanë frikë se pas ministres, do jetë radha e tyre. E dinë, që kanë edhe më shumë pengje e faje se ministrja.

Nuk kam fjalë për të përshkruar krupën kur shoh se si njerëz që kanë qenë (thuajse) në ballë të protestave të 21 janarit, protesta ku kam qenë vetë prezent e ku në praninë e këtyre individëve (ne) protestuesit shkulëm pllaka e dogjëm makina, befas, na i konsiderojnë rrugaçërira protestat e studentëve me lëngje ushqimore.

Ajo protestë në të vërtetë nuk është ndaj gruas Linditë, po ndaj ministres Nikolla.

Nuk e njoh ministren Nikolla. Nuk kam, e as dua të kem ndonjë mendim për të si person. E vetmja ide që kam për të, janë informacionet nga brenda për mënyrën sesi keqfunksionon sistemi arsimor, që nga drejtoritë arsimore, emërimet, konkurset e deri te reforma në arsim. Ah, po, e njoh edhe nga citimet prej vetë asaj të sms-ve të së bijës që shkollohet në Francë, atje ku nuk të fut njeri në burg po të qëllosh kryeministrin me vezë.

Di dhe pasojat që kanë lënë reformat e saj, (nëse janë vërtet të saj) dhe këtë e njoh në terren, ku për këtë të fundit kam dëgjuar personalisht shumë raste studentësh të detyruar të shkojnë te privati duke paguar mijëra euro sepse koha kaloi e sistemi nuk ua dha mundësinë të regjistroheshin në kuotat bosh të shtetit. Asnjë nga këto informacione nuk më bën të solidarizohem me ministren.

Përkundrazi. Mendoj se nuk mjafton një shishe salcë për të treguar mllefin e protestën. Madje, më dhimbset më shumë salca. Ka njerëz në këtë vend që jo vetëm nuk shkollojnë dot kalamajtë, po makaronat i hanë pa salcë. Por, kjo pak rëndësi ka për rilindaset me çanta firmato dhe për deputetët psikologjisht të dhunuar të komandantit të tyre, i cili dhe në mes të Nju Jorkut, në vend që të japë llogari se pse studentët që godasin me vezë (lexo: salcë) burgosen, (nuk) u përgjigj me arrogancën e vet tashmë të rilindur se “vajza të rrijë e qetë, se nuk do i ndodhë gjë pse i dha ca si shumë gojës”.

Sa fat që ajo vajzë jeton në Nju Jork, përndryshe, në Shqipërinë e Majkos, Braçes e Nikollës, ajo frazë është e barazvlerëshme me “suksese në jetë”. Madje dhe më keq.

Lindita e askujt

Lindita tjetër, është Lindita Çela, gazetarja e BIRN që sapo fitoi një prej çmimeve më prestigjioze të gazetarisë, çmimin CEI SEEMO për Merita të Jashtëzakonshme në Gazetari Investigative për vitin 2016 në kategorinë “Gazetarët Profesionistë”. E ka fituar në një vend ku juritë nuk korruptohen, ku provimet nuk blihen, ku çmimet nuk jepen për lajkatarët e shefit, dhe ku çdo shkrim investigativ nënkupton që e ke punën e jetën nën rrezik.

E njoh pak Lindita Çelën, sa për të ditur se në ç’presione ka punuar e punon prej aq sa e njoh unë, duke nisur me shkrimet investigative të korrupsionit të Berishës, për të vazhduar me këto të korrupsionit Rama. Por, nuk pashë as entuziasëm, e larg qoftë mbështetje e solidaritet nga establishmenti për punën e saj. Ky lajm nuk shumohet në media. Fevziu nuk bën emisione për të. Braçet e Majkot, nuk shkruajnë statuse solidariteti për këtë. Shqetësimi i tyre është Lindita tjetër, ajo që për një moment mori mbi kokë lëngun e kuq në emër të tërë keqmanaxhimit e korrupsionit qeverisës.

2 Linditat

Nuk kam dëgjuar më lajme për çështjen e Ardit Gjoklajt. Askush nuk e përmend, asnjë media nuk e ndjek më. Ishte një çështje që duhej të kishte hedhur bashkinë e qeverinë bashkë. Ata që guxuan të investigojnë u lanë pa punë. Jo vetëm pushteti e bizneset e lidhur me të janë të interesuar ta zhdukin gazetarinë investigative, por edhe shumë gazetarë të pozicionuar, që e kanë kthyer profesionin në propagandë dhe nuk ndjehen rehat kur ndonjë koleg bën punën e vet. Shumë prej këtyre e injoruan çmimin për gazetaren e Birn-it. Sikurse dhe në redaksitë a emisionet ku punojnë, injorojnë shkrimet investigativ të Birn-it. Shumë njerëz në këtë vend duan që askush të mos investigojë. Duan, që Ardit Gjoklajve t’u harrohet edhe emri e mos t’ua përmendë askush.

Dy Linditat, në fakt janë 2 Shqipëritë: Shqipëria e atyre që e kanë shaluar këtë vend dhe Shqipëria e atyre pak (sa pak… po sa shumë pak) që ende luftojnë. Shqipëria e atyre gazetarëve që po na mbysin me propagandë dhe Shqipëria e atyre që rrezikojnë punën e pse jo edhe jetën për të sjellë tek ju të vërtetën; Shqipëria e atyre që kanë në dorë gjithçka dhe Shqipëria e atyre që kanë vetëm një gjë, rezistencën. Në këtë vend ka shumë pak njerëz që protestojnë, e akoma më pak që bëjnë rezistencë.

Shqipëria sot është pronë e Linditë Nikollave. Ndaj merremi me kavanozin e salcës, duke denigruar protestuesen e duke injoruar gazetaren investigative.

Por, në botë askush nuk e njeh ministren Nikolla. Në botë, sot Shqipëria përfaqësohet vetëm me gazetaren investigative, Lindita Çelën. Kësaj të fundit, unë, dua t’i them, të paktën, një faleminderit. Në emër të Shqipërisë tjetër, asaj times, e të atyre që nuk kanë zë. Shqipërisë së Ardit Gjoklajve.

(shkruar për lapsi.al. Titulli i autorit: Faleminderit Linditës!)

Share: